Për prindërit

Buka me sallam - Nga Kastriot Fetahu

 Kastriot Fetahu - Chicago

Tregim bazuar në një ngjarje të vërtetë

Si zakonisht edhe atë të diel, Astriti më telefonoi për të shkuar në Costco, një qendër e madhe tregtare, për pazarin e javës. U takuam pas 20 minutash dhe u nisëm. Na u deshën 15 minuta të arrinim në destinacion.

Kisha vënë re se ai blinte gjithmonë një lloj sallami, që më kujtonte sallamin e vendit tonë dikur dhe me bëri përshtypje kjo gjë, prandaj e pyeta pse e merrte atë.

-Kam një histori të vjetër-, më tha, - por do ta tregoj, pasi të mbarojmë pazarin dhe shkojmë në Starbucks-in këtu pranë, pimë kafe dhe flasim.

Mbaruam dhe ashtu vepruam. Astriti hyri menjëherë në temë të bisedës së lënë përgjysëm.

-Ajo puna e sallamit që pyete ti, është e hershme, do ta tregoj si di unë se për llafe të bukura nuk ia them-.

-Isha në klasën e pestë dhe bëja pjesë tek nxënësit më të mirë të klasës- e nisi rrëfimin e tij, miku im i vjetër i fakultetit.

Mësuesja ime kujdestare më kish caktuar dhe mua një nxënës për ta nxjerrë nga prapambetja, që për arsye etike nuk mund ta tregoj emrin e plotë të tij.

Ai ishte djali i dy prindërve, një babai drejtor dhe një nëne ekonomiste.

Ata, si rezultat i punëve që bënin, kishin të ardhura të mira.

-Ndërsa unë isha djalë puntori dhe vija nga një familje me shumë fëmijë - vazhdonte të tregonte shoku im me një zë të ngadalshëm.

Shpesh herë kam pyetur veten, se a kishte korrupsion moral, apo material në atë kohë, sepse unë, që mësoja atë nxënësin, shkoja tek shtëpia e tij dhe nuk vinte ai tek shtëpia ime, me urdhërin e mësueses kujdestare kjo gjë?!

Ndërhyra duke i thënë që unë do i quaja favore të gjitha këto dukuri të kësaj natyre.

Ai më dëgjoi dhe ngaqë ishte futur në emocionet e ngjarjes më tha - po ik mos na lodh kokën dhe ti, se korrupsion i pastër është - dhe përfitoi nga rasti duke rrufitur kafen në gotën plastike të Starbucks-it.

-Ore po vazhdo - i thashë se nuk e kemi bisedën të diskutojmë çfarë është, që të marr vesh ç'ka ndodhur, se e bëre legjendë - duke e kthyer edhe unë pas kësaj gotën time të kafes, me atë shijen që ndien kur je i ngeshëm dhe nuk të pengon asgjë ta shijosh, duke stakuar mëndjen nga gjithçka tjetër në botën që na rrethon.

Kur shkoja në shtëpinë e shokut të klasës, babai i tij nuk më fliste kurrë, ndërsa nëna më fliste në mënyrë kategorike dhe s’më kujtohet të më ketë buzëqeshur asnjëherë me atë fytyrën e saj thatanike dhe ca flokë të zinj, që i mbante përherë të lidhur pas kokës dhe veshët që i dukeshin gjithmonë të mëdhenj.

Më thuaj vetëm emrin e atij djalit, i thashë, pa mbiemër.

Ilir e quanin, tha shoku im, si me përtesë dhe dyzues paksa, sikur do të thoshte, ja e more vesh se s'më le rehat.

Astriti ose Titi shkurt, ishte një vit më i madh se unë dhe në shtëpi ishin shtatë fëmijë, ku ky rreshtohej i pesti.

-Ka qënë fillimi i Dhjetorit-, vazhdoi ai - dhe kur mbaronim studimin si zakonisht në orën gjashtë, jashtë qe errësuar plotësisht-.

Orari i studimit fillonte në orën katër dhe gjatë mësimeve nëna e tij më ndërhynte, kur përpiqesha të mësoja Ilirin, i cili nga ana e tij ishte një djalë shumë i përkëdhelur dhe aspak i zgjuar.

Ndërhyrja e saj konsistonte, duke më theksuar që t'ia shpjegoja më mirë mësimin edhe pse unë e bëja me shumë pasion atë gjë, me dëshirën e madhe për të pasur rezultate në mësime dhe Iliri.

Siç thashë, ishim në fillim të Dhjetorit dhe atë ditë shkova si zakonisht, duke vazhduar si gjithmonë direkt mësimin.

Nga mesi i orarit, Iliri më thotë -Titi, do ha pak bukë unë tani.

Kjo nuk më kish ndodhur më parë, se ia pata thënë, që në orarin e mësimeve nuk do kishim asnjë ndalesë.

-Mirë - i thashë, - po nuk dua të vonohem se kam frikë nga qentë e rrugës kur të iki në shtëpi.

-Të çoj unë - tha Iliri, i cili kishte një fizik të madh dhe të zhvilluar mirë.

Dhe ndërkohë i tha të ëmës - o ma, dua bukë - dhe u kthye nga unë përsëri në tavolinën ku mësonim.

-Me çfarë e do - e pyeti ajo.

-Me sallam moj - i tha ai.

Sa dëgjova fjalën sallam unë, goja lëng, se ku hanim dot ne, shtatë kalamaj nuk ngopnim barkun me bukë, jo të më binte rradha të haja bukë me sallam dhe gëzova duke bërë me vete atë xhestin, që fërkojmë duart nga gëzimi i diçkaje të mirë që presim të ndodhë.

Erdhi nëna e Ilirit me një pjatë me dy feta bukë dhe sallam, i cili si në atë kohë, kundërmonte një aromë të fortë dhe të mirë, duke me çarë fyellin e hundës dhe më nxitur sekrecione të mëdha, se fëmijë hesapi.

-Po ajo, pjatën ia vendosi para djalit dhe mua asgjë -, vazhdonte të tregonte me ngadalë dhe tepër serioz në qëndrimin ndaj rrëfimit të tij.

Herë pas here ai ndalonte pak, sikur do të mbushej thellë me frymë dhe të merrte energji të reja për të folur përsëri.

Prita pak me shpresën se do më sillte dhe mua, kur ajo erdhi përsëri në dhomën ku mësonim, pa gjë në dorë dhe u ul si zakonisht, në vëndin e saj.

Heu, mendova me vete, po kjo çfarë bën kështu dhe më keq, goja lëng nga sallami, që më çante hundët.

Si sot më kujtohet, çmimi i atij ishte 144 lekë kilogrami në atë kohë.

Çfarë të bëja, nuk dija ku ti mbaja sytë nga sikleti dhe nuk po duroja dot praktikisht, duke pasur ndjesinë, që më kujtonin se isha dhe po trajtohesha si i varfër në atë shtëpi dhe madje i përbuzur me atë veprim të nënës së Ilirit.

Ai e pa, që unë përdridhja sytë në tavan dhe si për të më shtuar hallin, më tha - ke inat nuk të jap, se dua të ngopem dhe po ta ndaj me ty nuk më del për vete.

Herën e parë që më tha, rezistova duke u kapërcyer, aq sa gati po mbytesha nga sekrecionet dhe nga ndjesitë negative, që po më pushtonin keq.

Po ai më shikonte duke vazhduar të përtypej dhe në një moment më thotë - o Tit po të çon goja lëng hë.

-Jo Ilir - i thashë unë i shkreti, duke gënjyer edhe veten time edhe atë.

-E, e, ça jo thua, ty po të ngec bështyma (në vënd të pështyma) dhe nuk po kapërcehesh dot - vazhdoi ai dhe qeshi me mua si një fëmijë djallëzisht i lumtur, për atë që shijonte nga kjo skenë.

Ndërkohë pashë të ëmën e tij, atë fytyrë thatanike që po buzëqeshte me sjelljen e djalit të saj, që duket e çmoi dhe e shijonte si zgjuarsi, duke marrë pamjen e një gërdalle të zdërhellur.

Pashë përsëri Ilirin i cili vazhdonte të qeshte duke ma afruar bukën me sallam afër fytyrës sime dhe ma lëvizte për të më bërë të humbja durimin...

Një lëmsh i madh mu mblodh në grykë.

Unë e dija që isha i varfër, krahasuar me Ilirin, por kjo nuk duhej t’i jepte të drejtë atij që të sillej me mua në atë mënyrë.

Ky mendim më çoi në fund fare të dhimbjes shpirtërore, sepse po më bullizonin hapur të dy.

Dhe... nuk munda ta ndalja shpërthimin tim e t’i mbaja lotët, të cilët më rrodhën dy pika, duke më lagur mollzat e faqeve.

Ndjeva një si këputje të përgjithëshme dhe stopim total të gjithçkaje në veten time.

Në mëndje direkt më erdhi idea të çohesha e të ikja në shtëpi dhe fillova të fusja librat në çantën time prej doku blu, që e mbaja krahëqafë.

Sa mbarova, u ngrita nga karrikja për të ikur, kur në çast nëna e Ilirit çohet dhe më thotë me një ton serioz e gati urdhërues dhe ajo fytyrë që qeshte, befas u ngrys - pse ikën ti djalë, orari nuk ka mbaruar, ulu aty dhe vazhdoni -, duke iu drejtuar djalit të saj më pas, - hajde lëre bukën Ilir, filloni mësimet.

Unë po rrija e dëgjoja tregimin e shokut tim si i shastisur, sikur të fliste për një ngjarje të ndodhur diku në Afrikën e Jugut me sistem aparteidi, duke mos lëvizur asnjë muskul të fytyrës, nga ajo ndodhi antinjerëzore kundrejt një fëmije i cili vinte për ndihmë pa shpërblim tek ata njerëz bullistë të pashpirt për të mos thënë më shumë.

-Nëna e Ilirit, kam dhimbje koke, i thashë dhe nuk mund të vazhdoj dot më, të lutem, dhe u ngrita pa pritur, duke dalë në derë, e jashtë për në shtëpi - vazhdoi shoku im të tregonte ngjarjen.

Nga pas dëgjova që mbyllën derën, pa më thënë asnjë fjalë dhe as unë nuk ktheva kokën të shihja kush ishte.

Rrugës lotët më rridhnin me një ndjenjë inati dhe urrejtje për nënën e Ilirit më shumë, sesa për vet Ilirin.

Sa shkova në shtëpi, babai më pa dhe më pyeti se çfarë kishte ndodhur që erdha shpejt dhe kisha lotë në sy.

I tregova ngjarjen dhe e pashë që shtrëngoi disa herë nofullat i inatosur, ndërkohë nëna u afrua kur na dëgjoi dhe më përqafoi, duke më thënë, mos u mërzit, se vjen babai nesër në shkollë.

Vëllai më i madh se unë u nxeh keq dhe në inat e sipër tha se do ta rrihte atë bolin, që ma kishte bërë ashtu mua, por babai i foli se nuk duhet të bënte asgjë pas kësaj historie.

Të nesërmen erdhi babai bashkë me mua në shkollë, ku takoi zyshën kujdestare dhe i tha, që nëse do të vazhdojë ai nxënësi për të mësuar, të vijë në shtëpinë tonë, sepse djalin nuk e lejoj të shkojë më në atë shtëpi.

Zysha nuk foli, duke më parë mua në sy dhe ndërkohë më shkoi dorën në flokët e mi si një formë ndjese, sepse ajo e kuptoi që diçka e pazakontë kish ndodhur.

Pasi babai iku dhe unë me mësuesen hymë në klasë, ajo direkt po shikonte Ilirin me një vështrim pothuaj të egër dhe qortues, kurse ai uli kokën duke parandjerë arsyen e atij shikimi.

Babai ndërkohë nuk kish ikur në punë, sepse donte të blinte sallam për mua në dyqan, me shpresën se do gjente dhe pasi nuk kish gjetur, bleu dy racione sallami me pagesë të shtrenjtë në klubin në qëndër të lagjes, që për fat kish pasur atë ditë, duke na i ndarë të shtatë fëmijëve në shtëpi. 

Dy motrat më të mëdhaja se unë, nuk pranuan të hanin racionin e tyre, duke ma dhënë mua atë, se donin të më qetësonin dhe shprehnin përkrahjen, siç janë të gjitha motrat për vëllezërit...

Ai djali nuk erdhi më tek unë, sepse mësuesja e caktoi të mësonte me një shok tjetër, duke i shkuar në shtëpi atij.

Në këtë kohë shoku im mori përsëri gotën e kafes dhe e ktheu pa pasur mëndjen shumë tek ajo, gjë që dukej nga vështrimi i ngrirë i syve të tretur diku.

Uli gotën e kafes në tavolinë dhe vazhdoi të flasë përsëri.

-Ajo ngjarje më ka bërë më të mirë në jetë, sepse kuptova dhe ndjeva në lëkurën time, se çfare është dallimi i shtresave shoqërore midis njerëzve, duke mos i lejuar vetes si inxhinier të bëj padrejtësi, sidomos tek ata më të varfërit në atë sistem dhe më tej, se vazhdova deri në 1996 në punë, vit që erdha në USA - vazhdoi bisedën Astriti.

-Buka me sallam është mësimi i jetës sime - tha, duke zgjatur përsëri ngadalë dorën për tek gota e kafes, si shenjë se mbaroi çfarë duhet të tregonte dhe në atë kohë mori nje pamje melankolike me një "eh" dhe një tundje koke, para se të rrufiste gotën, gjë të cilën e bëra dhe unë i turbulluar nga ngjarja e mësipërme, e denjë për më shumë se sa këto pak fjalë që tregoi shoku im i fakultetit, Astriti.

Chicago, 12 Dhjetor 2020

©Kastriot Fetahu