Gjuhë & Letërsi

Gjuha Shqipe për fëmijë: Mësimi 12 - Shkronja Dh

Përgatiti: Danjela Lumani

Përshëndetje të dashur fëmijë, edhe prindër! Si ishte java juaj? Po sikur sot t’iu prezantojmë me një shok imagjinar i cili do ju shoqërojë përgjatë udhëtimit tonë mes shkronjave por ndërkohë edhe ne e shoqërojmë atë në udhëtimin e tij rreth globit. Si mendoni? Ai shoku imagjinar është sa një gisht, sa gishti i madh i dorës, ndaj dhe ca e kanë quajtur Gishto, por këtu te rrëfënjat do e quajmë Kacimicërr, ashtu siç e quajti edhe xhaxhi Bedriu në rrëfënjat e tij, sepse me shumë gjasa ky picirruk i ngjante kokrrës së misrit. Pa vizatojeni njëherë si e imagjinoni Kacimicrrin. E vizatuat? Ndërsa unë e imagjinoj kështu. Ose më saktë xhaxhi Bedriu e kishte imagjinuar ashtu. (Lexo Rrëfenja 1)

Hë e lexuat? Kjo ishte vetëm rrëfenja e parë. 

Tani bashkë le të gjejmë shkronjat dyshe, që përbëhen nga dy shkronja të tilla. 

dyshnjësh, dikush, errësirë, qielli, dhe, njerëzit, gjatë, dhelpra, dridhej, dhëmbët, dyshek, lesh, dielli, pallonjtë etj

Ja disa prej tyre i gjetëm bashkë dhe po të shohim me kujdes ashtu siç edhe Kacimicrri do të bënte një pjesë e këtyre përsërisin veten, si “rr”, “ll”, dy prej tyre shoqërohen me shkronjën “j” cilat janë ato? Po për të tjerat ç‘mund të themi, çfarë kanë të përbashkët? Mund të themi që ato kanë të përbashkët shkronjën “h” si dh, ll, sh. A e shikoni sa të shumëllojshëm e kemi alfabetin tonë? Kliko këtu 

Sot do marrim njërën nga këto shkronjat dyshe, nëse e dëgjuat me kujdes alfabetin, e vutë re cila shkronjë vjen pas shkronjës “D”?

Shkronja Dh

Tema mësimore: Punimi i shkronjës Dh

Situata e të nxënit: Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 1)

Rezultatet e të nxënit të kompetencave mësimore sipas temës mësimore:

  1. Shkruan shkronjën Dh, dh të shtypit.
  2. Formon dhe shkruan fjalë dhe grupe fjalësh me shkronjën dh dhe shkronjat e mësuara. 
  3. Lexon dhe shkruan fjalinë e dhënë.
  4. Ruan hapësirën midis fjalëve.

Fjalë kyçe: Kacimicrri, dhelpra, dhëmbi, dhurata, dardha, kërpudha, hudhra, kërpudha, dhallë, hekurudha, dhoma, dhia, 

Teknika dhe strategji:

  • Analizë dhe sintezë
  • Punë individuale
  • Veprimtari dyshe

Burimet e informacionit dhe mjete: etiketa me shkronjën Dh, dh; etiketa me fjalët kyçe, youtube, laptop/PC, fletore me vija të gjera, ngjyra, portali FlasShqip.ca

Përshkrimi kontekstual i situatës

Veprimtari paraprake

  • Paraqitini fëmijës etiketën e dhisë dhe dhelprës dhe kërkojini të krijojë fjali me ato të dyja. Si për shembull: “Dhelpra dhe dhia nuk mund të bëhen kurrë miq të mirë.”
  • Dhe bëjini pyetje: Kush ishte personazh te Kacimicrri dhelpra apo dhia?
  • Gjejeni në tekst dhe konfirmojeni.

Veprimet në situatë

Hapi i parë: Analizë e sintezë

Shkruani në tabelë fjalinë: Dhelpra desh më këputi bishtin me dhëmbë…

Kryhet procesi i analizës për shkëputjen e tingullit dhe shkronjës dh: Sa fjalë ka fjalia? Cila është fjala e parë? Po e dyta? E treta? Ku ndodhet shkronja dh në fjalën e parë? Po në fjalët e tjera? Më pas qarkoni shkronjën “Dh”

Ushtroheni në shqiptimin e tingullit të ri dhe theksohet se është tingull bashkëtingëllor.

Gjeni fjalë me shkronjën dh në fillim, në mes dhe në fund te rrëfenja e parë e Kacimicrit. 

Hapi i dytë: Bashkëbisedim

Tregoni secilën prej etiketave të fjalëve kyçe dhe krijoni bashkë fjali që kanë lidhje me Kacimicrrin. 

dhelpra, dhëmbi, dhurata, dardha, kërpudha, hudhra, kërpudha, dhallë, hekurudha, dhoma, dhia

Si mendon a i ha dardhat Kacimicrri? 

Pse shkon te hekurudha Kacimicrri? Ku do të hipë?

Po nëse ha hudhra Kacimicrri, çfarë mund t’i ndodhë?

Çfarë dhurate do i bëje ti Kacimicrrit?

Pyetje të tilla që mund të sjellin edhe humor por edhe zhvillojnë fantazinë e fëmijës. 

Hapi i tretë: Veprimtari dyshe

Bashkë me fëmijën, pasi keni parë etiketat, shkruajini fjalët në tabelë dhe fletoren me vija të gjera, ndajini në rrokje dhe lidhini etiketat me fjalët respektive.

Hapi i katërt: Punë individuale 

Fëmija mund të vizatojë një ose dy figura që përmbajnë shkronjën “dh” dhe e vendosin te portofoli. Nëse keni vend akoma te kavanozi, sot drita e syve tuaj, e meriton të shtojë një guralec ose nëse moti është ashtu me diell dhe ngrohtë, një akullore do e bënte magjinë. 

Vlerësimi i situatës

Situata konsiderohet e realizuar nëse fëmija:

  • Shqipton, shkruan dhe lexon tingullin dhe shkronjën Dh, dh.
  • Shkruan dhe lexon fjalë me shkronjën dh, dhe shkronjat e mësuara.
  • Përshkruan mbi bazën e figurave.
  • Lexon globalisht fjalët e reja.

Detyrë shtëpie

Lexoni rrëfenjën e parë të Kacimicrrit nëpër glob dhe vizatoni atë që imagjinoni nga kjo rrëfenjë. Vizatimet tuaja mund t’i dërgoni te redaksia e Flasshqip në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo..

Kur të mblidhen shumë vizatime, ju do të jeni pjesëmarrës të konkursit/ekspozitës me vizatime.

 

*Duke ju falenderuar për vëmendjen ju lë takim ditën e Shtunë, më datë 6 Qershor për të vijuar me mësimin 13. Një përqafim të ngrohtë për fëmijët nga mësuese Danjela. 

 

30 Maj 2020, ©FlasShqip.ca