Alqi Karanxha, shqiptari i suksesshëm në majën drejtuese të LCBO në Toronto
- Published in Komunitet
- Nga: Përgatiti Taulant Dedja
Në një rrëfim me atdhedashuri, të sinqertë e realist, njëherazi modest e me mirënjohje për ata që e kanë mbështetur, me këmbë në tokë si i themi ne, vjen sot në rubrikën Profil&Intervistë në Flasshqip, Alqi Karanxha, një ndër profesionistët më të suksesshëm shqiptarë të dy dekadave të fundit në Toronto. Aktualisht ai është Drejtor i Shërbimeve Komerciale pranë LCBO (The Liquor Control Board of Ontario) një kompani shtetërore e themeluar në vitin 1927, me shitje aktualisht rreth 8 miliardë dollarë në vit dhe me rreth 12,000 mijë punëtorë, që tregëton dhe shpërndan produktet alkoolike në provincën më të populluar të Kanadasë, Ontario, me mbi 15 milion banorë ose 39% e popullsisë totale të Kanadasë.
Një përvojë pune shumë interesante e viteve të fundit, para se të kthehesha në Québec, më pat ndihmuar të njoh shumë nga afër LCBO. Ashtu si në sektorë të tjerë të jetës kanadeze, aty punojnë edhe një numër shqiptarësh, mes të cilëve menaxherë të sukssesshëm, por edhe ekspertë të enologjisë me përvojë nga Shqipëria. Kam dëgjuar me veshët e mi vlerësimin maksimal të drejtuesve kryesorë të LCBO, duke filluar nga presidenti George Soleas, për aftësitë e shkëlqyera menaxheriale të Alqi Karanxhës, karriera e të cilit prej 22 vitesh pranë kësaj korporate gjigande, ku e nisi punën në depo në vitin 2000, ka ardhur vetëm në ngjitje. Kam parë me syte e mi lidershipin e tij dhe etikën e tij të punës që u impononte respekt të gjithëve atyre që punojnë me të.
Alqi, është me origjinë nga një familje korçare. I diplomuar inxhinier në Shqipëri, në rininë e hershme të tij ai ka qenë dhe një futbollist i talentuar (pasion që vazhdon tek ai edhe sot). Ka punuar gjithashtu disa vite mësues para imigrimit në Kanada. Nga kjo periudhë ai kujton me shumë nostalgji eksperiencën në Podgorie, Lozhan dhe sidomos pranë Kolegjit Preka (shkollë e financuar nga qeveria e Maltës) dhe kolegët e respektuar Anesti Treska, Dhimitraq Xhambazi, Etleva Mano, drejtoreshë Sonilën, apo edhe mësuesit maltezë Marta, Charlie dhe Martin.
Kur kam njohur nga afër babain e Alqit, kirurgun e respektuar korçar Llambro Karanxha, personalitet krejt i veçantë e me një kulturë të përgjithshme vërtetë të admirueshme (frankofon i thekur që nga pamja më kujton aktorin e famshëm Jean Gabin) si dhe kur kam dëgjuar me sa respekt kujtohet nëna e tij e ndjerë, kam kuptuar ku i ka rrënjët formimi i personalitetit të tij dhe karriera e tij e pazakontë. Pikërisht tek familja, ku nis e ngjizet edukimi i fëmijës. Nuk mund të rri pa shtuar, që përveç Alqit, të gjithë fëmijët e doktor Llambros, Eugeni (Toronto), Petrika (Toronto) dhe Aida (SHBA), janë secili një histori më vetë suksesi në diasporë.
Alqi Karanxha është vendosur në Toronto qysh nga viti 2000, së bashku me bashkëshorten e tij kolonjare Donën. Ata janë prindër të lumtur e të përkushtuar të katër fëmijëve, tri vajzave Emilia, Rachel, Veronica dhe djalit Matthew. Alqi nuk harron kurrë të përmendë faktin, që mbështetja e familjes ka qenë një faktor shumë i rëndësishëm për suksesin e tij profesional.
Flasshqip: Alqi, së pari falemnderit që e pranove ftesën për intervistë në Flasshqip. Duke njohur prejardhjen tënde, le ta fillojmë me një pyetje rreth qytetit ku ke lindur dhu u rrite. Çfarë është Korça për ty, përveçse vendlindja jote?
Alqi Karanxha: Pikë së pari edhe unë do doja të falenderoj Flasshqip për punën me përkushtim dhe pasion, për të na mbajtur të informuar të gjithë bashkatdhetarët në Kanada dhe më gjerë, nëpërmjet shkrimeve, lajmeve, pasqyrimit të ngjarjeve dhe kontributin ndaj qëllimit të madh për të formuar dhe konsoliduar komunitetin shqiptar jashtë atdheut. Pyetja çfarë është Korça për mua, më vuri në dilemë, sepse mund t’i përgjigjem në dy mënyra. E para se çfarë mendoj për Korçën dhe e dyta, se çfarë ndjej për Korçën. Përgjigjen e gjeta shumë shpejt tek vetja ime: Do të flas se çfarë ndjej për Korçën, sepse duke folur për ndjenjën, nuk ka vend për debat, vëretje, këndvështrim apo përkatesi. Pata kënaqësine të rikthehem për disa ditë në Korçë këtë verë dhe ndjeva ajrin e parajsës së tokës, befasinë e pamjes madhështore të maleve, dashurinë e pafund të miqve, shokëve, mësuesve, sportistëve… Shijova ëmbëlsinë e këmbanave të katedrales, por dhe zërin e hoxhës, ndjeva përkujdesjen e Zotit, muzgun e ëmbël, që si melodi serenate mbulonte qytetin dhe hëna si nënë gëzohej që i kishte bijtë e saj pranë… Ndjeja diellin si një dhuratë mirësie të përditshme që me shoqëronte kudo si udhërrëfyes hyjnor dhe shpirti im nuk ngopej… Ndjeja në mënyre emocionale lidhjen e pashtershme me paraardhësit e mi, me gjyshërit dhe stërgjysherit… të gjithë ndjenin jete… Korça është një dashuri që zjen në zemrën time, që asnjë natyrë tjetër në botë nuk mundet ta ushqejë…
Flasshqip: …dhe çfarë kujton sot më shumë nga fëmijëria, shkolla dhe vitet kur ke jetuar në atdhe deri kohën para emigrimit?
Alqi Karanxha: …Sot ndjej mall për mesuesen time të parë Flora Kutoni dhe mësuesit e 8-vjeçares Eleni Taçi, Roza Gëllçi, Roza Suxho, Dhimitër Vaso e shumë e shumë të tjerë që patëm si edukatorë e udhërrëfyes gjatë atyre viteve. I kujtoj me një ndjenjë nostalgjie të thellë dhe nuk mundem të harroj kujdesin që treguan për të na transmetuar dijen. E konsideroj mësuesen e parë si “kumbara” jonë që na pagezoi të gjithëve me mirësi, dashuri, kujdes dhe mësime që na shoqërojnë gjithë jetën. Kemi qënë të privilegjuar me mësues të tillë në ato kohëra edhe pse jetonim me kufizime. Përsëri dua të theksoj së po përgjigjem për ato që ndjej dhe jo për ato që mendoj. Shpirti fëminor mban mend si e bënë të ndihet pa komplekset e mungesave materiale, me konceptin e mirësisë së shumicës. Ndërsa vitet e fundit para largimit kanë qenë të shëndetshme nga ana e shoqërisë, aktivitetit dhe rritjes profesionale. Mendimi ishte të largoheshim, ndjenja ishte e fortë të qëndronim…
Flasshqip: Përse mendimi ishte të largoheshit, cilat ishin arsyet?
Alqi Karanxha: Si shumë bashkatdhetarë të tjerë, arsyet e largimit fillojnë me dëshirën për të patur një hapësire personale dhe ekonomike, dhe sigurisht për të ecur përpara. Shoqëria shqiptare kishte një bllokim kulturor dhe emocional që të zinte frymen, të kufizonte mendimin, shprehjen dhe të pengonte dëshirën për progres e sukses. Ky lloj bllokimi, më krijoi njëfarë rebelimi në shpirt për të marrë “hak” ndaj kësaj padrejtesie dhe më nxiti të marr vendimin për të emigruar dhe për të zhbllokuar ngërçin personal dhe ekonomik.
Flasshqip: …dhe kur erdhe këtu cilat ishin përshtypjet e para nga Kanadaja, apo vështirësitë që hase në fillim?
Alqi Karanxha: Në Toronto erdha me bashkëshorten dhe na priti vëllai i madh Eugeni. Si shumica prej nesh, kemi ardhur me një valixhe me sendet personale dhe me vendimin për një fillim tjetër. Në fillim tek shtepia e vellait nuk dilja nga tualeti se kujtoja që e kisha bllokuar, sepse nuk e kisha pare me pare ujin te ngrihej në një nivel të lartë. Kisha hall se do më qortonte vëllai e do më thoshte sa erdhe më bllokove tualetin. 😊 Më pas kur e kuptuan që po rrija gjatë në tualet për këtë arsye, filluan të qeshnin të gjithë dhe më shpjeguan që këtu gjërat funksionojnë ndryshe. Si të gjithë, filluam të kërkojmë punë që ditën e dytë që arritëm. Puna e parë që munda të gjej ishte në një kompani që mblidhte mbeturinat në shtëpitë e qytetarëve, e quajtur «Mr. Clean and Garbage Removal». Bashkeshortja, Dona filloi punë në ditën e tretë, në një dyqan buke, ndërkohë që nuk dinte anglisht. Mesuam të thonim një fjali «I understand but I can’t speak», «une kuptoj por nuk mund te flas». Fillimi ishte i vështirë, sepse duhet të stabilizonim anën ekonomike, anën emocionale dhe sociale. Duke patur vëllain afër, ky tranzicion u bë shumë më i lëmuar nga ana e veprimit, por përsëri ishte i vështirë, për sa i takon pritshmërisë dhe realitetit në një vend të ri. Një faktor tjetër që na e bëri fillimin më të lehtë, ishin miqtë dhe shokët me familjet e tyre që sapo kishin ardhur, me të cilët ndanim të njëjtën dhimbje, të njëjtin mall për vendlindjen, të njëjtin kujdes për njëri-tjetrin, të njëjtën ndihmë… ishim një komunitet shumë kompakt dhe i predispozuar në sinqeritet. Dua të përmend në veçanti Armand Dishnicën, me të cilin kemi ardhur së bashku në të njëjtën kohë dhe ta falenderoj për përkrahjen dhe miqësinë gjatë gjithë këtyre viteve.
Flasshqip: Pas 22 vjetësh karrierë në LCBO (The Liquor Control Board of Ontario), ti sot ke arritur në një pozicion menaxherial shumë të rëndësishëm brenda një korporate shtetërore shifra e biznesit të së cilës arrin miliarda dollarë. A mund të tregosh me disa detaje rrugëtimin tënd të integrimit profesional ?
Alqi Karanxha: Siç përmenda dhe më lart e nisa me «Mr Clean Garbage Removal» për dy muajt e parë. Ndërkohë bëja aplikime për punë të ndryshme administrate, duke patur parasysh që kisha një eksperiencë si mësues kompjuteri edhe në shkollën e mesme të Maltës në Korçë (Kolegji Preka) ku punonte një staf shumë i kualifikuar mësuesish. Një nga agjencitë e punësimit, «Adecco», pasi bëra testin e kompjuterit dhe intervistën, më mori në telefon dhe më kërkoi të filloja punë tek LCBO. Unë në atë kohë as nuk e kisha idenë se çfarë ishte LCBO, megjithatë, siç ishim mësuar, pranova menjëherë punën dhe iu thashë që jam i gatshëm. Mbaj mend ditën e parë. U vesha me kemishë dhe ndërkohe që prisja të filloja punë administrate, më futën në një kamion që të shkarkoja kutitë me verë… Në depo kam punuar për rreth tre vjet dhe më pas aplikova për një punë në administratë ku dhe më angazhuan. Në fillim ishte si tabu që nga depoja të shkoje në administratë dhe ambienti i punës nuk ka qenë kaq i larmishëm sa është sot. Në administratë nuk ishte e thjeshtë, por vullneti, përkushtimi dhe puna pa menduar për lodhjen japin rezultat. Në integrimin dhe progresin tim profesional kanë meritë gjithashtu një numër i caktuar profesionistësh që vlerësonin punën, rezultatin dhe respektonin meritokracinë. Në qershor të këtij viti, Drinks Ontario më akordoi Çmimin e partneritetit me komunitetin e biznesit për vitin 2022, një çmim prestigjioz, që i takon nga pak të gjithë njerëzve që më kanë ndihmuar të jem një vetvete më i mirë, si në Shqipëri, ashtu dhe në Kanada.
Flasshqip: Si do ta përshkruaje LCBO për dikë që ka pak, ose aspak dijeni për këtë korporatë gjigande si dhe detyrën që ti ushtron aktualisht…
Alqi Karanxha: LCBO është një kompani me shitje rreth 8 miliardë dollarë në vit. Ka rreth 12,000 mijë punëtorë dhe funksionon si një «shtet» i vogël, ku duhet të kujdesesh për qytetarët e tu, të kesh politika të caktuara të jashtme dhe fiskale, të jesh përgjegjës për buxhetin e caktuar, të kontribuosh për komunitetin, të ndikosh në mirëmbajten e planetit, të vendosësh pritshmëri dhe objektiva biznesi, të kesh përgjegjësi të qarta dhe të mësosh duke ecur përpara. Aktualisht jam Drejtori i Shërbimeve Komerciale, një pozicion i ri me fokus në ndërtimin e marrëdhënieve të biznesit me klientët e shumicës (Wholesale) një detyrë që mbulon rreth 19,000 operatorë, që nga bare dhe restorante, dyqanet e Duty free, porositë e shërbimeve diplomatike, importimin e birrës në formatin e kegeve dhe Shërbimet Speciale, që mundësojnë sjelljen e pijeve alkoolike nga e gjithë bota që nuk janë prezente në sistemin e dyqaneve të LCBO. Ky segment ka shitje mbi 1 miliard dollarë.
Flasshqip: Nisur nga këto që sapo tregove, natyrshëm lind pyetja, sa mundësi ka sektori yt i punës për futjen në tregun kanadez të produkteve shqiptare?
Alqi Karanxha: Produktet shqiptare kanë një mundësi të jashtëzakonshme për të qenë prezent në tregun kanadez dhe të kënaqin konsumatorët e këtushëm. Produktet shqiptare janë konkuruese, megjithatë është vështirë të kesh një përkushtim nga ana a prodhuesve shqiptarë, duke patur parasysh që mënyra e biznesit në Ontario është e ndryshme nga ajo e vendit tonë.
Flasshqip: Alqi, le ta ndërrojmë pas subjektin e bisedës. Ç’mendim ke për shoqërinë kanadeze multikulturore ku jeton prej 22 vjetësh?
Alqi Karanxha: Multikulturalizmi i bën mirë shoqerisë, krijon një unitet në një kulturë të përbashkët, shton variacione jete në kultura të ndryshme, përmirëson performancën e nje kompanie dhe zgjeron klientelën, megjithatë ka dizavantazh gjuhën, tensionin social dhe shkeputjen sociale dhe kulturore nga standardet e kulturës ku je formuar fillimisht.
Flasshqip: Çfarë të pëlqen të bësh më shumë në kohën e lirë dhe cilët janë pasionet e tua jashtë punës?
Alqi Karanxha: Më pëlqen të merrem me sport, muzikë, të kaloj kohën me miq dhe të ndihmoj me sa kam mundësi me gjëra të vogla të larmishme, që ndryshojnë ditën e një njeriu, një familjeje, pse jo dhe një komuniteti…
Flasshqip: Si e vlerëson evoluimin e komunitetit shqiptar në Kanada, bazuar kjo dhe në informacionin që qarkullon prej disa vitesh në media dhe rrjete sociale…
Alqi Karanxha: Multikultura kanadeze ka ndikuar në transformimin e komunitetit shqiptar dhe integrimin në shoqerinë kanadeze të një elementi punëtor, të fokusuar, që ka ndikuar në brezin e dytë të imigranteve, që ky brez të jetë një brez me vetëbesim të lartë dhe me një cilësi dalluese në talent, shkollim dhe përfshirje. Për sa i takon brezit të parë, kemi një transformim hibrid, që suksesin në Kanada e lidhim ngushtë me ngjarjet në Shqipëri, me politikën atje, me dëshiren për t’u kthyer një ditë dhe me pamundësinë për të ndikuar sadopak në sistemin politik dhe shoqëror të vendit tonë.
Flasshqip: Sipas mendimit tënd, Cila mund të jetë forma më e mirë e ruajtjes së identitetit dhe kulturës shqiptare në diasporë?
Alqi Karanxha: Do të thoja identiteti i një qenie njerëzore që gjithmonë shikon te e mira e shumicës, mbajta e premtimeve kur ato bëhen, ndihma ndaj të dobëtit, fjalë pak e punë shumë, siç thonin të parët tanë. Kam idenë që ky do të jetë identiteti më i mirë i yni, sepse këto janë rrënjët e edukimit tonë, që nga e kaluara e largët.
Flasshqip: A i ndjek zhvillimet në Shqipëri dhe si t’u duk ajo (përveç Korçës) gjatë vizitës së fundit?
Alqi Karanxha: I ndjek me pasion zhvillimet në Shqipëri. Gjatë vizitës së fundit u fokusova vetëm në gjërat e mira që vendi ynë të ofron, miqësia, ushqimi i shijshëm, bukuria e natyrës dhe u bëra selektiv që të mos hyja tek hallet e njerëzve, sepse ishte e vështirë t’i dëgjoje, e pamundur t’i ndihmoje në aq pak kohë dhe e vështirë të kuptoje mungesën e një strategjie të mirëfilltë biznesi, punësimi dhe shkollimi. Shkurt, me keqardhje e them, kishte një pandemi mendimi për t’u larguar…
Flasshqip: Diçka tjetër që ke dëshirë ta ndash me lexuesit e Flasshqip…
Alqi Karanxha: Falenderoj stafin e Flasshqip për këtë mundësi komunikimi dhe të gjithë lexuesit e kontribuesit e Flasshqip, për mbështetjen e vazhdueshme që i japin kësaj hapësire të lirë, për të shprehur në gjuhën amtare mendimet tona për një shoqëri më të mirë dhe një të ardhme më të paqme.
Flasshqip: Falemnderit për kohën dhe bisedën e hapur e të sinqertë Alqi. Shëndet, suksese dhe mbarësi në çdo aspekt të urojmë ty dhe familjes tënde dhe të gjithë atyre që na lexojnë !
©Flasshqip.ca
FLASSHQIP beson në mbështetjen e lexuesve. Bashkohu me FlasShqip duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar sipër butonin “donate”. Faleminderit!