Letërsi

Ura mbi Bloor - Tregim nga Përparim Kapllani

Nga: Përparim Kapllani

ë

Përparim Kapllani - Toronto

Eci nëpër natë. Yjet më ndjekin nga pas. Ajri i mrekullueshëm më depërton në qelizat e trupit. Kam ndjesinë se përkëdhelem nga një tufë duarsh të padukshme. Endem pranë urave të Bloor-it. Gjithnjë më kanë tërhequr këto ura të larta, historitë e dashurisë dhe krimet që kanë ndodhur nën harqet e betontë. Eci ngadalë, ndërsa sytë më dallojnë një siluetë, që përkulet mbi parmakët. Është një hije e vetmuar që ka ngritur krahët drejt qiellit e klith në gjuhë të huaj. I afrohem me hap të përshpejtuar, pa ia ndarë sytë. Burri klith fort dhe i vë veshin jehonës. Ky burrë i shkurtër më ngjan me një mamal fluturues të llojit Chiroptera. Për delfinët ka informacion, ndërsa për këtë njeri që klith në errësirë, askush nuk di gjë, të paktën gjer sonte në mbrëmje. Xhaketa prej lëkure i jep pamje djaloshare, por syzet e tradhëtojnë. Ky njeri fare mirë mund ta ketë emrin Desmodus Rufus, një lloj lakuriqi nate. Klithmat e tij më këpusin shpirtin. Duket sikur dikush i ka ngulur gishtat në kraharor dhe po i shkul zemrën. Më kalojnë të dridhura në trup. Ky njeri mund të bëjë ndonjë të pabërë. Nxitoj hapat, ndërsa më merret fryma.

“Hej! Me se mund t’ju ndihmoj, miku im?”

Hija kthehet e tëra nga unë, por nuk flet. Më vështron me habi, se nga i mbiva krejt papritur para syve. Duket i çuditur dhe i tronditur, sikur t’i kisha zbuluar ndonjë sekret. Është një metër e shtatëdhjetë centimetër i gjatë dhe rreth të gjashtëdhjetave. Pamja e parë të jep përshtypjen e një burri të dërrmuar nga një torturë e brendshme mendore.

“Përse klithnit, zotëri?”

Fjalët e mia kumbojnë në hapësirë. Fluturojnë për diku e kthehen sërish të copëzuara. Duket sikur një qenie gjigante më përqesh. Burri i panjohur ma bën me gisht të hesht, që të dëgjoj jehonën që kthehet.

“E dëgjon jehonën?

Tund kokën në shenjë pohimi, pa ditur se ku do të dalë.

“Ekolokacioni është metoda e përcaktimit shqisor, nëpërmjet së cilës disa kafshë të caktuara vetëorientohen, zbulojnë pengesat, komunikojnë me të tjerët dhe gjejnë ushqim. Unë përdor ekolokacionin për të orientuar veten në këtë natë pis të errët, ndaj klith me sa të mund.”  

 “Nga jeni, zotëri?”

“Nga Banja Luka, Bosnja.”

Burri i panjohur ndërpret klithmat e më rrëfen historinë e jetës së vet. E ka lënë atdheun e vet, kur ishte dymbëdhjetë vjeç. U nis me një tren mallrash drejt Kroacisë, pasi serbët i vranë babain, gjyshin, gjyshen, dy tezet, një xhaxha, i dogjën edhe shtëpinë dhe i rrëmbyen lopën e vetme. Rreth moshës njëzetenjë vjeçare la Kroacinë për të qëndruar përkohësisht në Itali. Pas shtatë muajsh qëndrimi atje, iku për në Kanada. Që nga ajo kohë nuk e ka parë më vendlindjen e vet, madje as që nuk ka dëshirë të shkojë.

“Mbrëmë nuk kam fjetur mirë. Pashë në ëndërr nënën time që qante. Është një ëndërr, që më përsëritet disa herë në muaj. E njëjta ëndërr, që nga ajo ditë, kur serbët erdhën në shtëpinë time. Isha vetëm nëntë vjeç. I pafuqishëm vështroja atë burrë të egër, që zhvishte me forcë nënën time. E përdhunoi nënën para syve të mi. E shihja atë skenë të turpshme dhe dridhesha nga zemërimi dhe frika. Nuk e mbaj mend se sa minuta qëndrova ashtu i shtangur, duke parë nënën të rënkonte poshtë atij burri. Ato minuta m’u dukën orë të gjata. Dola në oborr e shkula një hu nga gardhi e u futa prapë në shtëpi. Iu sula atij njeriu me hu e ai e lëshoi nënën.

Ajo gjë e tmerrshme që ndodhi atë ditë, më ka ndryshuar si njeri! Më bëri ta ul kokën gjatë të gjithë jetës sime. Kur mbushem nga emocionet, filloj të këlthas me sa kam fuqi dhe çlirohem. Lirohem disi nga lëmshi që më mblidhet në fyt. Tani e kupton, pse klithja në errësirë, këtu, në majë të urës!”

E quajnë Ivo Kumljenoviç! Historia e nënës së Ivos nuk përfundoi me kaq. Pasi e përdhunuan, serbët e qëlluan fort me shuplaka në të dyja veshët dhe e lanë të shurdhër për të gjithë jetën.

“Nëna më vdiq para dy vjetësh. Tani jam një lakuriq nate. Lëshoj klithma, që përplasen në hapësirë, njësoj si lakuriqët, por këta tinguj nuk po më orientojnë në mes zhurmave. Kam humbur sensin e ekolokacionit.”

Ivo Kumljenoviç hesht. Fshin lotët me kurrizin e dorës së majtë.

“A do të kthehesh një ditë në Banja Luka?”

“Nuk mund të kthehem! Kam frikë nga vetja. Mund të filloj të vras të gjithë që do të më dalin përpara, ose të më vrasin! E vetmja gjë që më ka mbetur është të vij nganjëherë këtu e të ulëras. Të klith fort, për të çliruar dhimbjen.”

Ndjehem ngushtë! I rrah miqësisht shpatullat! Kroati Kumljenoviç përpiqet të mbledhë veten. Më fton të klith së bashku me të në këtë natë mister. Vë duart rreth gojës e klith! Klith fort, aq sa të më dëgjojnë dhe yjet. Zoti Kumljenoviç klith më fort se unë. Të dy ne i ngjajmë një çifti ujqërish të egërsuar, që i zbrazen pa kursim natyrës. Në sytë e tij shikoj një dritë të lehtë. Klith më fort, i çmendur nga magjia e kësaj mbrëmjeje. Hedh vështrimin dhjetëra metra poshtë. Hesht për një çast. Në dallgët e lumit Humber dalloj sytë e nënës së Zotit Kumljenoviç, që më qeshin ëmbël.

©Përparim Kapllani

(Botuar në anglisht Canadian Voices, Vol 1)