Një studim hungarez mbi kohën kur shpallej pavarësia - Nga Përparim Kabo
Përparim Kabo
Sa herë që afrohen festat e Nëntorit, ka një lloj entuziazmi, duket sikur pathosi atdhetar gjallohet, por pak ose shumë pak dalin në dritë dokumente te reja, ofrohen studime komplekse apo sillen qasje që deri dje ishin pak të njohura. Studiuesi hungarez Krisztián Csaplár-Degovics, akademik, kur analizon pragshpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në studimin e tij merret gjerësisht me aspektin ushtarak si dhe me segmentin kohor tejet të ngarkuar 1908-1912.
Ai analizon, p.sh. se çfarë ndodhi në ushtrinë perandorake, pse dezertuan ushtarakët shqiptarë, si ishte e armatosur ajo ushtri dhe si u zhvilluan ngjarjet e luftrave ballkanike. Jam i mendimit se duhet tejkaluar qasja rrëfenjëse se kryengritësit shqiptarë luftuan me trimëri dhe sakrifikuan, në beteja ranë kaq dhe aq... ky lloj emocioni është për fëmijët. Në shkencë duhet të kemi të dhëna dhe analiza komplekse. Studimi i akademikut hungarez titullohet: "Pavarësia e Shqipërisë dhe marrëdhëniet Otomane-Shqiptare në vitet 1912-1913." Po shkëpus një fragment nga punimi i tij, e citoj:
“Shqiptarët në ushtrinë perandorake...
Nga njësitë e nizamëve profesionistë, që ishin në garnizonet në trevat shqiptare, vetëm pak ishin të përbëra nga ushtarë etnikë shqiptarë. Këto njësi, të ngjashme me trupat e rekrutuar të redifëve dhe organizuar mbi baza territoriale dhe të përbëra ekskluzivisht nga shqiptarët, nuk kishte marrë pjesë në stërvitje të rregullta dhe efikase ushtarake dhe nuk ishin të armatosura mirë me armë dhe municione.
Si pasojë e kryengritjeve shqiptare ndërmjet viteve 1910 dhe 1912 dhe të dezertimeve të panumërta nga ushtria osmane, oficerët dhe ushtarët shqiptarë u rrethuan nga mosbesimi i dukshëm midis trupave perandorake. Për të mbrojtur veten dhe të detyruar nga ndryshimet në kushtet e përgjithshme në të cilat ndodhej ushtria, këta oficerë filluan të organizojnë grupe sekrete. Një nga këta grupe ishte “Lidhja e Oficerëve Shqiptarë”. Objektivi më i rëndësishëm i Lidhjes ishte për të rrëzuar ministrin osman të Luftës, Mahmud Şevket Pasha, i cili mbahet si përgjegjës për të gjitha problemet brenda ushtrisë perandorake. Për shkak të ambicieve të ngjashme të organizatave të tjera sekrete ushtarake, ministri dha dorëheqjen më 10 Korrik 1912.
Mobilizimi i përgjithshëm, i urdhëruar nga komanda e lartë osmane, u krye në njësitë administrative të populluara kryesisht nga shqiptarë nga data 23 Shtator deri në Tetor të vitit 1912. Megjithatë, shqiptarët e vilajetit të Kosovës nuk ishin të gatshëm të bashkoheshin me rishfrytëzimin e tyre në ushtrinë Osmane. Ata dukeshin të gatshëm për të luftuar në të njëjtën kohë edhe në vilajetin e Manastirit, edhe pse jo në ushtri, por në trupa të parregullta. Ishte Esat Pashë Toptani, i cili ia doli dhe ngriti trupat vendase të rigrupoheshin në Shqipërinë e Mesme. Ai mobilizoi më shumë se 10.000 burra dhe i udhëhoqi ata në Shkodër. Në total, ushtria perandorake duhet të ketë pasur rreth 70.000 ushtarë në detyrë në Tetor të vitit 1912 (si njësi nizam dhe redif). Numri i parregullt i trupave, të përbëra nga shqiptarët, nuk dihet. Mungojnë informacionet për rolin bashkëkohor të shqiptarëve në ushtri.
“Teza e tradhëtisë” e formuluar nga xhonturqit dhe e kryer nga shqiptarët ndaj ushtrisë Otomane, bazohet në faktin se ushtarët shqiptarë vazhduan të dezertojnë nga osmanët, ndarje në masë kjo përgjatë Luftës së Parë Ballkanike. Burimet arkivore të Austro-Hungarisë fuqishëm sugjerojnë, për shembull, se ushtarët shqiptarë, të shtyrë nga motive të panjohura, dezertuan prej njësive të tyre gjatë betejave të Kumanovës dhe Manastirit në momente kritike. Megjithatë është e paimagjinueshme që ushtarët shqiptarë të ushtrisë perandorake, duke u vendosur në atdheun e tyre, nuk rezistuan me të gjitha forcat kundër pushtuesve.
Në një nga burimet ekzistuese bashkëkohore ësht shkruar për një oficer turk me identitet osman. Ahmad Hamdi ishte oficer artilerie në Luftën e Parë Ballkanike. Në vitet e fundit para luftës Hamdiu kishte refuzuar të angazhohej politikisht, gjithçka e kishte gjykuar nga pikëpamja e ushtarake. Sipas Hamdiut vetë arsyet e disfatës ushtarake ishin armatimi i pazhvilluar i ushtrisë perandorake, mungesa e stërvitjeve dhe manovrave dhe rënia e moralit ushtarak. Në librin e tij oficeri turk mori anën e oficerëve dhe ushtarëve shqiptarë. Ai kritikoi politikat e qeverisë së xhonturqve midis viteve 1908 dhe 1912, për shembull operacionet brutale çarmatosëse duke dhënë një sërë shembujsh, për të hedhur keshtu poshtë pikëpamjet për shqiptarët si frikacakë në ndeshjet ndaj ushtrisë serbe, e pajisur me artileri moderne dhe të ardhura, me ushtarë të organizuar, të stërvitur dhe të motivuar mirë.
Divizionet perandorake, shkruan Hamdiu, thjesht nuk kishin asnjë shans. Nga 1500 ushtarët e batalionit të Gjilanit vetëm 15 burra i shpëtuan betejës së Kumanovës. Nga sa më sipër rezulton se krahas ushtrisë perandorake edhe trupat e parregullta shqiptare gjithashtu rezultuan të paafta për të bërë rezistencë. Vetëm fiset shqiptare të Lumës mundën t'u rezistonin me sukses njësiteve malazeze dhe serbe, sepse ata luftuan në kushte shumë të favorshme gjeografike. Isa Boletini dhe Bajram Curri më të njohurit komandantë të trupave të parregullta kosovare, i kushtuan të gjitha përpjekjet e tyre për të shpëtuar njerëzit e tyre dhe për t'u tërhequr drejt brigjeve të Shqipërisë në një luftë të vazhdueshme dhe të ashpër. Ata duhej të luftonin në të gjitha qytetet dhe kalatë në rrugën e tyre nga Kosova në Adriatik, por pushtimi i shpejtë nga ushtritë pushtuese, të ndjekura nga një plan i mirëpërgatitur operacionesh ushtarake, nuk u dhanë atyre kohë për të organizuar një rezistencë efektive. Ishte Mitrovica ku Boletini filloi të luftonte. Njësitë serbe sulmuan më 18 Tetor 1912, por pas një muaji njerëzit e tij u kthyen në Vlorë..."