Histori

Asdreni, një nga mëtonjësit e parë të barazisë sociale në Shqipëri - Nga Dorian Koçi

Herët, që gjatë shtypit të Rilindjes Kombëtare, kish patur një debat të gjerë mbi barazinë politike të shtetasve në shtetin e ardhshëm shqiptar, ku natyrisht nuk kishin munguar dhe tonet e ashpra. Një nga më të ashprit ishte poeti Asdreni i cili në artikullin e vet “Dy fjalë për Aristokracinë” botuar në Albania theksonte se:

“Nëse Shqipëria ishte duke fituar pavarësinë e saj... ajo mundet dhe të mos e fitonte këtë, nëqoftëse të gjithë shqiptarët nuk kanë për të gëzuar të gjitha të drejtat e tyre; dhe nëse duam të ndjekim idetë e mëdha: barazi, vëllazëri, liri - atëherë ç’nevojë ka kombi të ndahet në shkallë, me zotërinj dhe skllevër? Shqiptarët duhet të jenë të barabartë midis ligjit. Titujt duhen të hiqen... Apo mos vallë besoni se aristokracia duhet të urdhërojë dhe atëherë siç bën tani?” (Skëndi, 2000:175).

Ky paragraf shpesh herë është komentuar edhe si parim i luftës së klasave nga historiografia komuniste, por dhe nga historianë shqiptarë në perëndim (shih Skëndi Stavro, Zgjimi Kombëtar Shqiptar, Tiranë, dhjetor 2000), në të vërtetë pasqyron një realitet të hidhur që ishte mbizotërues në Shqipëri në atë kohë. Asdreni jetonte dhe punonte në Rumani, e cila ishte një monarki dhe asgjëkund tjetër nuk gjenden shkrime që të jetë kundër aristokracisë në përgjithësi, por mendimi i tij i drejtohej pikërisht kundër arbritaritetit me të cilin kishte qeverisur aristokracia shqiptare përgjatë periudhës otomane. Klasa drejtuese e ajanëve myslimanë shqiptarë shpesh herë në aksionet e saj politike do të ishin transmetues i solidaritetit të ummas islamike në territoret shqiptare duke krijuar konflikte të panevojshme me bashkësitë ortodokse shqiptare si Suli dhe Himara në Jug apo Mirdita e Dukagjini në Veri.

Është shumë e rëndësishme të kuptohet fillimi i këtij debati sepse në vitet '20 ai do të marrë përmasa më të mëdha dhe kontestuesit e klasës feudale nuk do të nisen nga premisa thjesht anti-lindore kur do ta cilësojnë aristokracinë feudale si “anadollake” (Sulstarova 2007:7), por me këtë term do të identifikonin burimin e privilegjeve që ata kishin fituar gjatë pushtimit turk. Anadolli konsiderohej si vendi ku ishte themeluar shteti i osmanëve, “ndaj dhe Ataturku e transferoi kryeqytetin e shtetit të ri turk nga Stambolli kozmopolit në Ankara, duke dashur në këtë mënyrë të përforcojë dhe tregojë karakterin aziatik të kombit turk” (Aleksandri. A Istorika 2000:12).

Identifikimi shpeshherë me lavdinë perandorake i familjeve aristokrate shqiptare vazhdoi dhe pas pavarësisë dhe hapësira e shtetit të ri që u krijua nuk i mjaftonte asaj për të demonstruar ambiciet e veta për karrierë prandaj dhe vetë midis saj pati një konflikt të fortë për pushtet.

© Dorian Koçi