Profil & Intervista

Spartak Tili: arti sa ç’është global, është edhe kombëtar

Nga: Taulant Dedja

Bisedë në Toronto me kompozitorin “Mjeshtër i madh”                                    

Kush është Spartak Tili?

Kompozitori Spartak Tili ka lindur në qytetin e Korçës në vitin 1948, në një familje artdashësish. Nëna e tij, Jorgjia, ka qenë njëra ndër 3-4 aktoret e para femra me trupën e Teatrit të qytetit. Në vitin 1955, sapo u hap Shkolla e muzikës, ai regjistrohet aty nxënës në klasën e parë për piano dhe pas 7 vitesh shkon te studjojë në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në degët piano dhe teoritik deri më 1966. Më pas, kalon 2 vjet mësues në Skrapar dhe 3 vite shërbim ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë si korist dhe pianist. Periudha 1971-1976 do ta gjejë atë në Institutin e Lartë të Arteve ku dhe diplomohet në Degën Kompozicion nën drejtimin e të mirënjohurit Feim Ibrahimi. Pas studimeve të larta, nis aktivitetin si redaktor i krijimtarisë muzikore në RTSH ku me pas emërohet në detyrën e Shefit dhe të Udheheqesit artistik, detyrë që e mbajti për rreth 18 vjet.      

Spartak Tili ka qenë pjesëmarrës në koncertet e Majit prej vitit 1976 me krijimtari nga kënga, koralet, përpunimet, muzikë vallesh etj. Pjesëmarrës si autor këngësh në 20 festivale të RTSH dhe Koncertet e Pranverës, ai është gjithashtu krijues i shumë veprave orkestrale, simfonike, koncertale e instrumentale, të intepretuara nga solistë apo nga Orkestra e Radio Televizionit e orkestra të tjera. Ka shkruar edhe muzikë filmash vizatimorë dhe artistikë. 

Tranzicioni e gjen në Athinë të Greqisë ku megjithë vështirësitë nuk u shkëput nga aktiviteti artistik dhe krijimi. Në 2008 kthehet në Shqipëri ku edhe jeton aktualisht me bashkëshorten Anthulla, këngëtare dhe kritike e muzikës. Pas daljes në pension, Spartak Tili tani e ndan kohën mes Tiranës dhe Athinës, ndërsa në Toronto, ku jetojnë dhe punojnë dy djemtë e tij, ka ardhur në vizitë. Për kontributin e tij në vite si drejtues dhe krijimtarinë e tij të pasur, ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i madh”. Prezenca e tij këtu na bëri të mundur dhe realizimin e bisedës.

FlasShqip: Keni drejtuar për shume vjet një sektor të rëndesishëm në RTSH. Çfarë ju ka mbetur më shumë në mendje nga mënyra se si bëhej arti përpara viteve 1990 në kushtet e një shoqërie të mbyllur?

Spartak Tili: Mendoj se pavarësisht kushteve të një shoqerie të mbyllur, artistët e të gjitha llojeve të arteve, përveçse plotësonin me krijime “detyrën” të themi ndaj platformës së asaj kohe, arrinin megjithatë të realizonin me formimin dhe ndjeshmerinë e tyre, kush më shumë e kush më pak, idetë dhe gustot e tyre. Duhet të kemi parasysh se në çdo kohe nuk është vetëm sistemi që imponon, por edhe standarti i përgjithshëm njerëzor i një vendi.

Para viteve 90-të, pavarësisht sistemit që i shërbehej dhe nga artistët, kishte një program vjetor të realizueshëm dhe të menduar në funksion të krijimtarisë kombëtare. Pas viteve 90-të kam ndjesinë se u kuptua gabim “Globalizmi” … A mund të thuhet, siç dëgjova rastësisht të thotë një këngëtare se nuk ka shumë rëndësi të jetë muzika kombëtare, se tani qenkemi në Globalizem? Mendoj se është gabim. Edhe në kushtet e sotme, arti sa ç’është global, është edhe kombëtar.

Mund të shtoj edhe një gjë tjetër lidhur më këtë pyetje duke bërë një krahasim.  Para viteve 90-të, ndonëse nuk kishte menaxherë të mirëfilltë, kishte drejtues të interesuar nga institucionet përkatëse që nuk të linin në rehati. Gjithmonë ishe i ngacmuar në se po krijoje diçka. Madje, për autorë të mirëfilltë vepra muzikore hynte në proces përgatitje nga trupat artistike edhe kur ishte e papërfunduar. Mos ishte i gabuar ky vlerësim për ata që kompozonin me përkushtim asokohe? Mendoj që jo. Pas viteve 90-të, dirigjentët dhe drejtorët artistikë të Operas apo RTSH, kanë preferuar për fat të keq që 90% e repertorit të orkestrave të jetë i huaj. Ka humbur krejt balanca dhe shkohet deri atje sa disa prej tyre shprehen edhe se nuk mund të ndërtohen programe koncertale me vepra shqiptare, sepse qenkërkan shumë të dobëta. Atyre në fakt u duhet bërë një pyetje. Po ju vetë ç’nivel keni?                                                                            

FlasShqip: Si i vlerësoni festivalet e këngës në RTSH dhe nivelin e këngës   shqiptare të para 1990 në raport me këngët e sotme? Krijimtaria e sotme në fushën e këngës a ka mbetur po aq “shqiptare” sa në kohën kur ju keni drejtuat festivalet?

Spartak Tili: Diçka shpreha më lart në këtë drejtim. Ndonëse nën një trysni orientimi, pjesa më e madhe e muzikantëve të para 90-tës bënin përpjekje dhe realizonin një këngë të bukur, kombëtare dhe të pëlqyeshme nga ana artistike. Po të ishin mbështetur që në fillim të tranzicionit muzikantët më të suksesshëm të asaj periudhe, do të ishte bëre i mundur edhe kapercimi i disa problemeve të vogla që manifestonte kenga jonë si rezultat i propagandës së sistemit të kaluar.  

Kushtet ishin shumë të favorshme në prag të ndryshimit të sistemit. Kënga shqiptare kishte një 15 vjeçar që po merrte gjithnjë e më shumë elemente të reja në formë, ritëm, melodi e permbajtje. Interpretimi i këngëtarëve gjithashtu po pësonte transformime duke u bërë më i lirshëm. E njëjta gjë për hapat e pamohueshme në drejtim të orkestracioneve dhe të prezantimit, skenografisë, veshjeve të këngëtarëve dhe orkestrës si dhe të paraqitjes në përgjithësi të festivalit. Kishin dale grupet e para shumë të pëlqyeshme me djem dhe vajza të reja profesionistë. Shumë syresh u larguan. Në një lloj mënyre u zbuan. Kush i zboi? Realiteti tregoi që këtë e realizuan disa që u interesonte të përfitonin materialisht duke shfrytëzuar ambiciet por edhe pasurinë e disa të tjerëve që ndonëse nuk e meritonin atë skenë, paguanin me prindërit dhe me kë mundeshin, paguanin “zotëruesit” e muzikës shqiptare të kohës së tranzicionit të cilët pa turp pretendonin dhe shpreheshin se kjo muzikë e filloi lulëzimin e saj pas viteve 90-të. Kënga shqiptare pësoi goditje të vërtetë në tranzicion. Le të mbledhin 100 këngë të ketyre viteve e ti krahasojnë me 100 këngët e shekullit. Në Festivalin e fundvitit 2017 duket se ka nisur një ndryshim për mirë, sidomos me këngën fituese të tij. Le të shpresojmë!                                                                            

FlasShqip: Dhe së fundi një mendim per trashëgiminë muzikore shqiptare nga Shekulli XX dhe per “Shkollën   shqiptare” qe ka nxjerrë plot emra krijuesish … 

Spartak Tili: Ne gabimisht jemi shprehur të imponuar sigurisht nga sistemi, që pas vitit 1944 filloi përparimi i vendit. Une mendoj se kjo është e pavërtetë. Sigurisht që ne ishim një vend i varfer dhe i drobitur nga lufta, por nuk mungonin njerëzit e përgatitur në të gjitha fushat, përfshi dhe muzikantë të shkolluar jashtë, qe i kishin aftësitë të drejtonin sektorë të ndryshëm drejt përparimit.   

Në vitet 50-të e 60-të, ju shtuan emrave të kohës së Mbretërise si Kristo Kono, Abdulla Grimci, Pjetër Dungu, Prenk Jakova dhe plot emra të tjerë si Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Nikolla Zoraqi, Pjetër Gaci, Fehim Ibrahimi, Kozma Lara, Limoz Dizdari etj. apo më vonë Thoma Gaqi, Kujtim Laro, Aleksandër Peçi apo Hajg Zaharian etj. Ata na kanë lënë një pasuri të madhe me krijimtarinë e tyre. Ata bënë hapa të mrekullueshëm në drejtim të profesionalizmit, cilësisë, formave si dhe ngjyrës kombëtare në muzikën shqiptare. Po kështu, duhet thënë se u krijuan kushtet për funksionimin e shkollës shqiptare në muzikë, sidomos me hapjen e Konservatorit në Tiranë. Shumë prej muzikantëve të dalë nga “Shkolla shqiptare” kanë një karrierë shumë të suksesshme jashtë vendit. Pra trashëgimia jonë muzikore është shumë e vyer. Por sot, pak bëhet për njohjen e saj nga publiku i gjerë. Por le ta vazhdojmë në një bisedë tjetër këtë pjesë …

@FlasShqip.ca