Profil & Intervista

Kur Edlira Çini hap thesarin e kujtimeve

Intervistoi: Jeta Dedja

Kur flet me Edlira Çinin të ndryshon humori, për mirë sigurisht. Eda ka një tip rrezatues, impulsiv, nxehet shpejt kur has një padrejtësi, shprehet me një çiltërsi të nivelit të rrallë, sa ndonjëherë dikujt që ka qejf taktikën e “të rënit nga Kina” mund edhe të mos i pëlqejë. Eda nuk di të shtiret, dhe nëse e bën dallohet menjëherë. Ajo ka një shpirt të bukur, e dashuruar me jetën, artin, pikturën, muzikën poezinë, detin, diellin. E nxitur prej të gjitha këtyre tipareve, por veçanërisht për historitë e jetës së saj pata kuriozitetin ta pyes Edën gjerë e gjatë, dhe sa shumë janë lënë pa u thënë e shkruar akoma…


J.D. Eda e ke parasysh atë modelin shqiptar të socializimit, kur një e moshuar për shembull takon një të re dhe e pyet “Po e kujt je moj bijë, nga të kemi?
Le ta nisim shqiptarçe këtë bisedë. Nga je dhe e kujt je?

E.Ç. Hahaha…Me origjinë jam nga Durrësi, ku edhe kam jetuar deri në moshën 16-vjeçare, por jam rritur nga familje delviniotësh. Jam adoptuar në moshën 9 muajshe nga Meshan Çini. Mamaja biologjike më vdiq kur isha 3 muajshe dhe babai im, i mbetur i ve me 3 fëmijë, u martua me mbesën e Meshanit. Kam 5 motra e vëllezër me të cilët jam shumë e lidhur dhe ua ndjej mungesën çdo ditë.

J.D. Si ka qenë fëmijëria e vajzës së Meshan Çinit, gruas që ka hyrë në histori për stoicizmin e saj dhe besnikërinë?

E.Ç. Në një kohë të vështirë, me shumë privime dhe shumë pak mundësira, falë Meshanit (nënës të vetme që unë njoh) dhe të gjithë familjes së saj, unë kam pasur një fëmijëri tepër të bukur dhe të kompletuar. Jam rritur me pekule. Meshani u bë nënë në moshën 45-vjeçare. Mbas shumë vitesh vuajtjeje nga persekutimet e regjimit të atëhershëm, ajo realizoi edhe pse jo në mënyrë biologjike, ëndrrën e çdo femre. Për herë të parë u thirr nënë. E palejuar për të pasur një shtëpi apo pasaportizim ku jetonin të afërmit e saj, ajo jetonte e pa-rregjistruar me familjen e motrës. E theksoj “e pa-rregjistruar” sepse sa herë vinte dita e votimeve, mami fshihej në dollap për të mos u zbuluar nga këshilli që jetonte atje. 

J.D. Imagjinoj sa të vështirë e kanë patur të gjithë për të jetuar kështu në fshehtësi. Më fol pak për familjen e motrës së Meshanit.

E.Ç. Familja e motrës, Firdesit ishte sa fisnike në prejardhje, aq edhe në zemër. Firdesi dhe bashkëshorti i saj Xhaferr Shehu, i cili kur jam adoptuar unë ndodhej në burg, kishin sakrifikuar lirinë dhe të ardhmen e fëmijëve për të strehuar Meshanin. Xhaferr Shehu, një inxhinier i super kualifikuar, kish mbaruar shkollën në Itali. Ishte ndër të parët që thau kënetat si atë të Maliqit e disa të tjera. Punëtor i palodhur që njihej dhe respektohej për integritetin e tij. Gjithsesi, ai u arrestua sepse refuzoi të nxirrte nga shtëpia kunatën e tij Meshanin.  Në mos gaboj, gjyshi (Xhaferri) u lirua rreth viteve '81-'82.  

J.D. Çfarë mban mend nga lirimi i gjyshit tënd?

E.Ç. E mbaj mend si sot natën kur ai erdhi në shtëpi. Në Shkozet ku jetonim, vuanim gjithmonë nga mungesa e elektricitetit. Por dhe kur kish drita, tensioni ishte i ulët. Ajo natë mu duk dhe më e errët dhe e frikshme edhe pse prisnim me padurim ardhjen e gjyshit për të cilin kishim dëgjuar aq shumë. Ai, ndryshe nga çfarë e kisha parashikuar, erdhi i kërrusur me një gjysëm buzëqeshje si të turpshme në fytyrë. Ndërsa ne të gjithë edhe pse tepër të gëzuar në zemër, kishim frikë ta shprehnim. Më dukej sikur i dëgjoja të qeshurat e harenë, me duart e vëna në vesh. Çdo gjë më dukej e mbytur si drita e asaj nate. Por ditët kalonin dhe trupi i gjyshit u drejtua.  

J.D. Ma përshkruaj pak si ishte?

E.Ç. Ishte mashkulli më me sqimë që kam njohur. Ai ndryshe nga meshkujt e tjerë shqiptarë për mirëmbajtjen e të cilëve merreshin gratë, ishte indipendent dhe tepër i kujdesshëm, duke filluar nga krehja e flokëve, e mustaqeve të holla e duke mbaruar te këpucët që i shkëlqenin si pasqyrë.

J.D. Po gruan e tij, Firdesin si e shihje?

E.Ç. Firdesin unë e shikoja si një gjyshe model në të gjitha drejtimet. Ajo shquhej për shumë gjëra. Krahas bukurisë, kishte dhe shumë autoritet. Respektohej jo vetëm nga fëmijët e saj por të gjithë ata që e njihnin. Edhe pse ishte një femër "sallonesh" unë e mbaj mend sa duke gatuar gjellë e ëmbëlsira që ende si kam provuar nga dikush tjetër, duke larë rrobat në govatën aq të njohur nga gratë shqiptare, duke pritur mysafirë pa fund. Shpesh dhe njerëz që si njihnim fare të cilët kishin nevojë të "bujtnin" për një natë. Dhe kur dilnin me mamin, shndërroheshin në dy femra model. Të krehura bukur, me këpucë me taka, me pardesy me topa që ishin të ardhura nga Australia dhe askush tjetër në Shqipëri si kishte të ngjashme.

J.D. Ke qenë një vajzë e vogël e rrethuar me tre njerëz të jashtëzakonshëm. Çfarë ke mësuar prej tyre në fëmijëri?

E.Ç. Gjyshja na mblidhte darkave rreth vetes dhe na mësonte si të qëndisnim, si të shtronim tavolinën me picetat e kthyera ne lule e zogj, si të qepnim, të gatuanim. Mami na tregonte historitë dhe këngët e thurura për babain dhe gjyshin e saj. Na mësonte modele flokësh e na këshillonte ne vajzave se si të mos dilnim asnjëherë pa u krehur bukur e pa u veshur me gusto, qoftë edhe për të blerë bukën. Mamanë time deri në moshën 88-vjeçare s’e kam parë të dalë nga dhoma pa lyer buzët e pa vënë perlat në qafë. Ndërsa gjyshi përveçse na ndihmonte në matematikë, kaligrafi e vizatim teknik, na tregonte përralla me aq mjeshtëri sa ne e shikonim si të hipnotizuar dhe kur mbaronte i luteshim një zëri "edhe një gjyshi edhe një". Por historinë që tregonte më me pasion ishte lidhja me nënë Firdesin. Ai nuk tutej t'ja shprehte dashurinë në çdo moment edhe pse të dy i kishin kaluar të 70-at. Nuk ndjehem me fat vetëm për dashurinë që mora prej tyre, por për edukatën, për rregullat, respektin, "nikoqirllëkun", krenarinë, e për atë fëmijëri të bukur e të veçantë që unë e kujtoj me shumë nostalgji po aq sa kujtoj çdo skutë të atij apartamenti me dy dhoma e një kuzhinë.  

J.D. Pse, çfarë kishte ai apartament që kujtesa ta ruan çdo cep të tij?

E.Ç. Kur e mendoj tani më vjen të qaj dhe të qesh. Në orenditë e tij gjeje dy epoka. Atë të komunizmit me mindere, bufe të thjeshtë, (sigurisht jo ato 11 mijë lekshet, se ne hynim te shtresa e varfër), dhe dollapet uniforme. Ndërsa epokën ku mamaja me familje jetonin në saraje e gjeje te llampadari prej sermi sipër bufesë së rrënuar, te sixhadeja persiane që kish përfunduar në derë për të fshirë këmbët, te kolltuku me perçina që hapej e bëhej krevat dhe rrinte krenar përbri minderit të sajuar, të mangalli i shndritshëm prej bakri që shikonte me përçmim sobën me tubat e ciflosur nga varaku, te perdet tyl me rrudha të shumta që s’i kisha parë në asnjë shtëpi tjetër, te albumet e bukura me fotot e hershme ku dalloheshin veshjet si të dalë nga katalogë mode franceze. Këto foto ruheshin me delikatesë nga letra kalk dhe ju kishin shpëtuar pa dashur sekuestrimeve. Apartamenti ynë ishte një paradoks i vërtet. Por në atë paradoks, ishte një thesar i tërë. Thesar jo monetar. Por thesar vlerash e kujtimesh.

J.D. Dhe nga apartamenti i paradokseve që mbetet një kujtim, sot je në Kanada. Si ndodhi që erdhe këtu?

E.Ç. Në shkurt të 1991 mami vendosi të largohemi nga Shqipëria për një jetë më të mirë. Meshan Çini ishte grua guximtare dhe e vendosur. Edhe pse kishte bërë 11 vjet burg për politikë, ajo qëndronte e pamposhtur përpara sfidave. Në Shqipëri kish filluar tranzicioni. Kemi kaluar të dyja kufirin, dhe kemi shkuar në Greqi. Kanadaja u bë zgjedhja jonë, sepse mami kishte të vëllain këtu në Toronto, Duro Çinin, të arratisur prej 45 vitesh dhe me të cilin nuk ish parë po për aq vjet. Mbas 2 vjet e gjysëm në Greqi për procesin e sponsorizimit, në qershor të 93-it mbërritëm në Kanada. Takimi në aeroport ishte i dhimbshëm. Mami, mbas një aksidenti të bërë në Greqi ku një mikrobus e përplasi 10 metra tej, kish thyer këmbën dhe ecte e ndihmuar nga një “walker”. Ndërsa daja që vuante nga shumë sëmundje, shtyhej nga kushëriri me karrocë.  Edhe ky ishte nga ato momentet e gdhendura përjetë në memorje.

J.D. Moment i fortë emocional duhet të ketë qenë. Ç’përshtypje krijove për Kanadanë në ditët e para?

E.Ç. Në krahasim me bukuritë natyrore dhe veçanërisht detin e Shqipërisë por edhe të Greqisë ku unë u mësova për 2 vjet, Kanadaja më dukej një vend i ftohtë dhe i zymtë që nuk më jepte aspak kënaqësi. Daja jetonte në katin ndoshta të 20-të, të një pallati gjigant që mua më dukej sikur kish prekur qiellin. Unë mbyllesha në dhomë ku vetëm lexoja, shkruaja dhe dëgjoja muzikë. Një ditë, teksa isha shtrirë në krevat dhe po lexoja, fytyra e një djali të lidhur me litar në majë të dritares më tmerroi. U shtanga dhe s’po lëvizja. Jam e sigurtë që dhe fryma më kish ndalur. Pas disa sekondash pash një shkop druri në dorën e tij që si përfundim e kuptova ishte xhama-larësi. Isha dhe e trembur dhe më vinte të qeshja. Por shfletova librin dhe u hoqa sikur s’kish ndodhur asgjë. Ditët nuk më shtyheshin. Kënaqësinë e vetme e ndjeja natën kur dilja në ballkon. Daja jetonte në High park dhe nga ballkoni shikoja hënën që reflektonte në liqen. Atje rrija me orë të tëra. Shkruaja poezi dhe i ankohesha ditarit, mikut të vetëm që kisha ato muaj të parë.

J.D. Fakti që kishit dikë të afërt në Kanada, jua lehtësoi ndoshta sistemimin ?

E.Ç. Në kohën kur erdhëm këtu, vendi po kalonte një krizë të fortë ekonomike kështu që natyra dhe koha nuk ishin të vetmet aspekte që më shqetësonin. Mbi të gjitha, 4 muaj mbas ardhjes tonë, daja ndërroi jetë. Por fatmirësisht djali i djalit të tezes time Muzak Golja, kish ardhur në Kanada 2 vjet përpara meje. Ne jemi rritur bashkë dhe duhemi si motër e vëlla. Kështu që ai dhe bashkëshortja e tij Ardiana (me të cilën unë u lidha shumë shpejt dhe kemi mbetur po ashtu dhe sot), me dashurinë dhe kujdesin që tregonin më ofronin çka më mungonte nga familja që kisha lënë në shqipëri. Ne u afruam me shtëpi pranë tyre. Çdo minutë të kohës së lirë e kalonim bashkë. Kjo gjë më sillte shumë kënaqësi. Po këtu gjeta dhe djalin e dajes, Hajro Çinin, i cili më udhëzoi se çfarë duhej të bëja për të vazhduar shkollën, më çonte në biblioteka dhe më ndihmoi për të gjetur punën e parë (qëruese patatesh). Ishte fillimi i një jete të re, mbushur me sakrifica, lodhje e pasiguri por me shkëndija shprese dhe pozitiviteti. Dalëngadalë filloi integrimi.    

J.D. Po ndërkohë të mungonte jeta e mëparshme?

E.Ç. Sigurisht motrat, vëllezërit, familja dhe shoqëria e shkollës. Por në mënyrë të veçantë më mungonte shkolla. Fillimisht më duhej të punoja për të suportuar mamin dhe veten dhe përveçse ESL-it, nuk mund të shkoja në shkollë full time. Lëndohesha më tepër kur në punë ju shërbeja moshatarëve të mi studentë. Por s’kaloi shumë kohë dhe fillova gjimnazin ku e kisha ndërprerë në Shqipëri. Më pas kolegjin dhe punoja me kohë të plotë mbasditeve. Në shkollë, dhe jashtë saj, u njoha me miq e shoqe shumë të mira me të cilat kemi kaluar momentet e bukura e të vështira.

motrat dhe vellezerit
                   Motrat dhe vëllezërit

J.D. Çdo të thotë shoqe e mirë për ty?

E.Ç. Shoqja e mirë të pranon për çfarë je. Preket, ankohet, nxehet, ndodh dhe të distancohet për periudha të shkurtra, por mjafton që shoqëria të jetë e sinqertë dhe kapërcehet çdo pengesë e keqkuptim. Shoqja e mirë gëzohet për arritjet e tua dhe ndan hidhërimet me ty. Të mbron te të tjerët dhe të kritikon në sy. Te një shoqe e mirë, ti mund të jesh tërësisht vetvetja. Ajo shumë lehtë bëhet terapia më e dobishme në çaste të vështira.

J.D. Nëse dikush të pyet për jetën në Toronto dhe nëse ia vlejti të emigroje në Kanada çfarë do t’i thoje?

E.Ç. Kanadaja është një vend i bekuar, i paqtë. Vend oportunitetesh. Nuk jam penduar për asnjë çast që jam këtu. E falenderoj zotin dhe mamin që e bëri sakrificën për mua. Edhe pse gjithmonë mundohemi për më mirë, jam e kënaqur me ç'kemi arritur. Kanë kaluar 27 vjet që kur kam ardhur këtu. Çdo gjë ka ndryshuar. Vështirësitë të forcojnë dhë të bëjnë më mirënjohëse. E dashuroj jetën dhe gjithçka që më ka sjellë; familjen që kam krijuar, arritjet personale, shoqërinë. Nuk do të ndërroja asgjë që kam. 

J.D. Më fol pak për fëmijët e tu, Albi dhe Claudio?

E.Ç. Aha, pika e dobët e çdo prindi. Fëmijët e mi janë 15 vjeç. Dy djem binjak dhe krejt ndryshe nga sho-shoqi. Njëri është impulsiv, i qeshur, me temperament dhe shumë punëtor. Kuzhinier i shkëlqyer. Tjetri është i qetë, tepër inteligjent, i dëgjueshëm, por nëse do të kishte mundësinë të zgjidhte, do të ishte paksa dembel. Kanë disa muaj që sëbashku me bashkëshortin, ka filluar shkollën e aviacionit.

J.D. Djemtë kanë lindur në Toronto. Sa shqiptarë ndihen ata?

E.Ç. Njëri pak më shumë se tjetri. I vogli (15' diferencë) është tepër patriot. E mbush dhomën me flamuj Shqipërie e Kosove. Flet dhe shkruan shqip, shikon programe televizive shqiptare dhe kohët e fundit sa herë hipim në makin, na vë këngën satirike me çifteli të koronës. Na ka deklaruar që me pushime do të shkoj vetëm në Shqipëri. Ndërsa i madhi, nuk është aq i dedikuar, por komunikimi në shqip është i detyrueshëm në familjen tonë dhe shpesh shohim sëbashku filma shqiptarë që ata të kenë një ide nga e kaluara jonë. Kemi vizituar Shqipërinë disa herë dhe kjo i ka lidhur dhe më tepër. Por edukimi për vendin e origjinës bëhet edhe më i lehtë kur fëmijët rriten me gjyshër. Unë kam patur mamin deri para tre vjetësh kur ajo ndërroi jetë. Dhe 8 vitet e fundit jam shumë e lumtur që kam dhe prindërit e bashkëshortit të cilët vazhdojnë misionin.

J.D. Tani më thuaj disa gjëra mbi jetën profesionale këtu?

E.Ç. Fillimisht, si shumë emigrantë të ardhur në vitet 90-të por jo vetëm, kam punuar në punë të rëndomta si në coffee shops, kam shërbyer por dhe manaxhuar në restorant ku u njoha dhe me Edvinin (bashkëshortin) të cilin fillimisht këmbëgula te pronari ta hiqte nga puna. 

J.D. Prit prit, para se të më thuash çfarë pune bën aktualisht më shpjego pak pse doje ta largoje Edvinin ?

E.Ç. Se kishte tangërllëk të madh dhe i thashë bossit "ky njeri mund të bëhet edhe president një ditë, por kamarier vështirë". Por meqënëse nuk ja arrita qëllimit, vendosa të martohem me të. Ndërkohë prej 17 vitesh punoj menaxhere në Bankë. Në të njëjtën kohë menaxhoj familjarisht kompanitë tona: “Ace Accounting” (accounting services), Ace Holdings (apartment rental services), dhe jemi në procesin e hapjes të kompanisë të re “Ace Air”. Mendoj se aftësia ime më e fortë është "leadership" dhe ndjehem e kënaqur me çka kontribuoj dhe çka më ofron ky pozicion. Por suksesin e vërtet e kërkoj më tepër te respekti që krijojmë në shoqëri, dhe te gjurmët që lëmë në jetën e atyre që prekim me sjelljen, dashurinë dhe ndihmën që ofrojmë.

J.D. Ke marrë pjesë para një jave në ekspozitën online në FlasShqip me dy piktura. Kur i dërgove, më befasove. Thashë me vete, po Eda, ç’lidhje ka me pikturën?

E.Ç. Hahaha…Absolutisht asnjë lidhje. Kam qenë nga ato studente që nuk dija as të vizatoja. I bëja një shoku detyrat e matematikës, që të më bënte vizatimet. Jam një tip që më tremb pasiviteti. Gjithmonë dua të bëj diçka. Të mësoj diçka të re. Para disa vitesh, i çova fëmijët dhe bashkëshortin një javë te gjyshërit në Shqipëri për t’i bërë surprizë vjehrrës për 60-vjetorin. Kështu për të mbushur kohën vetëm vendosa të provoja të pikturoja. Fillimisht ishte dështim. Por isha e vendosur të shkoja më tej. Nga piktura e 3-4 fillova t'ja marr paksa dorën. Jeta që merrte telajo nga ngjyrat më mahniste. Por gjithsesi nuk e rendis pikturën te arritjet e mija. Çdo 6 muaj dua të mësoj një "profesion" të ri si për shembull piano, parukeri, make-up artist, pastiçiere, këngëtare, poete, moderatore, fotografe etj. Me pak fjalë unë jam si ajo shprehja "jack of all trades, master of none". 

J.D. Ku e sheh veten pas ca vitesh?

E.Ç. Jetojmë në një periudhë të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme. Nëse deri dje isha më e sigurtë dhe kisha një ide të qartë për të ardhmen, sot nuk ndjehem plotësisht ashtu. Gjithsesi nuk shqetësohem aspak. Roy T. Bennet thotë "if you want to be happy, do not dwell in the past, do not worry about the future, focus on living fully in the present". Dhe unë për momentin po bëj pikërisht këtë.

J.D. Faleminderit Eda që nuk kurseve të ndash me mua dhe lexuesit e FlasShqip detaje nga jeta jote. Vlerësoj veçanërisht sinqeritetin në përshkrimin e rrugës së sakrificave e vështirësive, por dhe të mirave që ke përjetuar gjatë jetës fillimisht si vajza e Meshan Çinit e më tej si adoleshente dhe një vajzë e re emigrante në Greqi dhe Kanada në përpjekje për t’ia dalë mbanë në dhé të huaj e për t’u bërë Edlira Çini, një figurë e kompletuar gruaje, nëne, bashkëshorteje, mikeje, aktivisteje në komunitet e profesionisteje e vlerësuar në një nga bankat më të mëdha në Kanada.

E.Ç. Faleminderit Jeta për intervistën dhe për rubrikat e herëpashershme që ofroni në Flas Shqip.

8 Qershor 2020

©FlaSShqip.ca