Vangjush Ziko: ‘Thërrmimi i Niagarës’, libër për emigrantët kanadezë
- Published in Komunitet
Shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Vangjush Ziko, sapo ka publikuar në Kanada, në gjuhën shqipe, librin me proza të titulluar “Thërrmimi i Niagarës”. Autori prej vitesh jeton sëbashku me familjen e tij në Mississauga.
Vangjush Ziko, poet dramaturg dhe përkthyes, ka lindur në qytetin e Korçës në vitin 1931. Pas diplomimit pranë Institutit të Letërsisë “M. Gorki” në Moskë, ai ka punuar si mësues i letërsisë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” dhe si pedagog i letërsisë dhe i gjuhës ruse në Universitetin “Fan Noli” në Korçë.
Poezia e tij kryesisht lirike, dallohet për lirizmin meditativ me ngjyrime filozofike, ndërsa drama e tij ka natyrë psikologjike. Ai i është përkushtuar gjithashtu përkthimit të poezisë lirike ruse dhe ka botuar përmbledhje të veçanta të poezive të A.S. Pushkinit, S. Eseninit, E. Eftushenkos si dhe Antologjinë e Lirikës Ruse (katër vëllime), ku ka përfshirë rreth pesëqind poezi të më shumë se treqind poetëve rusë që nga fillimi i shekullit të tetëmbëdhjete gjer në fund të shekullit të njëzetë. Është gjithashtu autor i një sërë studimesh, esesh dhe skicash letrare si dhe bashkëautor tekstesh të letërsisë.

Ja si shprehet autori për veprën e tij të sapopublikuar “Thërrmimi i Niagarës”:
“Një libër për emigrimin dhe emigrantët, për jetën, ndjenjat dhe mendësitë e tyre nuk është aq i lehtë. E kam fjalën për emigrimin e fundit të shekullit të kaluar dhe të dekadës së parë të këtij shekulli.
E para, sepse është një kohë relativisht e shkurtër dhe një përvojë krejt e re jetësore e brezave, një jetë që po bën përpjekje të mundimshme për të rrjedhur në një shtrat të ri dhe të panjohur për ta, jetë që ndryshon nga ajo e gjyshërve të tyre në shumë drejtime.
E dyta, kjo jetë është akoma në lëvizje të shqetësuar, është në kërkim të asaj barazpeshe, që i jep njeriut siguri të plotë për të ardhmen e vet.
E treta, asnjë emigranti nuk do t'i pëlqente ose do t'i dukej e bezdisshme ta shikonte dhe ta pranonte lehtë gjendjen e vet psikologjike, etike dhe profesionale të transformuar, në krahasim me atë me të cilën ishte i përshtatur prej vitesh.
Megjithatë, vendosa të vij përpara lexuesit me këtë mozaik letrar: tregime, skica, esse të frymëzuar nga realiteti kanadez, që ka specifikën e vet, por edhe të përbashkët në shkallë botërore, të dialektikës së hekurt të emigrimit, në përgjithësi…
Jeta ecën e sigurtë drejt ndryshimeve dhe shndërrimeve pozitive me optimizëm dhe me besim gjithnjë në rritje. Çdo emigrant diçka humbet dhe diçka fiton çdo ditë. Ai mbetet ai që ishte dhe, në të njëjtën kohë, bëhet një njeri më ndryshe. Këtë nuk ia jep pasaporta e re, por siguria për të jetuar në një botë ndryshe dhe si njeri i globalizmit bashkëkohor. Një gjë mbetet e pandryshuar, tharmi që atë e ngjizi dhe e solli në jetë. Çdo ngjashmëri me ndodhitë apo me karakteret është vetëm një koincidencë e paqëllimtë”.
“Thërrmimi i Niagarës” mund të porositet në Amazon:
https://www.amazon.com/dp/171949732X/
Me lejen e autorit, FlasShqip po boton sot skicën në hyrje të librit.
FLAMURI ME GJETHE PANJE
Flamujt e Botës janë mëse të çuditshëm. Janë të çuditshëm jo nga forma. Ata të gjithë janë drejtkëndorë. Nuk janë aq të veçantë as nga ngjyrat, se sa ndryshojnë simbolet që kanë zgjedhur për t'i dalluar. Dhe prapë e çuditshme. Këto simbole, në shumicën e tyre dërmuese, janë marrë nga hapësira e kaltër qiellore…
Kanë zgjedhur diellin, hënën, yjet ose kombinime të ndryshme nga ngjyrat e ylberit. Të tjerë skifterin apo shqiponjën; kanë marrë kryqin, që lartësohet mbi këmbanoret, si një element i qiellit. Të gjithë kanë synuar hapësirën mbitokësore si shenjë të lartësisë, madhështisë, hapësirës ku ruhen të fshehtat pa fund të universit dhe Perëndia e plotfuqishme. Të tërë sikur pohojnë se pushteti, fuqia dhe mbarësia qëndrojnë lart, sipër tokës, si një dëshirë dhe ëndërr, që mezi arrihet dhe nuk duhet të guxojë ta prekë askush këtë shenjtëri.
Ka edhe një flamur, ky është flamuri kanadez, i cili ka zgjedhur për simbol të tij të shenjtë një gjethe të drurit të panjës.
A thua, kanadezët e zgjodhën këtë gjethe sepse, kur u formua Kanadaja si shtet, i kishin grabitur të tjerët simbolet e qiellit? Apo thjesht, francezit apo anglezit të parë që shkeli në këtë tokë, i bënë përshtypje pyjet e panjës që veshin këtë vend dhe e vunë në sfondin e bardhë të pëlhurës, që simbolizon dimrin e gjatë kanadez? Vunë një gjethe asnjëanëse, për të mos krijuar keqkuptime midis tyre, apo, më mirë le të themi, për t'u pajtuar midis tyre?
Francezët dhe anglezët bënë zgjedhjen më të mençur. Ky vend nuk kishte histori dhe tradita si Europa. Ata vendosën që ta shkruajnë historinë e këtij shteti të ri të globit mbi këtë gjethe të virgjër të natyrës. Dhe nuk zgjodhën as gjethe të gjelbër pranverore, as gjethe të zverdhur, që e shkund era e vjeshtës. Ata zgjodhën gjethen flakëruese të panjës, të kalitur nëpër ngricat e egra polare.
Dhe kjo gjethe e kuqe u bë një gjethe profetike. Ajo ngjan me një pëllëmbë njeriu, një pëllëmbë fisnike që u zgjatet bijve hallexhinj të të gjithë kontinenteve dhe racave dhe i fton ata në prehrin e vet duke u premtuar të gjithëve punë, barazi dhe miqësi pa asnjë dallim ngjyre dhe feje.
Flamujt e Botës janë të ndryshëm dhe jo që të gjitha simbolet e tyre i kuptojmë. Rëndësi ka që flamujt bëhen të dashur e të shenjtë për të gjithë ata njerëz, të cilët rreshtohen dhe betohen nën hijen e tyre.












