Mbi të vërtetat njerëzore dhe hyjnore në poezinë e Hosiat Rustam - Nga Vangjush Ziko

Poezia është vërtet një art krejt i veçantë, që zotëron një fuqi të jashtëzakonshme jo vetëm krijuese, por dhe meditative. Ligjërimi poetik bashkon në një të vetme, atë që nuk e bën dot logjika më e shëndoshë shkencore. Poezia e fshin kufirin që ekziston midis së fshehtës, çudisë dhe energjisë meditative, duke shkrirë dhe bërë një estetikën dhe filozofinë, njerëzoren dhe hyjnoren.
Poezia nuk është zanat, është rikrijim. Ajo ka lindur për t'i dhënë krahë asaj e cila, siç thotë Bibla, lindi e para, Fjalës.
Elioti thotë se intensiteti i procesit artistik mbështetet jo vetëm te zemra, por edhe në cipën e trurit dhe të sistemit nervor.
Frymëzimin për ta shkruar këtë shkrim ma dha një poete e panjohur më parë prej meje, poetja e re nga Uzbekistani, Hosiat Rustam.
Sipas gjykimit të kritikës, poezia e saj është e huaj për humanizmin demonstrativ. Ajo i beson vetëm zemrës së vet, larg çdo justifikimi dhe falsiteti. Në vargjet e saj pulson lumturia dhe brenga njerëzore. Temat kryesore të poezisë së saj janë: Dashuria, Zoti, Jeta dhe Vdekja. Krijimtaria e saj përshkohet nga nota të buta prekëse dhe drithëruese.
Tema e dashurisë në poezinë uzbekistanase është një temë e përjetshme e trashëguar brez pas brezi nga poetët e saj.
Hosiat Rustam i përket brezit më të ri të poetëve uzbekistanas, ajo është një vazhdim dhe rinovim i kësaj teme tradicionale. Ajo është një nxënëse e poetit më të shquar të fundit të shekullit të njëzetë, Muhamed Jusuf, i cili, sipas kritikës, diti ta japë jetën në tërësinë dhe larminë e saj, jeta për të është dashuri. Pa atë, ai nuk mund ta mendonte as jetën, as krijimtarinë.
Rustam është në të njëjtën kohë edhe lexuese edhe përkthyese e lirikeve të mëdha Ahmatova dhe Cvetajeva.
Heroina lirike e poezisë së saj është e lumtur se dashuria nuk shkoi pranë saj indiferente, nuk e la “në heshtje”. Këtë dashuri Hosiat Rustam e pohon botërisht me poezinë e saj përpara njerëzve, lutet dhe përgjërohet:
“Mëngjesit kur unë porsa zgjohem
Më gjunjë para teje gjithnjë gjendem.
Kur sytë e mi ende s'përloten,
Dhe vargu im ende s'ka çelur,
Ditë e natë unë kurrë s'ngopem,
Të falem ty e kurrë s'jam e velur.”
Poetja e brezit më të ri poetik uzbekistanas na jep edhe dramën e dashurisë.
Dashuria nuk është vetëm “një fluturim në qiellin e shtatë të dashurisë”, por krahët e saj shpesh dobësohen dhe e zbresin përsëri mbi tokë.
Dikush këtë mund ta marrë si një remineshencë të një mentaliteti tashmë të vjetëruar, që e paraqit femrën ende të përulur ndaj gjinisë autoritare mashkullore, të bashkëshortit “aga” apo “pasha”, para të cilit bashkëshortja duhet të rrijë me dorë në zemër dhe vetëm të përgjërohet si një qenie “e dobët”, që “më gjunjë gjendet” ose që është “duke u lutur/që fati dhe njerëzit ta ruajnë” dhe se “me gjakun e saj është larë/mos plakesh ti, të mbetesh djalë”.
Aspak! Këto janë vetëm përgjërime të një shpirti të çiltër, të një dashurie të sinqertë!
Heroina e ruan dashurinë në shpirtin e saj si gjënë më të dlirë në jetën e saj.
Ajo nuk është e verbuar dhe e “robëruar” nga dashuria.
Ajo është vigjilente.
Vjen një çast në jetën bashkëshortore që diçka nuk shkon, bie heshtja. Bashkëshorti nuk flet asgjë dhe as nuk kërkon të dëgjojë:
“Eci ndaj meje, papritur doli jashtë.
Fija e një dyshimi iu fanit.
Nga diçka druhesh, dëgjove ndonjë fjalë?...
Nga pas të ndoqën sytë e mi,
Shqetësimi në lotin tim u mbyt.
Kaq e vështirë ish që nuk guxove,
Në buzë e mbyte atë fjalë me kyç?
Jeta është një ëndërr kanë thënë arabët, Shekspiri na thotë se është tragjedi.
Heroina gjen forca në veten e vet të përballojë fatin e vet e pavarur nga askush:
“Fati me mua kaq i butë qenka,
Melodinë e tij e bëri që të heshtë.
Veten e vet dhuratë ma dhënka-
Një fat të tillë kush tjetër do ketë.
Kam kaq shumë të shtrenjtë shokë.
Dashuria s'ka fund, është e përjetshme,
Kaq pak kohë më është dhënë në botë.
Kaqe pak m'u dha ajo në jetë.
Kaq e shkurtër është jeta ime.
Shpirti im Pronarit të vet i mbetet,
Tashi e aftë rroj pa shqetësime.”
Jo vetëm tradita e besimtarit të përkushtuar, por edhe përvoja botërore, përmbysja e shtyllave të moralit, të traditave fisnore, teoritë e konspiracionit dhe ashpërsitë perverse çnjerëzore të jetës në shekullin tonë kaq të trazuar e bëjnë edhe heroinën e poezisë së Hosiat Rustam që të mos i heqë sytë nga drita e Zotit dhe veshët nga fjalët e tij testamentare:
“Përgjigje s'ka. Qielli mbi ne rëndon
Dhe na thërmon ai porsi granitnë,
Pas çdo takimi ai duart ngroh
Në zjarrin tonë të dashurisë.
Qaj sikur një këngë po këndoj,
Dhe e pyes Zotin përsëri:
-Pse jetën time ti e mbron?
Ku është rruga? Ku të shkoj s'di?”
..........................
“Zot, do bisedoja dhe me granitin.
Unë jam grua!
Zot, më ler të rritem vetë,
Asnjë dyshim mos ma gënjejë shpirtin,
Të mund si Ti, të sjell veç jetë.
Heroina triumfon mbi gjithçka perverse në jetë; mbi zhgënjimin në dashuri, mbi fatin e pabesë dhe mbi dobësitë e shpirtit të vet të pastër dhe naiv.
Ajo gjen forca shpirtërore të sfidojë moralisht mbi të pasfidueshmen, Vdekjen:
“Për vdekjen më s'dua të shkruaj
Ka një kufi ajo edhe pa vargun tim.
Merrmë me vete erë edhe mua
Me rrjedhën e lumenjve, dunat pa mbarim.
Më premto dhe ti, o pena ime,
Harroje vdekjen, vargu im këndo,
Lamtumirën, ndër mend sillma
Nga larg atë veç ma kujto.
Besomë, do këndoj për jetën,
Vargje do të thur duke jetuar,
Do t'i përplas fytyrës jetën.
E tërbuar ajo le të çirret.
Nën tokë a në qiellin të jem,
Nga sytë e saj unë do fshihem
Të më dëgjojnë lart e nën dhe'.”
Të vërteta të njëmendta njerëzore dhe hyjnore!
©Vangjush Ziko