Gjuhë & Letërsi

Gjuha Shqipe për fëmijë: Mësimi 14 - Shkronjat E dhe Ë

Përgatiti: Danjela Lumani

Sa shpejt ikin ditët, më duket sikur fluturojnë para nesh njëra pas tjetrës fiks si ai avioni radioaktiv i Kacimicrrit. Ku jeni, te cila rrëfenjë te e treta? Nëse shkoni si për shembull te rrëfenja e tretë do shikoni që i gjithë teksti (ashtu si çdo tekst në shqip, xhanëm) është e zbukuruar nga disa kaçurrela majë shkronjës e. Kjo shkronja që nuk e hasim te alfabeti i gjuhës angleze, në shqip luan një një rol të madh. Shpesh e shohim të zëvendësuar me shkronjën “e” sepse nuk gjendet në tastierat e kompjuterave. Ja hidhini një sy, a është? Ajo shkronja “E” me dy kaçurrelat sipër? Sot pra do shohim të dyja bashkë, njëkohësisht shkronjën E dhe shkronjën Ë do i krahasojmë dhe do shohim sa të ngjashme e të ndryshme janë. E pra, jemi te mësimi i 14 i shkronjave të gjuhës shqipe. 

Shkronjat E dhe Ë

Situata e të nxënit: Rezultatet e të nxënit të kompetencave të fushës sipas temës mësimore:

Pas këtij mësimi fëmija është në gjëndje të:

  • Dallojë shkronjat E, Ë në fjalët e dhëna.
  • Shqiptojë tingujt E, Ë duke i lidhur me shkronjat E, Ë.
  • Gjejë tingujt dhe shkronjat E, Ë në fjalë të ndryshme.
  • Lexojë globalisht fjalë që kanë shkronjat E, Ë

Teknika dhe strategji:

  • Lojë
  • Punë individuale
  • Stuhi mendimi
  • Veprimtari në dyshe

Përshkrim kontekstual i situatës: Veprimtari paraprake:

E nisim këtë mësim ku njihemi me dy shkronjat njëherësh me “Lojën e elefantit”.

Në fillim e këndoni ju vetë këngën “Një elefant, një elefant, në fije t’perit kolovitet dhe kur e pa që s’u këput, thirri dhe një tjetër elefant”.

Kapeni dorazi fëmijën dhe rifilloni këngën bashkë me pjesëtarët e tjerë në familje: “dy elefantë, dy elefantë, në fije t’perit koloviten dhe kur e panë që s’u këput, thirrën dhe një tjetër elefant” e kështu me rradhë për aq sa pjestarë janë në familje të cilët mund të marrin pjesë në lojë.

Hapi i dytë: Veprimtari në dyshe

Paraqiteni para fëmijës shkronjën E të madhe të shtypit dhe shpjegoni formën e saj. E vizatoni në ajër dhe pastaj në tabelë.

Shqiptohet disa herë.  Shiko Videon

Bashkë me fëmijën përpiquni të gjeni fjalë të tjera që përmbajnë në trup të tyre tingullin E.

Pasi gjeni bashkë në shtëpi objekte që përmbajnë tingullin E (fletore, tabela, dritare, dera,etj.), paraqisni dhe shkronjën Ë dhe krahasojeni me shkronjën E.

Nxiteni të tregojë fjalë me shkronjën Ë.

Hapi i tretë: Punë individuale

Vendosni në tabelë disa figura që kanë poshtë fjalët përkatëse (banane, akullore, ëndërr, ëmbëlsirë, mollë, etj.)

Fëmija gjen ku ndodhen shkronjat E, Ë në këto fjalë. Ndani fjalët në rrokje duke lëvizur duart majtas–djathtas dhe ndihmoni fëmijën të gjejë në cilën rrokje ndodhet shkronja E dhe në cilat shkronja Ë.

Plotësoni bashkë me fëmijën fjalitë e mëposhtme me një nga fjalët: ENA, ERA, ELEFANTI, HËNA, NËNA

Po frynte ………..

Sa bukur duket …… natën.

Kafsha ime e preferuar është ………….

Unë e dua shumë ………

Unë mbusha …… me ujë. 

(ndërkohë shohim ndryshimin e këtyre fjalëve kur i vendosim si kryefjalë, kundrinor etj)

Shkruajnë elementet e shkrimit dhe më pas shkronjat E, Ë.

Merrni fije makaronash dhe modeloni bashkë shkronjën E dhe pastaj shkronjën Ë.

Demonstrim i rezultateve të arritura: Shkruan shkronjat E, Ë. Lexon fjalë globalisht.

Vlerësimi i situatës:

  • Situata konsiderohet e realizuar nëse fëmija:
  • Dallon shkronjat, E, Ë në fjalët e dhëna.
  • Shqipton tingujt E, Ë duke i lidhur me shkronjat E, Ë.
  • Gjen tingujt dhe shkronjat E, Ë në fjalë të ndryshme.
  • Lexon globalisht fjalë që kanë shkronjat, E, Ë në trup të tyre.
  • Shkruan shkronjat E, Ë të mëdha të shtypit.

Detyra:

1. Shkruani nga dy rreshta me shkronjat E, Ë.

2. Shkruani fjalët globale ENA, ERA, ELEFANTI, HËNA, NËNA.

3. Vizatoni elefantin.

Burimi i informacionit: Libri i Mësuesit-Abetare e Përbashkët Shqipëri- Kosovë

 

13 Qershor 2020, ©FlasShqip.ca