Letërsia e sotme shqipe - Nga Behar Gjoka
Megjithatë, përsëri jemi si gjithmonë, në marrëdhënie me letërsinë shqipe, ku kemi një vonesë faze, sepse kemi një moment konceptual dhe të praktikës së marrëdhënies me kulturën dhe letërsinë, që ne komunikojmë, kryesisht duke mbetur në të djeshmen, edhe në marrëdhënie me letërsinë e sotme. Në mungesë të plotë debatesh, si dhe duke u bazuar kryesisht vetëmse në heshtjen konformuese të institucioneve, kinse shkencore, sërish shikoj një shans që nëse do të çlirohemi nga shkrimtarët udhëheqës, nga shkrimtarët mite, që e patën fatin e mbrapshtë që t’i ndihmonin sistemet, ka më shumë gjasa që më në fund të lirohemi dhe të rrekemi me shpëtu nga këneta e Realizmit Socialist.
Mendoj, se gjithherët shkrimtari, do të duhet të bëjë punën e shkrimtarit, sidomos në liri, nuk ka asnjë lidhje me udhëheqjen, shkrimtari duhet që të realizojë mrekullisht atdheun specifikë që quhet letërsi, dhe atdheu që quhet letërsi mbi të gjitha ka atributin e të qenit i lirë, një hapësirë lirie e pafundme, që shpërfill prangimet ideologjike dhe zyrtare. Duke qenë i lirë njeriu, aq më tepër dhe sidomos shkrimtari, nuk do t’ia dijë as se kush është President, as se kush është Kryeministër, as nuk i thotë tjetrit që ti bëhu Kryeministër apo kryetar bashkie, etj. Pra, letërsia tashmë duhet të vijë në letërsi, të kthehet vetëm në arratinë shpirtërore, ku ngjizet andrra e përjetësisë e qenies njerëzore, si të thuash, sa ma herët të marrim në konsideratë dhe ta bëjmë imperative të ekzistencës së artit të fjalës, thirrjen e T. Todorov, për kthimin në letërsi, pra vetëm në shtratin e kumteve estetike, larg shërbesave jashtëletrare dhe zyrtare, të cilat burojnë nga motet e Realizmit Socialist.
Duhet që me çdo kusht t’i lëmë shansin e sotëm letërsisë së sotme, shkrimtarëve të sotëm, veprave të shkruara në këtë periudhë, tani, jo nesër, sepse nesër është vonë, siç ka ngjarë rëndom në letrat shqipe, duke u rikthyer te letërsia që nuk pati lexues, sepse realisht nuk e lanë me pasë lexues, në kohën shkrimore. Kushdo që shkruan, dikur apo tani, duhet të kthehet në letërsi dhe të çlirohet nga këto “prangimet” zyrtare, një këmbanë alarmi që vjen nga Realizmi Socialist, që mjerisht ruhen ende sot e gjithë ditën, përjashtuese në thelbin e tyre, madje kryesisht pa i lexuar tekstet letrare.
Letërsia e sotme shqipe, pavarësisht mungimeve të pashmangshme, tashmë jemi në periudhën postmoderne dhe po flasim për modernitetin, jemi gjithmonë në atë situatën kur gjërat që kanë ndodhur dikur, madje kanë kohë që kanë ndodhur, i rimarrim, gjithnjë me një vonesë faze, krejt të pazakontë si rregull përjashtimi. Ndërsa ne gjithmonë do t’i marrim vesh pak më vonesë, mbase shumë vonë dhe për këtë arsye dhe rrathët e të konceptuarit, të shenjave letrare, i ndeshim me vonesë, e prandaj krijojmë herë-herë edhe keqkuptime dhe paragjykime të paimagjinueshme.
Nuk e di, por që të thuash se nuk ka letërsi shqipe dhe, njëherësh të ndash çmime letrare me shumicë ky është një problem konceptual, një gjendje absurd e pashpjegueshme, që e sundon skenën letrare, nga burokracia letrare, e mësimdhënësve dhe të punësuarave në institucionet, njëherit e gjoja kulturës dhe shkencës. Madje, në këtë lëngatë ku ende sot e gjithë ditën noton letërsia shqipe, e veçmas mendimi mbi të, si shënime kritike, studime dhe vështrime eseistike, do të thosha se është një problem i marrëdhënies së ndërlikuar, e cila vetëmsa e thellon kompleksitetin e gjendjes letrare, që përgjithësisht e bëjnë institucionet të cilat nuk e kanë për detyrë kurrsesi që të bëjnë gjykatësin, prokurorin, as dhënësin e liçencave, por kanë për detyrë që të bëjnë atë që iu jep hapësira ligjore, si të punësuar në marrëdhënie me letërsinë, mësimdhënës ose në isntitucionet e kulturës dhe të shkencës, kinse kërkimore.
Letërsia, kurrsesi nuk është atdheu i diktateve dhe i diktatorëve, por është fusha e hapur, është pasqyra ku shpirtrat e përthyer, shpirtrat e vrarë, shpirtrat e mbrapshtë, ata të shëmtuar, pamëdyshje shpirtrat e pastër, të gjithë e pa asnjë përjashtim janë pjesë e këtij kopshti, që nuk ka gjasa më, që edhe në atdheun tonë, sidomos në atdheun e lirisë, të ketë vetëm hipoteka zyrtare. Pra jemi në situatën që të shkruajnë të gjithë, porse gara e të mbërrimeve letrare, gjithsesi mbetet e hapur, në hapësirë dhe gjithëkohësi, dhe jo të mbyllet nëpër kafazët e mendjembyllësisë, së mësimdhënësve, që gjykojnë dhe paragjykojnë evoluimin e letërsisë në këto vite, ndonëse në oqeanin e letërsisë, si ngjyresa kreativiteti, nuk guxojnë që të kridhen.
Kur them që të shkruajmë të gjithë, pamëdyshje nënkuptoj edhe shakanë, edhe ironinë, edhe humorin, sepse një popull që kthehet në shkrimtar, në poet apo prozator, duke harruar leximin, është tregues i faktit, që ne kemi mungesë të theksuar lirie, e mbi të gjitha kemi një marrëdhënie jo reale me letërsinë, sidomos me pjesën e konfirmuar si vlerë estetike. Shkrimi i letërsisë, më tepër është një akt unik, që rijetësohet në procesin e leximit dhe të rileximeve, e duke shkruar të gjithë, me talent dhe pa talent, me njerëz që kanë lidhje logjike dhe estetike me tekstin, dhe me të tjerë që nuk kanë asnjë lidhje, krijojmë një situatë të rrejshme, sikur është ndër punët, veprimtaritë më të lehta, kinse mbushakohëse e vetmisë.
Kjo është mënyra më efikase për të vënë në dyshim gjallimin e letërsisë, me gjasë asgjesimin e saj. Nëse e vëmë re, me vëmendje të përqëndruar, shikojmë se shqiptari për shumë kohë lirinë e tij, me dhe pa dëshirë, ia dhuroi Partisë së Punës dhe në këtë periudhë herë ia dhuron njërës, e herë tjetrës parti, duke humbur kështu veten dhe shenjat individuale, madje duke përfunduar në një qenie të turmëzuar dhe të traumatizuar, së paku në dukje, pa formë dhe thelb të vetin. Prandaj ky lumë botimesh, ky “lumë” poezie, me gjasë, ky “përrua” proze është një dëshirë për t’u çliruar nga pushteti dhe skllavëria, e mungesës së mendimit, dialogut dhe debatit mbi shenjat letrare, që mundësojnë afrimin te veprat letrare.
Vetiu në këtë arrati mentale, me lartësynimin për ta hapur dialogun, vjen pyetja e thjeshtë dhe tejet e ndërlikuar, si do të shkojmë te letërsia e mirë? Do të shkojmë jo duke paragjykuar dhe përjashtuar, do të shkojmë jo duke ndërtuar një model sikur vetëm mësimdhënësit mund të kenë tagrin për të thënë të vërtetën (e pavërtetueshme), e cila mund të gjendet vetëm nëse lexohen tekstet e shkruara, pra duke “vlerësuar” në pjesën më të madhe pa e lexuar letërsinë e sotme shqipe, por e vërteta është aty, në tekstet letrare të shkruara, po kaq askush deri më sot nuk ka bërë librin që mund t’i ketë dhënë përgjigje kësaj pyetje, si do ta ndeshim letërsinë e shenjave estetike.
Po a ka nevojë për ndërmjetës lexuesi i letërsisë?! Sërish edhe njëherë, si përherë në marrëdhënie me letërsinë, pra edhe me letërsinë e sotme shqipe, shfaqet pyetja, që më tepër tenton që të rrokë thelbin e letrares, sepse në fakt më tepër është një zgjatim didaktik. Në syrin tim, është një term i pagjetur, me shumë gjasa një stisje e rimarrë nga modeli i Realizmit Socialist, gjithnjë për ta patur nën kontroll kreativen, por mjerisht edhe vetë lexuesin. Pse mendoj prej kohësh, se është i pagjetur, për termin ndërmjetës, sepse leximi i librave të caktuar, të çon në interesa të caktuar, në interesa shkencorë te libri shkencor, interesat letrarë te libri letrar, interesa nga më të çuditshmit, e pothuajse të gjithë mbeten të pashpjegueshëm?
Pra nevoja për të lexuar, secilin libër, madje të secilës lami shkrimi, është një kërkesë e brendshme te njeriu, si të thuash është një gjendje organike, që të shpie natyrshëm te libri që parapëlqen. Në këtë kuptim unë do të thoja se a ka nevojë për gazeta, për rubrika vitrinash në televizion, për revista të mirëfillta, që të afirmojnë autorët dhe të kritikojnë dukuritë që vihen re në tekstet e shkruara?
Padyshim që të marrësh përsipër që të shtjellosh idenë se nuk duhet të ketë poezi erotike, kjo është veçse një marrëzi “heroike”, e kohës së Babaqemos. Poezia nuk lexohet tematikisht, poezia, proza, dramatika dhe çdo gjë që emërtohet letërsi, lexohet estetikisht, pra nëse ne duam që të shkojmë te letërsia e mirë duhet që ta lexojmë vetëm si tekst, sepse duke e lexuar si tekst do të kuptojmë nëse ka shumë ujë, ka ujë apo ka edhe estetikë dhe art e kështu me radhë.
Në këtë kuptim unë do të thoja se kritika e recensës, kritika e prezantimit, kritika e reagimit ndaj librave cilësorë, kryesisht të sapodalë nga shtypi, pra kritika letrare e mirëfilltë, kryesisht si reagim paraprak ndaj tekstit, tashmë duhet që të shoqërohet edhe me atë që quhet verifikim i vlerave estetike dhe, porse edhe verifikim i heshtjes së mungesave, në tekstet që bartin vlera dhe jo në librat që shkarrashkruhen, sa për të bërë emër dhe famë. Unë nuk mendoj se kritika apo studimet letrare që merren me historinë e mungesave, që realisht do të ishte një kontribut krejt i lodhshëm dhe, mendoj se do të mbyteshim me një pikë ujë, në atë që quhet, kinse det i letërsisë dhe do të humbim në atë pyll të tmerrshëm, ku është e vështirë që të ndash letërsinë nga joletërsia, vlerën nga antivlera, mungesën nga shenja letrare.
Megjithatë, përveç raportit personal dhe shijes, kreatives dhe leximit, pamëdyshje edhe të aktit të rileximit, përveç marrëdhënies si ndërmjetës le të themi, sepse kështu dikush e pranon, ndonëse është një term që të kujton motet e Realizmit Socialist, kohës kur kritika letrare, vihej në mes letërsisë dhe lexuesit, madje sipërmerrte që ta udhëhiqte letërsinë. Ka një raport të përjetshëm, tek e fundit se me librin e mirë, librin modern, librin klasik, librin jo thjesht të blerë, jo thjesht të lexuar, përgjigja nuk jepet dot në këtë moment, kur nuk ke lexuar libra të autorëve të kësaj periudhe. Ka gjithmonë një akt të parë që zgjon interes, vetëm nga leximi, ka gjithmonë një moment të dytë, që me domosdo do ta argumentosh zgjimin e interesit, ose nevoja për rilexim, që nuk ka ardhur për arsye jashtëletrare.
Unë kam gjithmonë parasysh tekstet dhe jo autorët kur flas për letërsinë, pavarësisht kohës dhe hapësirës, kur dhe ku u shkruajt një tekst letrar, sepse teksti në të gjithë rastet e tejkalon autorin, si gjasa të komunikimit me lexuesin, në kohë dhe hapësirë. Në këtë periudhë janë botuar edhe libra të politikanëve të mirëfilltë, por që tashmë nuk i mban mend askush, kjo tregon se tek e fundit ishte një përpjekje për t’u çuditur vetë dhe prandaj duhet të kthehemi te pjesa serioze e marrëdhënies me letërsinë, jo me letërsinë si kontribut, me letërsinë jo si situatë ku secili shpërndanë grada apo merrë grada, por me letërsinë si materie artistike, që gdhend vlerat shpirtërore dhe estetike.
Po kaq, në turravrapin për të fituar famë me anë të letërsisë, në këtë kohë u lëshuan gazetarë, opinionistë, aktorë dhe ambasadorë, përkthyes dhe këngëtarë, e ku di unë, me bindjen se janë të famshëm në fushën e tyre, dhe prandaj ia kalëruan letërsisë. Jo, ndërkaq do të thosha se letërsia është bota e të gjithëve, është universi, fryma, është tek e fundit e sotmja dhe e nesërmja, është shpirti tek i cili, secili “zhgarravit”, shkruan atë çka bota do ta pranojë apo jo, e në mënyrë të veçantë, koha e mban ose e lëshon dikur në humnerë si bëzhdile. Do ta pranojë në kuptimin që do ta hipotekojë si vlerë, ose do ta lërë anash, por që gjithmonë këmbëngul në një pikë thelbësore, pa lexuar tekstet, nuk ka gjasa të flitet më për librat dhe autorët.
Ne, banorët e shekullit të njëzet e një, përsëri edhe në dhëniemarrje me letërsinë, mbartim një mentalitet të pushtetit të djeshëm, sepse pushteti i djeshëm merrte përsipër se si duhet të shkruash, por edhe se si duhet të lexosh, ndërkaq edhe sot pavarësisht lirisë së kushtëzuar nga kushtetuta dhe të drejtat, në disa tregues, mentaliteti është po ai, sepse burokracia kulturore dhe letrare, merr përsipër të udhëheqë letërsinë dhe mendimin për të. Të mos harrojmë përvojën e mjeshtrave të shkrimit, ku do të veçoja një pohim të Ernesto Sabato-s, teksa shprehet: …vetëdija e njeriut është jokohore: ajo përmban të tashmen, po është një e tashme e mbushur me të shkuarën dhe e ngarkuar me projekte për të ardhmen… Kur them te burokracia kam parasysh burokracinë kulturore dhe letrare, ku megjithatë burokracia nuk siguron shijen e tij, por sugjeron paragjykimin e shijes së tij, që në thelb përçon paragjykimin dhe përjashtimin e Tjetrit, e të ndryshimit në raport me zyrtaritetin ngulfatës të mendimit ndryshe.
Ky është një lloj problemi, që nuk zgjidhet me mentalitetin e paragjykimit, por me ndërlidhninë e tekstit me lexuesin, duhet marrë parasysh ideja e Tomas Elioti-t, i cili thoshte midis të tjerash, kur pati nënvizuar: “Shija e mbrapshtë e leximit”. Kështu, mund të kemi parasysh se në këtë moment letërsia që njihet më shumë është ajo e Realizmit Socialist, pra letërsia që është në programet e letërsisë shqipe, është letërsia e Realizmit Socialist, ajo quhet moderne tani dhe ky është një problem më vete, kur më tepër përmbush kriteret e letërsisë bashkëkohore, që u shkrua në motet e Realizmit Socialist.
Nga letërsi e Realizmit Socialist, falë studimeve zyrtare, të gjoja demokracisë, modeli zyrtar i Realizmit Socialist, kaloi fillimisht në letërsi bashkëkohore, e mandej me po atë zell, prej studimeve të zyrtarshme, kryesisht të rrafsheve të mësimdhënies, u përcaktua edhe si letërsi moderne. Ndërkohë nga akademikët dhe mësimdhënësit, janë bërë disa konferenca, për këtë gjë, si e si për ta mbuluar Realizmin Socialist me gjethe fiku, pra duke e parë modelin e Realizmit Socialist, si gjoja letërsi bashkëkohore dhe moderne. Në fakt prodhimi letrar, nga viti 1944-1990, sidomos në Shqipëri, në thelbin shkrimor është letërsi e Realizmit Socialist që në ndonjë rast ka edhe shenja moderniteti, të kahjeve individuale. Sepse, jemi në shekullin e XX, sidoqë ishin mbyllur portat, ishte krijuar gardhi, ishte krijuar një pamundësi komunikimi, por sërish letërsia është si pika e ujit, e shpërthen situatën, gjithnjë i shemb muret, në këtë kuptim edhe guri duke goditur dalëngadalë gjen hapësirë për të komunikuar.
Nëse merret në shqyrtim se çfarë ka ndodhur me letërsinë shqipe, se çfarë bënin autorët për të botuar, mund të mendosh se censura ka qenë e tmerrshme, por realisht vetësencura, në atë kohë dhe tani, ka qenë edhe më shumë penguese, në marrëdhënie me letërsinë. Pse? Sepse është fare normale që të kërkosh që të botosh, dhe në emër të botimit të kërkojnë që të përshtatësh, të bësh kompromise. E kompromisin unë nuk e shikoj si faj, por është rrethana për t’u bërë të pranishëm, për të ekzistuar në letërsi, bashkë me konformizmin me kohën dhe sistemin monist. Mirëpo çfarë ndodhi? Ne këtë moment pa asnjë hezitim, duhet të them se ka ndodhur një kompromis, duhet të mendosh se ka ndodhur me letërsinë dhe me artin. Letërsia në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, e përfshin këtë gjë, duke vijuar kështu bashkëjetesën e letrares me jashtëletraren.
©Behar Gjoka











