Shtëpi, e ëmbla shtëpi! - Nga Vangjush Saro
- Published in Komunitet
Në Ditën e Familjes*, kjo “përballje” me temën, andej dhe këtej nga ne, atëherë dhe sot
Nëse ka një gjë për të cilën përherë ndjen dobësi, sido që të shkojë jeta, kjo është shtëpia. E vogël, e madhe, në fshat, në qytet, në kryeqytet, me halle, me gëzime, atë nuk e ndërron dot me asgjë. Ajo, me njerëzit e tu të dashur, me bibliotekën, reliket, kujtimet, është gjithnjë më e çmuara; ngrihet në lartësinë e familjes, bashkë me të. Dhe kur të mërzit rruga, britmat, politika, “historianët” dhe gjuhëtarët amatorë, mburrjet e mëritë, sulmet dhe kunjat, janë ato që nuk të tradhtojnë asnjëherë.
■
Home, sweet home! Por n’ato kohë, për shumë mund të ish “sour” (e thartë). Në mëhallë, shumë familje jetonin me qira; gjysma e shokëve të mi po… Në shtëpinë përballë nesh, bashkë me pronarët, jetonin: dy vëllezër minatorë, njëri me familje e tjetri beqar (kishin vetëm një dhomë e një musëndër) dhe një familje romësh (të vetmit romë që kishte mëhalla) një çift me nja 6 a 7 fëmijë, më i madhi shoku ynë Reshati; dhe kishin vetëm një dhomë.
Ne vetë kishim një shtëpi të trashëguar nga stërgjyshi; me gurë, me dy kate, si shumica e shtëpive të Korçës; por ani, jo aq e bukur sa ato të dajave të mi; jo aq e hijshme edhe nga jashtë sa ajo e ndonjë komshiut tim (ku është xhiruar filmi “Karnavalet”).
Por më tej, edhe mua nuk më eci për shtëpi. (Për fat, “më eci” gjithë jetën me familjen.) Në Gramsh, ne jetuam 8 muaj në hotel. Pastaj, e shtymë keq e keq në një hyrje me një familje tjetër; histori shqiptare. (Kur të shikoja më vonë filmin franko-rus “Lindje-Perëndim”, do të kujtoja ato kohë në stres e palumturi… U deshën 4 vjet për të pasur një strehim minimal.) Në ato kushte, shpesh mbrëmjeve shkonim te Petrit Muka (që unë e kisha koleg në gjimnaz). Zakonisht e shoqja, Athinaja, vinte e merrte më parë Silvën; kur ishte koha e keqe, e mbështillte atë me një batanije. Ndër fjalët e para që mësoi vajza ishin: Naja (Athinaja) dhe nija (batanija). Në vitin ‘85, pas përfundimit të Kursit Pasuniversitar, fillova punë në Kinostudio, por u deshën sërish nja 4 vjet të tjerë për të marrë shtëpi.
■
Home, sweet home! Anipse mund të mos e kesh më problem, madje të jesh i qetë deri diku edhe për fëmijët, sado që zgjedhjet janë të vështira, prapë kjo është një temë që dhemb. Kështu, mendova njëherë ta zgjeroja pak argumentin - duke pasur parasysh protestën e kamionistëve këtu, për punë të vaksinimit, ndërkohë që e vlerësoj kundërshtinë për të mos u bërë viktimë a kavje e korporatave dhe shtetit - sidoqoftë pra, thashë të shtoja që… mund të ngrihen edhe për çmimet e banesave dhe qiranë, që gjenden në shifra tejet të frikshme apo për karburantet që shkuan përmbi 1.8 dollarë/ litër, etj. (pyetje që të gjithëve ua turbullojnë kokën dhe të gjithë heshtin).
Shtëpia dhe familja janë ndjesi e nocione private, por asnjëherë veçuar kohrave dhe dinamikës, veçuar botës dhe “klimës” përjashta…
*“Dita e Familjes” celebrohet në disa nga provincat e Kanadasë, përfshirë British Columbia.












