Shqiptarët në British Columbia që prej 60 vjetësh
- Nga: Taulant Dedja

Me kryetarin e Eaglesland Albanian Society of British Columbia, Ardian Lagji
Ardian Lagji ka lindur në Durrës. Mbas mbarimit të studimeve në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, Dega “Administrim Busines” ka punuar në Ndërrmarjen e Tregtisë së Jashtme Art-Import-Export si kryetar i Degës së Durrësit deri në vitin 1999 kur emigroi në Vancouver, Kanada sëbashku me familjen.
Ardiani ka punuar fillimisht si Junior Accountant e njëkohësisht vazhdoi studimet pa shkëputje nga puna në British Columbia Institute of Technology dega “Financial Management Program dhe më vonë pas disa viteve pune si ekonomist u shkëput për të hapur biznesin e tij privat për një periudhë 4-vjeçare, gjithnjë duke vazhduar studimet part-time deri në Diplomimin si “Certified Payroll Manager” nga “Payroll Association of Canada”, anëtar i së cilës është qysh nga viti 2006.
Pasi u rikthye në detyra të ndryshme si payroll profesionist, shërbeu si supervizor e manaxher në disa kompani dhe aktualisht që nga viti 2013 mban detyrën e “Regional Payroll and Benefits Manager” for MVT Canadian Bus Inc, një kompani që ushtron aktivitetin e saj kryesisht në Amerikë, por që ka edhe degët e saj aktive në Kanada, kryesisht në Toronto, Newfoundland dhe British Columbia ku janë edhe zyrat qendrore për Kanadanë.
Me krijmin e shoqatës Shqiptare “Eaglesland Society of British Columbia” ka qenë anëtar aktiv duke mbajtur për disa vite detyrën e Financierit dhe nga nëntori i vitit 2016 është zgjedhur si Kryetar i saj.

FlasShqip: A mund të përmblidhet shkurtimisht historiku i prezencës së komunitetit shqiptar në British Columbia dhe veçanërisht në Vancouver?
Ardian Lagji: Shqiptarët e parë në Vancouver, sipas përshkrimeve të vetë atyre që aktualisht janë akoma gjallë dhe jetojnë këtu, janë vendosur në këtë qytet diku nga fundi i viteve 1950 dhe fillimi i vitit 1960. Fillimisht shqiptarët e pakët takoheshin kryesisht në fundjavë nëpër kafene, ndërsa më vonë, takimet ishin të karakterit shoqëror dhe familjar, jo më nëpër locale, por në shtëpitë e njëri-tjetrit, ku shfrytëzoheshin dhe festat familjare apo ato tradicionale shqiptare si Festa e Pavarësisë etj…
Mbledhja e parë për themelimin e shoqatës “Shoqëria Vllazërore Shqiptare e Vancouver”, u mbajt në 25 Qershor 1977, me pjesëmarrjen e 23 personave me të drejtë vote, ku u zgjodh kryesia e parë me 7 anëtarë dhe Gjergj Dobreci kryetar e Zuber Xhaferi sekretar. Kjo shoqatë e zhvilloi veprimtarinë e saj deri në vitin 1998 kur numëronte mbi 62 familje me 139 anëtarë.
FlasShqip: Sa është aktualisht numri i bashkatdhetarëve tanë në British Columbia dhe si mund ta përshkruani ju integrimin e tyre në shoqërinë kanadeze?
Ardian Lagji: Mendohet se në British Columbia jetojnë rreth 3,000 apo diçka më shumë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Numrin më të madh e përbëjnë shqiptarët nga Kosova. Shqiptarët janë të vendosur kryesisht në Lower Mainland, që përbën dhe përqëndrimin më të madh, por ka edhë në Vancouver Island, Kelowna e Kamloops. Lidhur me gjeografinë e origjinës nga Shqipëria dominojnë shqiptarët e Veriut dhe të Shqipërisë së Mesme, por edhe nga Jugu i Shqipërisë ka një tendencë në rritje.
Pa dyshim që këtu ka individë të spikatur e personalitete, ku do të veçoja zotin Bujar Llapaj, dirigjentin e mirënjohur. Ndërmjet tyre ka avokatë e mjekë, profesorë e ekonomistë, inxhinierë e mësues, si dhe shumë biznesmenë të suksesshëm.
FlasShqip: Si është e organizuar shoqata që ju drejtoni?
Ardian Lagji: Shoqata aktuale quhet “Eaglesland Albanian Society of BC” dhe është një shkrirje organike me shoqatën e vjetër, por në një nivel më të lartë përfaqësimi e drejtimi.
Iniciatori i kësaj nisme është Estref Resuli sëbashku me disa anëtarë të tjerë si Edison Heba, Petrit Anamali e të tjerë, të cilët përgatitën Statutin e shoqatës, në bashkëveprim edhe me përfaqësuesit e shoqatës së vjetër. Shoqëria shqiptare Eaglesland e BC është themeluar më 24 Shtator 2006 në qytetin e Burnaby ku u zgjodh dhe kryesia e parë me votim të plotë, të lirë dhe konfidencial pas një seri takimesh dhe konsultash të grupit nismëtar ndërsa me zgjedhjen e kryesisë së re, inkorporimi i Shoqatës është bërë në datën 20 tetor 2006. Kryetari i saj i parë u zgjodh zoti Estref Resuli, për dy mandate rresht. Ai edhe sot vazhdon të jetë shumë aktiv në kryesinë e shoqatës.
Ana pozitive ështe se shoqata e re nuk mohoi iniciativat që kishin filluar nga më të vjetrit dhe ata u bashkuan me shoqatën e re si një e tërë. Duke patur parasysh faktin se ka shumë të ardhur nga viset shqiptare në Kosovë, tendencat për të krijuar një shoqatë të këtyre trevave nuk kanë rezultuar efektive. Gjithsesi në shoqatën tonë ka shumë anëtarë dhe pjesmarrës nga të gjitha trevat shqiptare dhe ata janë prezent në aktivitetet e zhvilluara sipas kalendarit vjetor.
FlasShqip: Cili është misioni i shoqatës dhe si e realizoni ju këtë?
Ardian Lagji: Qysh në krijimin e saj, shoqata i është përkushtuar disa aktiviteteve me fokusin tek mbajtja gjallë e traditave dhe kulturës sonë si dhe transmetimi i këtyre vlerave tek brezi më i ri i lindur këtu ose ardhur në moshë të vogël. Në këtë kuadër, ngritja e shkollës shqipe dhe klubi i fëmijëve që është i angazhuar në aktivetet lokale por edhe ato të organizuara nga shoqata, shërbejnë për të mbajtur gjallë tek më të rinjtë, gjuhën e traditat tona.
FlasShqip: Cilat do të ishin disa nga aktivitetet e zhvilluara prej shoqatës?
Ardian Lagji: Lidhur me veprimtarinë e shoqatës sonë, vlejnë për t’u përmendur disa pika kyçe e aktivitete të zhvilluara:
Organizimi i festës Pavarësisë çdo vit, organizmi i një deri në dy piknikë verorë si dhe festa e 8 Marsit, e cila është kthyer në një traditë për 5 vite rradhazi. Në këto aktivitetete janë ftuar edhe këngëtarë apo instrumentistë nga Shqipëria e Diaspora ku më të spikaturat janë Irma Libohova dhe Mariola Kaçani.

Aktiviteti mbi veprimtarinë e Nënë Terezës në bashkëpunim me Autoritetet e Kishës Katolike në Vancouver si dhe mbrëmja kulturore e organizuar me Orkestrën sinfonike “West Coast” nën drejtimin e dirigjentit shqiptar Bujar Llapaj.
Aktiviteti i quajtur “Besa”, organizuar në bashkëpunim me Shoqatën Izraelite në Kanada/US si dhe Simon Fraser University në lidhje me mbrojtjen që iu bë hebrenjve të shpërngulur gjatë Luftës së dytë botërore e që u strehuan në familjet shqiptare. Krahas kumtesave të paraqitura u promovua edhe një ekspozitë me fotografi nga familjet izraelite dhe shqiptare gjate luftës, por edhe takimi i brezave më vonë.
E rëndësishme ka qenë edhe pritja dhe darka festive e komunitetit me përfaqësuesit e Komitetit Olimpik Shqiptar dhe delegacionin që mori pjesë në Lojrat Olimpike Dimërore në Vankuver në Shkurt të vitit 2010.
Shoqata ka marrë pjesë gjithashtu në Festivalin Europian që zhvillohet në Vancouver, duke promovuar Shqipërinë, traditat e kulturën, turizmin dhe ekonominë.
Në shkurt të këtij viti, nga ana a kryesisë së shoqatës u iniciua një takim në Universitetin Amerikano/Kanadez “Fairleigh Dickinson University, në kuadrin e nismës “Diplomatic Circles” ku ambasadori shqiptar Ermal Muça bëri një ekspoze të njohjes së Shqipërisë në botë dhe foli mbi mundesitë e thithjes së investimeve të huaja në Shqipëri në kuadrin e ndryshimeve ligjore që janë bërë së fundmi.
Pjesëmarrja në aktivitetin multikulturor që organizohet çdo vit në Vancouver në korrik, na ka angazhuar të paraqitemi me një pavion të Shqipërisë turistike dhe promovimin e figurës së heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Një grup nga komuniteti është programuar për 30 minuta shfaqje me këngë e valle nga krahinat tona.
Materiali i organizimit të shoqatës sonë është online dhe mund të na ndiqni në adresën: www.eaglesland.org
FlasShqip: Po bashkëpunimi me shoqatat e tjera në Kanada si paraqitet?
Ardian Lagji: Bashkëpunimi me shoqatat e tjera është në hapat e para. Nga pjesëmarrja në Samitin e Diasporës të mbajtur në Tiranë në Nëntor të vitit 2016 u bë i mundur kontakti me shoqatat e tjera simotra në Europë e Kanada, ku më i spikaturi është kontakti me Shoqatën e Torontos. Kontakte sporadike dhe komunikime kemi edhe me Shoqatën Shqiptare të Seatle në USA.
FlasShqip: Si mendoni, cilat duhet të jenë marrëdhëniet e diasporës me shtetin amë dhe si i shikoni raportet aktuale mes këtyre dy faktorëve shqiptarë? Është hedhur madje dhe ideja e pjesëmarrjes së diasporës në votime … A e ndjeni aktualisht interesimin e dy shteteve shqiptare në Ballkan për emigrantët në Kanada dhe aty ku jeni ju?
Ardian Lagji: Natyrisht që lidhjet me shtetin amë janë një domosdoshmëri dhe fokusi i aktiviteteve tona, por edhe opinion i përgjithshëm është që shteti duhet të bëjë më shumë për Diasporën. A duhet të marrë pjesë diaspora në votime? Përsëri kjo temë besoj se e tejkalon mandatin e shoqatës sonë dhe secili ka mendimin dhe preferencën e vet. Gjithsesi i presim me admirim iniciativat e fundit të qeverisë. Ndoshta me krijimin e Këshillit të Diasporës, ku edhe Kanadaja do përfaqësohet, njohuritë tona do të jenë më të plota në këtë drejtim.
FlasShqip: Para pak kohësh, kryetari i Shoqatës “Iliria” në London të Ontarios, Besnik Rexhvelaj, propozoi publikisht krijimin e “Kongresit Shqiptaro-Kanadez”, forum në të cilin të përfaqësohen të gjitha shoqatat shqiptare për bashkëpunim dhe këmbim eksperience. Si e vlerësoni një ide të tillë? A mendoni që një forum i kësaj natyre mund t’i shërbejë më mirë ruajtjes së identitetit tonë kulturor në vazhdimësi, brenda kuadrit të shoqërisë kanadeze multikulturore?
Ardian Lagji: Organizimi i Kongresit apo Këshillit Shqiptaro-Kanadez, për shkak të shtrirjes gjeografike dhe territorit, mundësive të kufizuara të financimit dhe mungesës së bashkëpunimit midis shoqatave të provincave të ndryshme, praktikisht më duket jo efikas dhe thjesht do të dublojë shoqatat ekzistuese. Koha do ta tregojë në se shoqatat e tjera shqiptare do tregojnë interes dhe do marrin pjesë në këtë forum apo në forume tjera që do krijohen. Personalisht mendoj se është një ide e parakohëshme, pasi kërkon konsolidimin e shoqatave përkatëse dhe një shkallë bashkëpunimi tradicional që mund të çojë në mënyrë normale drejt një forumi të përbashkët.
©FlasShqip.ca












