Komunitet

In Memoriam Meshan Çini, gruaja simbol i tolerancës - Nga Taulant Dedja

  • Published in Komunitet

Taulant Dedja

Nuk kisha dëgjuar të flitej për Meshan Çinin deri ditën kur teksa bisedoja me disa nga të afërmit e mi në Toronto, ata më treguan për një libër që u kish lënë një mbresë të veçantë. Libri, i titulluar “Bukuria fatale”, me autor gazetarin Rifat Dajti, ishte romani i jetës së një gruaje të jashtëzakonshme, të cilën as kalvari i vuajtjeve nën diktaturën komuniste as pesha e më shumë se 85 viteve nuk ia patën ndryshuar aspak forcën e karakterit dhe dashurinë për jetën.

Mu përforcua ky imazh që në momentin e parë kur rastësia e solli që ta takoj. Sapo i pohova që leximi i librit më kish bërë të kuptoja sadopak peshën e vuajtjeve të saj, mbeta i befasuar nga përgjigja : “Eh, s`ka gjë, ashtu ishte sistemi”. Nuk munda t`i rezistoja tundimit për të shkruar për atë grua të rrallë, ndaj dhe iu luta të rezervonte pak kohë për të biseduar sëbashku.

Pas disa ditësh, ulur në një tavolinë përballë saj, në një kafe diku pranë kryqëzimit Eglinton me Kipling në Etobicoke, nisa të dëgjoj një rrëfim sa rrënqethës, aq edhe prekës. Rrëfim në të cilin mbizotëronte qetësia dhe logjika e ftohtë. Mahnitëse. Asnjë grimë urrejtje në sytë e saj. Vetëm fisnikëri dhe butësi. Gati e pabesueshme kur mendon se në moshën 24 vjeçare ishte thinjur brenda një nate për shkak të persekutimit dhe dhunës psikologjike që pat përjetuar në burg.

Nisi e më tregonte për familjen delvinjote me tradita patriotike nga e cila rridhte, familje e përmendur për kontributin e saj edhe në librin “Historia e Shqipërisë”, botim i Akademisë së Shkencave. Familjes Çini, në ato kohë me rreth 4000 ha tokë në zotërim, i ishte vënë emri nga bashkëvendasit “bukë e fukarasë”, për arsye të bujarisë që tregonte ndaj të varfërve.

Meshan Çini kaloi një fëmijëri të bukur, gati si në përrallë. Prindërit, e në veçanti nëna, i transmetuan asaj krenarinë, karakterin e fortë dhe të papërkulur ndaj vështirësive si dhe virtytin e thjeshtësisë. “Ishte ndoshta instikti i nënës që parandjente se do të përballeshim me shumë të papritura në një të ardhme të afërt që e shtynte ta bënte këtë” - shtoi ajo.

Në moshën 18 vjeç, në Shqipërinë e pasluftës, ku ndërkohë ish vendosur diktatura, ajo fejohet me Selman Ndreun, pronar i Hotel “Kontinental” në Tiranë dhe pjestar i familjes së njohur patriote dibrane të Cen Elezit dhe Elez Isufit. Arrestimi i të fejuarit të saj pas 8 muajve fejesë përmbys njëherë e përgjithmonë endrrat rinore të vajzës me bukuri të rrallë. Aty nis dhe kalvari i vuajtjeve që zgjatën gati 4 dekada.

Megjithë presionet e zyrtarëve të kohës, ajo nuk pranoi ta lërë të fejuarin, i cili më vonë do të vdesë në burg ku ajo rregullisht shkonte ta takonte. Vazhdimi imagjinohet lehtë nga cilido që e di se si funksiononte makina e dhunës komuniste. Sajohet një akuzë, ndërtohet një skenar e më pas vjen zbatimi. Meshan Çini arrestohet  e kalon 11 vjet në burgjet dhe kampet e diktaturës nga ku del me një vesh të shurdhuar dhe me një operacion hesteroktomie të provokuar nga netët e ftohta të kaluara në qeli.

Teksa kujtonte ato vite, ajo më pohoi pa hezitim, që edhe nga ata që punonin nëpër burgje kishte plot njerëz të mirë. Gati të gjithë, sipas saj, kanë vuajtur nën atë sistem në një menyrë apo në një tjetër, çka i bënte dhe njerëzit të ishin më shumë solidarë.

Por ndoshta “burgu” jashtë burgut ka qenë më i fortë dhe i padurueshëm për të. Shpesh ishte ndeshur me përbuzjen, të qënit pa shtëpi dhe ecejaket nga një qytet në tjetrin për shkak të mungesës së atij statusi zyrtar që në ato kohë quhej pashaportizim. Kish përballuar jetesën në kushte të padurueshme, papunësinë dhe vetminë. Një betejë e përditshme që zgjati 28 vjet të tjera, betejë të cilës ajo i rezistoi si askush, në emër të dashurisë për jetën dhe Edlirën, vajzën të cilën e adoptoi dhe iu përkushtua.

Në shkurt të vitit 1991, në moshën 63 vjeçare, bashkë me vajzën, ajo kaloi kufirin në këmbë, duke lënë pas atdheun me halle për të shkuar drejt një ëndrre për një jetë më të mirë dhe më të sigurt. “Rënien e monumentit të diktatorit e përjetova në Greqi, teksa prisja të më dilnin dokumentat për në Kanada, per t’u takuar me vëllain, Duron, të cilin nuk e kisha parë prej 45 vjetësh”. Nga shprehja e fytyrës në momentet kur dëgjova këtë pohim mendova se duhet të  qenë një nga çastet më të  bukura të jetës së saj.  Ndoshta edhe më i bukur se dita e lirimit nga burgu, sepse atë ditë u liruan nga vargonjtë e totalitarizmit të gjithë shqiptarët.

Kur e pyeta si ndihet në Kanada m’u përgjigj duke buzëqeshur ëmbël si gjithnjë e me sytë plot dritë: “Jam e bekuar nga zoti me shumë të mira dhe ndihem e plotësuar. Kam një mjedis dhe një shoqëri të mrekullueshme. Jam e rrethuar nga dashuria e vajzës time Edlira dhe Edvinit, bashkëshortit të saj të përkushtuar dhe nga dy nipat binjakë Klaudio dhe Albi. Jetoj në një vend të lirë dhe më të mirin në botë për emigrantët.  E falenderoj për atë që më ka dhënë mua dhe familjes time”. U shpreh poashtu e lumtur, për faktin që me rastin e përvjetorit të saj të 85-të kish marrë edhe përshendetjet e veçanta nga autoritetet më të larta te shtetit kanadez si dhe një çmim special nga Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze të Torontos.

Kur biseda po i drejtohej fundit, u ndalëm te virtytet njerëzore që ajo vlerësonte më shumë. “Edukata e shëndoshë, krenaria,  karakteri i fortë dhe mirënjohja” - ishin fjalët e saj, që më benë të kuptoj motivin që e kish bërë atë grua të rrallë, të aftë t’i rezistonte një jete të pazakontë plot mundime.

E pra, një shpirt i pastër, fisnik, i drejtë dhe me karakter të fortë, arrin të mbijetojë dhe gjen forca në çdo rrethanë duke arritur të shndërrohet në simbol tolerance e mirësie, pavarësisht vuajtjeve të përjetuara pa të drejtë, në kushtet e një sistemi totalitar.

“Kapiteni i mirë duket në furtunë. Jam e lumtur që pas një furtune shumëvjeçare jam përsëri këtu e nderuar dhe e respektuar” - ishin fjalët e saj të fundit në takimin e asaj dite vere.

U ndamë me një perqafim prej nëne dhe djali, të sigurtë se do të takoheshim e do të flisnim sërish...

Toronto, 2014

©Taulant Dedja