Kulturë

Letërsia si hapësirë lirie - Nga Behar Gjoka

  • Published in Kulturë

Vetëm të bashkosh fjalët në vargje apo strofa, qoftë edhe me ritëm të hapur melodik, ose me ritmikë të brendshme, jo gjithmonë është poezi, sepse vargënimi dhe poezia, nuk takohen kaq shpesh, as në letërsinë botërore, por as në letrat shqipe. Mos e harroni kurrë, o njerëz të shtrenjtë, poezia është perëndesha e fjalës, e cila ka vënë në sprovë dijen njerëzore, e njëherit ka mbajtur gjallë ëndrrën e mbijetesës së qenies. Po ashtu, të lidhësh ngjarjet, varg e vistër, në vetën e parë, të dytë apo të tretë, apo duke i gërshetuar ato, ende nuk është prozë, sepse magjia e prozës fle vetëmse te rrëfimi, pra jo kurrësesi te sasia e ngjarjeve dhe informacionit, që përmblidhet në faqet e një tregimi apo romani.

E rrëfimi, ose “poetika e prozës”, siç e pati formuluar më parë T. Todorov, në shkrimin e prozës, është magji, është tingëllima e jetës, është prani e shpirtit të qenies. Ndërkaq, në një pikëpamje tjetër, për të hyrë në marrëdhënie reale me prozëshkrimin, të rrëfesh është sikur kuvendimi në një odë, ku fjala e rrëfyeme/e kallxume, mbyt çdo zhurmë tjetër dhe, të rrëmben në fluturimin e fjalës, nëpër qiejtë e mendjes dhe zemrës. Po ashtu, të vendosësh, pranë e pranë njerëz të ndryshëm që madje bisedojnë shlirshëm, mbase krejt në hava të vetë, nuk kemi mbërritur ende te dramaturgjia, që zakonisht përçon për te njeriu, sidomos kolizionin dramatik, e mbi të gjitha skicon karakteret, ku veprimi dhe fjala, sidomos këto të dyja, shqiptojnë magjinë e qenies njerëzore.

Pra, të sillesh si poet, prozator ose dramaturg, siç ngjet rëndom në anët tona, jo vetëm këtyre kohëve, ndërkaq jo përherë do të thotë se je në letërsi, se ia ke mbërritur të lësh gjurmë dhe shenja estetike, të cilat e lënë pas kohën shkrimore. Madje, rrallë, fort rrallë edhe ngjet që të jesh avitur sadopak në qiellin letrar, të pranisë së shenjave estetike, që e kapërcejnë kohën e shkrimit, por edhe vetë autorin, si një fat që i përket tekstit, teksa udhëton në kohë dhe hapësirë. Megjithatë, letërsia është një gjë tjetër, është andërr dhe zgjandërr, është një mashtrim i bukur, si me thënë është një parajsë, në të cilën arratisesh sa herë të duash, madje edhe vetëm, ku si rregull i pashkruar, askush nuk ka mundësi që ta dijë se është gjeni, e aq më pak se ka shkruar një kryevepër.

Ana tjetër e medaljes së ekzistencës së letrares, madje po kaq e vlertë sa materia kreative, pra e qëndrimit ndaj letërsisë, së paku në letrat shqipe, paraqitet edhe më e mjerë se ata, që bëjnë sikur shkruajnë letërsi, veçmas me ata që sillen si gjeni pa pupla, pra që është rrafshi i të menduarit mbi letërsinë, si shkrim kritik, eseistik apo studimor, kinse të menduarit zyrtar akademik dhe me gjerë se sa kaq. Vetë termi letërsi, pavarësisht kohës së gjatë të ekzistencës, kur formulohet nga vetë shkrimtarët, bart një shenjë të shtuar, më të pranshme me tekstin letrar, që e zgjeron klimën e komunikimit me materien letrare, pavarësisht kohës dhe hapësirës.

Kështu Ernesto Sabato, në librin “Shkrimtari dhe fantazmat e tij”, ndër të tjera nënvizon: Letërsia e rëndësishme është diçka e tillë si e kundërta e botës së përditshme, sepse krijimi është në shumë aspekte një akt antagonik i ngjashëm me ëndrrën, një përpjekje për të krijuar një realitet tjetër, pikërisht nga pakënaqësia ndaj atij që na rrethon. (2015: 43), e cila dukshëm shqipton një gjendje të përveçme, gati magjike, të situimit të realitetit letrar. Pra, në këtë aspekt, jo më pak të vlertë se sa vetë kreativja, e cila gjithsesi mbetet e para, e cila mishërohet në tekstet me poezi, prozë apo dramatikë, sendërgjimi i shenjave letrare, me gjasë zbulimi i tyre, në secilin tekst, faktikisht paraqiten disa situata jo pak të ndërlikuara, të cilat pasi të njihen, duhen dialoguar, për të hyrë në marrëdhënien me realitetin e teksteve, e po kaq me pritshmëritë e kritikës dhe studimeve letrare:

Së pari: Në studimet letrare ende mbizotëron thelbësisht ideja paradoksale, sidomos në mjediset e “mendimtarëve” mendjembyllur, kryesisht të mjediseve të burokracisë letrare, kulturore dhe akademike, se marrja me letërsinë, të menduarit dhe shqyrtimi i saj, njohja dhe vlerësimi i faktologjisë letrare, pavarësisht kohës dhe hapësirës, është konceptuar dhe përjetohet, më tepër si çështje punësimi dhe emërimi, gradimi me tituj dhe me detyra të larta, pra si një darovi e mirëfilltë administrative, e niveleve të burokracisë kulturore dhe letrare, në thelbin e vetë përfaqësues, një tipologji e qartë jashtëletrare.

Së dyti: Shkencërimi absurd, që më tepër ngjan me fluturimet pindarike, ku filologë të zotë, shkruajnë për letërsinë, e prof. dr. e letërsisë bëjnë tekste mësimore për gjuhën, një rrëmujë që nuk ka se ku të rrijë, sepse shkalla e njohjes, për secilën anë, tashmë është e ndarë, janë dy fusha specifike, të cilat ndonëse gjenden në të njëjtën hapësirë teksti, tashmë janë fusha të përveçme të kërkimit shkencor. Nuk diskutohet që edhe filologët, janë lexues të letërsisë, por kontributi i tyre, ka kuptim të veçantë për zbërthimin e vlerave gjuhësore, të niveleve leksikografike, pra të asaj që quhet stilistika gjuhësore, që në studimet e letërsisë shqipe, në studimet e gjuhës shqipes, është pothuajse e palëvruar, pas viteve ’90, duke lënë një hapësirë boshe, për hetimin e shenjave gjuhësore. Po ashtu, edhe mësimdhënësit e letërsisë, nuk diskutohet që e njohin gjuhën, por teksti mësimor, në lëmin e gjuhës, kërkon dije shkencore të mirëfillta, po kaq edhe hartim të një teksti me parametra didaktikë shkencorë, të grupmoshës së caktuar. Pra, të dish atë që ke lidhje rastësore, të mos interpretosh atë për të cilën je specializuar, është tipike një shpërfaqje e dukurisë së analfabetizmit funksional, në mjediset tona, të insitucioneve të shkencës dhe kulturës shqiptare.

Së treti: Prodhimi letrar, i kësaj kohe, pra edhe i letërsisë së shkruar në shekullin e njëzet e një, pra ajo që sugjerohet të emërtohet si letërsi e sotme shqipe, nuk shihet si njësi më vete e një sistemi letrar të shqipes, por matet, gjykohet dhe paragjykohet, duke e matur me letërsinë e mëparshme, ndonëse ajo kohë, në shumicën e vet mishëroi dhe shpalli modelin e Realizmit Socialist. Pra, njëherit duke bartur edhe mendësinë e gjykimit me parametrat e socrealizmit, duke bërë gjithçka që ta lënë anash, në shpërfillje të plotë, në mënyrë të veçantë, Letërsinë e Sotme Shqipe, që përbën në fakt një realitet autorësh dhe tekstesh, që më e pakta duhen lexuar, dhe pa vonesë do të duhet që të hipotekohen në ngrehinën e letrave shqipe, si dëshmi e vlerave të letërsisë shqipe, të kësaj kohe.

Së katërti: Në një pikëpamje më të gjerë, letërsia e sotme shqipe, ndërkaq është vlerësuar me shumë çmime, madje edhe pa asnjë doganë, nga të gjitha anët, që kanë dhe nuk kanë lidhje me letërsinë, sa tashmë pothujase është krijuar një marrëdhënie fiktive, se letërsia e shekullit të njëzet e një, më tepër është letërsi çmimesh, duke e lënë kështu në marrëdhënie me vetveten, këtë hark kohor të letërsisë, me shumë gjasa si një ishull mjeran, pra si pa asnjë lidhje organike me letrat shqipe, gjithkohore dhe gjithhapësinore. Një proces i ndërlikuar, pa krijuar shansin e komunikimit, me lexuesin e përbotshëm, me ndonjë përjashtim të rrallë, duke realizuar në ndonjë përzgjedhje rastësore dhe klanore.

Madje, në këtë nahinë tonë, ku duket sikur “lulëzon” me tepri letërsia, si dhe mjafton të jesh mësimdhënës, sidomos i universiteteve, dhe vetiu përmbush kriteret e ndarësve të çmimeve letrare, në të gjithë spektrin e tyre, sidomos të kontrollit (të mosverifikimit të vlerave), të lamit të letrave, e veçmas të të menduarit mbi të. Madje, këta “mendimtarë” didaskalikë, sapo kanë ndarë çmimet e radhës, sidomos ato vjetore të Ministrisë së Kulturës, kur je mësimdhënës lëshohesh me revan, pa u tharë mirë boja e çmimeve, se nuk ka letërsi shqipe, duke patur në mendjen, letërsinë e sotme, jo letërsinë e Realizmit Socialist. Le pastaj po qe se je Dr. , anipse pa libra, i ke të përmbushura të gjitha kriteret dhe madje të garantuara premisat me qenë "prokuror" dhe "gjykatës" i mendimit ndryshe, ose i alternativave të tjera, të verifikimit dhe interpretimit të letërsisë, që bazohen te teksti dhe vetëm te teksti letrar, duke sugjeruar kështu përjashtimin e secilit mendim që nuk ka vulën zyrtare, të akademizmit mësimdhënës, gjë që do të thotë se ende nuk jemi çliruar nga mendësia e Realizmit Socialist, ose me shumë gjasa, ka ngjarë përmbysja e kredhjes, tashmë në situatën e realizmit demokratik.

Në “Shqipërinë” e letrave, ku mjafton të kesh "rregulluar" letrat si dr. dhe prof. si rruga e vetme që të mundesh me hy në radhët e ekspertëve të analafabetizmit funksional, e veçanërisht të kesh shkruar parathënie apo pasthënie (për Kadarenë, ose të paktën të kesh dalë në foto me të), e në këtë mënyrë i ke udhët dhe shtigjet të hapura, që të emërohesh poet, prozator ose edhe përkthyes i madh dhe gjenial. Apo të kesh marrë pjesë në Seminaret e Prishtinës, veprimtari e përvitshme, sidomos të kontrollosh se kush “meriton” dhe kush jo, të jetë pjesëmarrës, të shëtisë nga Fusha e Mullenjave, vetëmse të kanë caktuar detyrën “përzgjedhëse”, pra një detyrë e mirëfilltë administrative. Por të shkosh sërish, aty ku zakonisht kryejnë peligrinazhin e radhës çiftet e lodhura nga palumturia, dhe menjëherë ke përmbushur kushtet me qenë gjykatës (jo i kushtetueses se ajo do rri e mbyllur, edhe për ca kohë), po i letërsisë dhe mendimit shqyrtues mbi tekstet/ligjërimin.

Ledheve të letërsisë, sidomos këtyre moteve, më shumë si aspekt punësimi, ia kanë mësy edhe ndoca akademikë dhe dr. të lëmit të filologjisë, të cilët pasi kanë lëruar, gjerë e gjatë, mbase deri në mjerim atë, tashmë si rishtar në letërsi, duke qenë në zanafillë të interpretimeve, më tepër dëshmojnë modelin e papërsosur të analfabetizmit funksional, sepse fusha e filologjisë ka nevojë më shumë për ata, se sa letërsia, e cila sidoqë të vijë puna, ka lexuesit e shumtë dhe të garantuar. Duke harruar se jemi në udhëtimin e vlerës shpirtërore letrare, e cila nga B. Kroçe, shumë herët e ka parë kështu mërrëdhënien e pazakontë, unike në shqiptimin e vet: …atë mënyrë njohje që e dallon poetin, i cili atë që nuk e di e sheh në lëvizjen dhe në jetën që është karakteristike për të; atë që s’e gjykon dot, po e ndjen, e mbyll, ashtu të mistershme e të dridhshme, në qartësinë e fjalës. (1998: 65, te libri “Poezi antike dhe moderne”).

Të jetuarit si shkrimtar, poet a prozator, përkthyes ose kritik, apo të punësohesh në punët e letrave, vetëmsa e fut në skllavëri letërsinë, gjë që nuk ka gjasa që të ndodhë përjetësisht, me shenjat letrare, që përçojnë shumëgnjyrësinë. Të jetuarit si i punësuar në letërsi, e skllavëron leximin dhe lexuesit dhe përgjithësisht marrëzitë e shkrimit dhe të akademizmit të zyrtarshëm, merren si vlerë dhe shqyrtim, duke e atrofizuar kështu dhe duke e lënë në vend numro kështu mendimin mbi letërsinë. Letërsia edhe pse e marrë peng nga marrëzia e padijes, po kaq e dijes së analfabetizmit funksional, sado vonë, dikur do të fluturojë larg marrëzisë, e do të mbërrijë te lexuesi, mendjehapur në gjithherët e leximit të letërsisë, artit të fjalës. Letërsia, është hapësirë lirie, përmasë e pamatë fluturimi për në qiejtë e pamatshëm, madje dhe për vetë skllevërit injorantë, e po kaq të vetëshpallurit akademikë të gjithëdijes, që gjithsesi marrin pak oksigjen aty.

Letërsia e mirë, letërsia e vërtetë, letërsia si shenjë estetike, në të gjitha rastet e shporr skllavërinë dhe terrin që kaplon jetën e qenies. Lidhur ngushtë më lirinë, si liri letrare, pra si shenjë dhe ligjërim, është edhe sugjerimi jetik për letraren, i Roland Barthes, që gjendet te libri “Aventura Semiologjike”, kur qartësisht nënvizonte: … teksti qysh tash është bërë dhe lexuar në atë mënyrë që në të, në të gjitha nivelet, autori mungon…(2008: 47), si një pohim, që zgjeron hapësirat e komunikimit me tekstin, ndëmjetës në mes autorit dhe lexuesit, por edhe të vetmin element që kapërcen kohën dhe hapësirën, duke shtegtuar në pambarimësi, në leximin dhe shijimin e tekstit letrar. Të shkruash letërsi, nuk është aspak e lehtë, madje për mua është si të udhëtosh në ferr, në kërkim të parajsës, që shkon te lexuesi, në gjithkohësi dhe gjithhapësi. Po kaq të shkruash për letërsinë, mbetet po kaq e vështirë, por më tepër është përgjegjësi, morale dhe qytetare, sepse ke dy mundësi, ta vrasësh andrrën, ose ta "shpjegosh" atë aq sa mundesh, madje ta lexosh dhe zbulosh si shenjë estetike, kur letërsia, në lexim dhe rilexim, vetëmsa zbulohet.

Drita e letërsisë e mund terrin e diktatorëve e jo më skllevërit e mëhallave dhe klaneve të ramdorësave të letrave shqipe, situatë që të kujton momentin kur gomari ia fërkon gomarit dhe gomaricës, e pastaj gomarica ia fërkon gomarit. Letërsia, në kuptimin figurativ, përpos të tjerash, është qielli ku secili kryen fluturimin e vet, megjithatë pa mbërritur që ta pushtojë gjithë hapësirën…

©Behar Gjoka