Profil & Intervista

Rapi Sota: E kemi një Shqipëri të vogël në Montreal

Nga: Taulant Dedja

Rapi Sota, ish-mësuesi nga Fieri, prej 15 vjetësh në Kanada, myzeqari që nuk e ka humbur asnjë ditë pasionin për pikturën, është sot i ftuari i radhës në Flasshqip, në rubrikën Profil&Intervistë. Optimist nga natyra dhe gjithmonë i qeshur, baba i tre fëmijëve dhe bashkëshort i përkushtuar, prej 5 vitesh ai drejton një nga qendrat më të rëndësishme komunitare të Bashkisë Montreal, në zonën Côte-des-Neiges, ku jetojnë me dhjetëra komunitete kulturore. Njëherazi, ai është dhe kontribues aktiv dhe pjesë e grupit të artistëve shqiptarë të mbledhur rreth galerisë tashmë të mirënjohur “Ambigu” në metropolin frankofon.

Flasshqip: Një rrëfim a bisedë e tillë sigurisht që nuk mund të mos nisë me vendlindjen dhe familjen, atje ku buron identiteti i secilit prej nesh… ku “na ka rënur koka” e ku u rritëm…

Rapi Sota: Kam lindur e jam rritur në Fier. Tek zona që njihet si ish-blloku i pjeshkëve, anës Gjanicës, Semanit e Vjosës, fushave të Libofshës e kanaleve të Ndërmënasit, kodrave të Pojanit e të Ardenicës. U rrita herë me kallama e grepa, e herë me furça e telajo në duar, por dhe shumë herë të tjera me kazëm e lopatë për punë bujqësore. Myzeqeja, hambari i Shqipërise, kishte nevojë dhe për krahët e mi. Jam djali i vetëm, biri i shumëdëshiruar i babait e i nënës e vellai i tri motrave. Artist në shpirt e mesues në gjak. Babai im thoshte gjithmone “mësuesi është i deleguari i Zotit”. Donte e uronte shumë që unë të bëhesha mësues si nëna dhe tri motrat e mia. Dhe ashtu u bë.

Flasshqip: Nëse do të listoje gjërat më të rëndësishmë për ty nga vitet e adoleshencës cilat janë ato…

Rapi Sota: Nuk mund të mos përmend të parin pasionin tim të hershëm për pikturën e më tej për dokumentarët “Bota rreth nesh”, muzikën, peshkimin e gjahun dhe sigurisht shahun e bilardon, që vazhdojnë të jenë pjesë e jetës sime në kohën e lirë…

Flasshqip: …dhe si u plotësua dëshira e babait që ti të bëheshe mësues?

Rapi Sota: Fillimisht kreva studimet në degën pikture të Shkollës së Mesme Artistike “Jakov Xoxa” në Fier. Më pas, studimet larta për mesues i gjuhëve të huaja, i përfundova në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Në qytetin simbol të arsimit, ku u hap “Normalja” dikur, pata jo vetëm fatin të realizoj dëshirën e babait, sigurisht edhe timen, por edhe të njihem e të dashurohem me bashkëshorten time që është dhe nëna e mrekullueshme e tre fëmijëve tanë...  

Flasshqip: Të ndalemi pak tek historia jote e emigrimit… ai ishte e lehtë të merrej vendimi për shkak të disa arsyeve specifike, të cilat shpesh në këtej i kujtojmë apo ndajmë me njeri-tjetrin…

Rapi Sota: Sigurisht ishte një vendim i motivuar dhe i marrë pa hezitim. Historia e emigrimit e periudhës postkomuniste është histori e përbashkët për gjithë popullin shqiptar. Historia e kaq viteve tranzicion politik, ekonomik e kulturor tregon se pothuaj çdo shqiptar e ka një histori emigrimi personale, familjare apo shoqërore. Djem e vajza që largohen për një jetë ndryshe, një jetë të pavarur ku çdo ëndërr mund të bëhet realitet, një jetë të re larg paragjykimeve dhe mendësive të vjetra. Prindër që kërkojnë një edukim cilësor të fëmijëve të tyre, një shërbim shëndetësor të besueshëm e një shoqëri humane me të drejta e detyrime civile të barabarta për të gjithë. Larg padrejtësive, dallavereve e sëmundjeve të njëmijë e një veseve shqiptare që ishin pjellë e injorancës në pushtet dhe parasë së fituar majtas-djathtas. Si mijëra të tjerë, në kërkim të një shteti e një shoqërie që ofron stabilitet e siguri, edhe unë, këtu e 15 vite më parë fillova planet për t’u larguar bashkë me familjen, për të ikur diku… larg e më larg “xhunglës”, ku i madhi ha të voglin e i forti i bie të dobëtit... me shpresën se do gjeja një vend ku do mund të punoja e të jetoja i lumtur me punën time, me nder e drejtësi. E kështu, e lashë pas mësuesinë, nxënësit e kolegët e Shkollës Bujqësore “Rakip Kryeziu”, për të nisur një jetë të re, mijëra kilometra larg, përtej oqeanit e përtej botës së vjetër… Pas vendimit për të lidhur jetën me njeri-tjetrin, pa diskutim ka qenë vendimi më i mirë në jetë për mua dhe bashkëshorten time.

Flasshqip: Si tu duk Kanadaja në fillim Rapi, ashtu si e kishe menduar?

Rapi Sota: Sipas asaj që gjykoj e mendoj sot, Kanadaja është si puna e atij katalogut 3-D që ofron gjithçka dhe për të gjithë. Ndaj, shiko mirë shpatullat e xhepin para se të zgjedhësh. Por në fakt, ne shqiptarëve na mesoi një gjë të mirë varfëria e komunizmit - shtriji këmbët sa ke jorganin - shprehje që i vete për shtat dhe të ftohtit të vendit këtu. Kështu që, siç pohova më lart, sot jemi të bindur që bëmë zgjedhjet e duhura në kohën e duhur, zgjedhje të cilat na ndihmuan ta përballonim tranzicionin shpejt, falë edhe shokëve e miqve që na mbështetën. Sigurisht, patëm dhe një avantazh shumë të madh sepse kur erdhëm e morëm diellin me vete. 😊  

Flasshqip: … dhe sot si do ta përshkruaje shoqërinë kanadeze…

Rapi Sota: Shoqëri e lirë, paqësore, demokratike, sociale e gjithëpërfshirëse. Këto janë fjalët kyçe që mendoj se i takojnë dhe më takojnë t’i them me mirënjohje.

Flasshqip: Le të përpiqemi të hyjmë pak më shumë në detaje, për të ndarë kësisoj me ata që na lexojnë eksperiencën tënde të integrimit. 

Rapi Sota: Kanadaja na hapi porten por nuk na premtoi asgjë. Na dha nga një kupë me fleur de lys dhe na tha: “Bienvenus, à vous de remplir votre vie!” Fillimisht, ashtu si shumë të tjerë, ndoqa kurset e integrimit që ofron ministria e Emigracionit, për të thelluar njohjen e frengjishtes si dhe për të kuptuar si funksionon shoqëria dhe sistemi. E nisa me punë te paguara e punë vullnetare (kjo e dyta këtu vlerësohet shumë si eksperiencë dhe kontribut), herë ditën e herë natën, me dëshirë e me pahir, për të arritur më pas (falë edhe hapësirës së krijuar nga një mik i çmuar shqiptar por edhe dashamirësisë së një drejtuesi kanadez, të cilëve u mbetëm mirënjohës përjetë) të emërohem në pozicionin e agent d’accueil në Qendrën e Burimeve Komunitare të Côte-des-Neiges në Montreal. Pas 5 viteve, me vendim të bordit administrativ u caktova drejtor i qendrës, pozicion të cilin vazhdoj ta ushtroj aktualisht. Në të njejtën kohë jam edhe anëtar bordi drejtues për disa organizma të tjerë komunitarë që operojnë në këtë institucion që i përket Bashkisë së Montrealit Qendra ofron shërbime për komunitetin dhe emigrantët e rinj (si unë dikur) në fusha të ndryshme, edukimi, argëtimi, integrimi, sociale etj.

Flasshqip: Çfarë të ka falur më shumë kënaqësi gjatë këtyre viteve në Kanada?

Rapi Sota: Të gjitha arritjet në jetë të falin kënaqësi; si të voglat - rutinat e perditshme (la réussite du quotidien) e të mëdhatë - arritjet e familjes, të fëmijëve, arritjet profesionale. Por edhe të mirat materiale falë punës me vullnet e sakrifica janë kenaqësi më vete. Të ngasësh një makinë të re që gjithmonë e ke dashur, apo të kesh një shtëpi me kopësht e me pishinë (standard normal për Kanadanë). Gjithsesi, më të fuqishme e kuptimplotë janë kënaqesitë emocionale dhe shpirtërore që më ofron familja ime. Qershia mbi tortë e familjes Sota, është vajza e vogël që më ka bërë baba, për herë të tretë, pas ardhjes në Kanada.

Flasshqip: Duket pra që kjo eksperincë emigrimi në raport me arritjet familjare të ka mbushur vërtetë shpirtërisht. Po me shoqërinë, të afërmit apo atdheun, janë forcuar apo dobësuar lidhjet?

Rapi Sota: Sigurisht në sfidën me të ftohtin, kilometrat pa fund, frengjishten e anglishten, të folurit e të shkruarit, mentalitetin e frankofonëve apo anglofonëve apo komuniteteve të tjerë që komunikojmë çdo ditë, familja ka qenë, është dhe mbetet e para. Pastaj shoqëria që na gjendet këtu e më pas familja e çka kemi e na duan në Shqipëri. Ca lidhje forcohen, ca të tjera dobësohen… ç’te bëjmë… s’mundemi të kemi gjithçka…

Flasshqip: A ruan ndonjë send që të kujton Shqipërinë në shtëpinë tënde?

Rapi Sota: Patjetër që ruajmë simbole të shumëdashura, të zgjedhura nga fëmijët e nga ne: flamuri kombëtar, Skenderbeu bust, libra, peisazhe në pikturë e në alabastër nga qytete të dashura si Fieri, Vlora, Berati, Elbasani, e shumë e shumë foto të natyrës së mrekullueshme shqiptare, detit e maleve, foto të bëra gjatë pushimeve në atdhe.

Flasshqip: Po Shqipërinë aktuale si do ta vlerësoje?

Rapi Sota: Për Shqipërinë aktuale pak kam të them, pasi u bënë tashmë tre vjet që nuk shkoj dhe është njësoj sikur të flas për një realitet që nuk e njoh e nuk e jetoj nga afër. Më shumë analiza për progres apo regres u takon të bëjnë atyre që jetojnë atje. Çfarë thuhet nëpër media sigurisht që duhet dëgjuar dhe vlerësuar… Të mos flasim për zgjedhjet e fundit që personalisht më kanë zhgenjyer së tepërmi. Uroj me gjithë zemër që situate të ndryshojë, megjithëse gjasat nuk të bëjnë aspak optimist. Përjashtimi i diasporës nga e drejta për të votuar mbetet gjithashtu një zhgënjim i madh, jo vetëm për mua…

Flasshqip: Në Montreal jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh. Sa ndihet Rapi Sota pjesë e këtij komuniteti sot?

Rapi Sota: Sipas mundësive të kohës, kontaktit e këmbimeve me bashkëatdhetarët, them që shqiptarët vazhdojnë të ruajnë gjallërinë e gëzimin për jetën. E kemi një Shqipëri të vogël në Montreal. Mblidhemi për gëzime familjare e festa kombëtare, e gëzojmë plot hare me njeri-tjetrin me këngët e vallet e bukura në shqip. Në fillim i ngremë dollitë me raki rrushi, pastaj me verën e SAQ; pjatë të parë kemi mishin e pjekur, pastaj salmonin e smokemeat e bacon 😊 Jemi  njerëz të thjeshtë,  që pavarësisht halleve të jetës së emigrantit, dimrit të gjatë e borës me pashë, e gjejmë kohën të mblidhemi me miq e të pimë nje ekspres, të flasim në shqip për lajmet e të rejat e politikës në Shqipëri, për thashetheme të reja e të vjetra, të pimë një birrë a të bëjmë një dorë bilardo, të psonisim perime  tek “Adonis” apo “Murelatos”. Sigurisht ka dhe ditë të veçanta. Në evenimentet artistike dhe ekspozitat në pikturë që organizon galeria “Ambigu” ka një pjesëmarrje të konsiderueshme të komunitetit shqiptar i cili tregon interes dhe vleresime të sinqerta në menyrë të vazhdueshme për punën e grupit të artistëve shqiptarë (pjesë e të cilit jam edhe unë).

Flasshqip: Megjithë sa tregove më lart, në përgjithësi vihet re që fëmijët e emigrantëve që lindin në emigracion humbin pak nga pak gjuhën dhe traditat e vendit nga vijnë prindërit. Ç’mendon për këtë?

Rapi Sota: Është e vërtetë.  Faktorët janë të ndryshëm, nuk i paragjykoj, megjithatë edukimi gjuhësor dhe kulturor në shqip duhet të jetë një prioritet për të gjithë prindërit shqiptarë. Nuk ka justifikim para identitetit dhe origjinës. Nuk ka të ardhme pa të tashme, nuk ka të tashme pa të shkuar. Prej këtij postulati, buron jo vetëm detyrimi moral, patriotik prinderor, por edhe prezenca dhe efikasiteti i shkollës shqipe, shoqatave kombëtare si dhe roli i ambasadës që na përfaqëson.

Flasshqip: Sipas teje, a duhet të asimilohen shqiptarët në kulturën e vendit që i mirëpret?

Rapi Sota: Absolutisht që po. Shqiptarët e kanë treguar ngado ku kanë ngulur këmbet e rrënjët nëpër kontinente e shtete të ndryshme, që janë njerëz me ambicie e kërkesa. Bëjnë sakrifica për t’u integruar sa më parë e sa më mirë, suportojnë shkollimin e fëmijëve, madje janë komunitet që synon gjithashtu të sigurojë edhe cilësi të lartë jetese. Shqiptarët e duan punën, familjen, jetën sociale dhe i thonë jo asistencës ekonomike, lëmoshës e jetës parazitare.

Flasshqip: Duke të falenderuar për bisedën e çiltër, të përgëzoj sinqerisht për gjithçka ke arritur me punë e sakrifica ashtu si shumë të tjerë bashkatdhetarë tanët. Paç shëndet e suksese të mëtejshme familjarisht!

Rapi Sota: Falemnderit për intervistën dhe mundësinë që na jep Flasshqip që të komunikojmë e të lexojmë akoma dhe më shumë në të bukurën gjuhë shqipe. Shëndet e suksese të metejshme dhe ju!

©Flasshqip.ca