Letërshkruesi dhe fotografi në revolucionin e Inteligjencës Artificiale - Nga Veton Surroi
Çdo revolucion teknologjik ka ardhur vonë ndër ne. Tash po afrohet revolucioni më i madh dhe i thellë ndonjëherë, ai i AGI-së dhe kemi fatin që të mos na anashkalojë apo fatkeqësinë që të mos dimë ç’të bëjmë me të. Kjo është tash sfida e madhe gjeneracionale e Kosovës
1.
Kam qenë një fëmijë plot kërshëri dhe para 50 e ca vjetësh, dilja në një shesh të La Pazit të Bolivisë për të parë dy personazhe që më kanë lënë mbresë deri në ditën e sotme.
Njëri ishte shkruesi i letrave. I ulur me një makinë shtypi ai e fitonte rrogën duke shkruar letra-ankesa pushtetit, përmallje për të larguarit nga vendi, dashuri për vajzën e lënë në fshat - atyre që nuk dinin të shkruanin vetë dhe kishin ca pesos për të shpenzuar për këtë punë. Tjetri ishte fotografi me ngjyra. Ai bënte fotografi ekspres bardh e zi, fotoja zhvillohej aty për aty dhe pastaj merrte brushat e holla e me mjeshtri këto fotografi i shndërronte në foto kolor.
Shkruesi i letrave ia bënte vetes ditën më të bukur e profesionin më nxitës për t’u përballuar me rutinën e përditshmërisë, duke nxjerrë nga makina e shkrimit fjali të gjata baroke me fjalë të rralla për të përshkruar ngjarje që atij i dukeshin banale - vendosja në banesë, shitja e dhive për të mbuluar shpenzimet e dimrit, mungesën e ngrohtësisë trupore të dashnorit. Makina e shtypit nga një fjali e diktuar nxirrte gjysmë tregime e nga fjalia e ardhshme tregimin e përmbyllur. Ishte i kënaqur letërshkruesi, ishin të kënaqur porositësit. Ky nuk dinte ku do të shkonte letra, ata nuk dinin të lexonin.
Mjeshtri i fotografive kishte afinitet ndaj ngjyrave pastele. Qielli krejtësisht i lehtë, pasi ai ta kishte ngjyrosur, faqet ishin rozë edhe të burrave me ngjyrë kafe të lëkurës, buzët ishin në ngjyrën e qershive ende të papjekura krejtësisht e rrobat gjenin ngjyrën me të gjitha nuancat e gjendjes së tij shpirtërore. Ndonjëherë nuk e prekte të zezën solemne të burrave që ishin veshur për meshën e së dielës, ndonjëherë i pëlqente që të gjitha rrobat të kishin ngjyrat e kopertinave të disqeve të rock and roll-it, përfshirë vjollcën elektrike dhe të gjitha nuancat e së gjelbrës. Ajo apo ai që ankohej se nuk ishte i këtillë siç kishte dalë në fotografi merrte përgjigje se asnjëri prej nesh nuk jemi të njëjtë sikur në fotografi. Për më tepër, jemi të tjerë prej atyre që kishim qenë vetëm një minutë më herët.
2.
Ky rrëfim i aventurës sime në një shesh të La Pazit mund të vazhdojë me kahen e vet të natyrshme - ende ka për të shkruar e folur për këta dy - por për sot kaq. Në fakt desha t’i shfrytëzoj si metaforë për një rrëfim tjetër në të cilin po hyjmë, atë të Inteligjencës artificiale. Është një rrëfim ku tashmë kemi hyrë: çdokush që ka provuar Chatgpt - qoftë për redaktim teksti, sugjerim itinerari për të vizituar ndonjë vend të largët e kështu me radhë, apo pyetje nga më të rëndomtat - di se kemi të bëjmë me një nivel të ri të “makina gjuhësore”, siç quhet kjo teknologji e re.
Brenda vitit 2025, do të hyjmë në atë që njëri prej liderëve të Inteligjencës artificiale Sam Altman quan “super inteligjencë”, pra një shumëfishim i kapaciteteve të tanishme të Inteligjencës artificiale, një Chatgpt i shumëzuar për disa herë. Ndërsa, në periudhën 3-5-vjeçare bota do të ketë Artificial General Intelligence (AGI), Inteligjencë të përgjithshme artificiale. Ndryshe nga sistemet e ngushta të Inteligjencës artificiale, të cilat janë të specializuara në detyra si njohja e fytyrës, përkthimi i gjuhëve ose drejtimi autonom, AGI do të ketë aftësinë të përshtatet, të mësojë dhe të arsyetojë në fusha të ndryshme pa ndërhyrjen e njeriut.
AGI do të jetë makina e cila duke mësuar nga të gjithë ne (banorët e rruzullit tokësor, të tanishëm e të kaluar nëpërmjet historisë), do të na tejkalojë dhe duke bashkëbiseduar individualisht (fillimisht me telefon e kompjuter) do të na korrigjojë, udhëzojë e nëse nuk frenohet me rregullim ligjor, rrezikon edhe të na japë urdhra.
3.
Ndërsa hyjmë në vitin 2025, pra çerekun e dytë të këtij shekulli, ia vlen të mendojmë se po hyjmë në të njëjtën kohë në revolucionin teknologjik të radhës, njërin me thellësi më të madhe se çdonjëri para nesh, duke filluar nga makina e avullit. Revolucionet e kaluara erdhën me vonesë - industrializimi dhe elektrifikimi i vendit ndodhi në gjysmën e dytë të shekullit XX. Dhe erdhi së bashku me mësimin e shkrim-leximit.
Revolucioni i radhës merr këtë formë ilustrative: Google ka ndërtuar një kompjuter kuantik, i bazuar në një çip kompjuterik të quajtur Willow, dhe me të i nevojiteshin më pak se pesë minuta për të kryer një llogaritje matematikore që një nga superkompjuterët më të fuqishëm në botë nuk mund ta përfundonte në 10 septillion vjet, një kohë që tejkalon moshën e universit siç e njohim ne.
Fati ynë i mirë është se ky revolucion nuk po na anashkalon. E kemi të disponueshëm në kompjutera, telefona të mençur, lidhje interneti. Fati ynë i keq nga ana tjetër është se ky revolucion, si çdo tjetër, mund të na anashkalojë. Fëmijët tanë janë më të paarsimuarit në rajon, nuk kemi sistem koherent mbrojtjeje shëndetësore, po përjetojmë një revolucion demografik me të cilin më shumë se gjysma e popullatës jeton në qytet e në të ardhmen më se gjysma do të jetojë në vendet e zhvilluara të BE-së dhe Amerikë.
4.
Rreziku që ky revolucion teknologjik të na kapërcejë duhet të shndërrohet në sfidën më të madhe shoqërore të Kosovës. Gjatë muajve të ardhshëm, Kosova duhet të mobilizojë çdo fije mend që ka brenda dhe jashtë vendit për të vendosur rrugën e AGI të Kosovës, mënyrën se si vendi jo vetëm do t’i adaptohet revolucionit, por të bëhet pjesë e tij.
Në këtë proces, dobësitë e këtij vendi duhet të shndërrohen në sfida transformuese. Ta marrim arsimin i cili në shkollim fillor e të mesëm prodhon një masë të madhe nxënësish që nuk mund të kuptojnë atë që lexojnë, e në fakultete shërben në masë të madhe të krijojë studentë që ose janë shifra statistikore diplomash pa ndonjë vlerë të veçantë, ose si klientë blerës të diplomave të kolegjeve e universiteteve private. Me AGI mund të zhvillohet kurrikula individuale për çdo nxënës veç e veç, mund të vlerësohet përparimi individual i çdo nxënësi dhe ajo kurrikulë e ai përparim mund të maten me cilindo nxënës të sistemit arsimor evropian, për shembull. Ky është revolucion i barasvlershëm me mësim-leximin e shkrimin për popullin e Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore. Shqiptarët e Kosovës nuk do të jenë më krahu i punës i arsimuar për kaq, për të qenë krah fizik pune që pret vizën e tij për të emigruar. Qytetarët e këtij vendi do të kenë mundësi të garojnë në standard të njëjtë arsimor e njohurish me bashkëmoshatarët e tyre evropianë (amerikanë e aziatikë).
Apo në shëndetësi. AGI ka mundësi që të analizojë të dhënat e përmbledhura të çdo pacienti veç e veç, historinë e patologjive personale e familjare, të trendëve të përgjithshëm të mikrolokaliteteve e të qyteteve dhe fshatrave, kapacitetet e dhënies së ndihmës mjekësore, barnat e disponueshëm e të nevojshëm - thjesht të ketë çdo shënim të nevojshëm për të mbajtur një sistem mbrojtjeje shëndetësore e cila fillon prej qytetarit. Çdonjëri prej nesh sot regjistrohet diku në ndonjë libër qendre të mjekësisë familjare apo të ndonjë klinike private - me AGI çdonjëri prej nesh do të ketë me numrin unik personal në letërnjoftim, numrin unik mjekësor që do jetë pjesë e përllogaritjes individuale e kolektive të sfidave shëndetësore në bazë të historisë së deritanishme dhe kontekstit. Brenda pesë vjetësh numri ynë unik i shëndetësisë do t’i ketë historitë tona personale e familjare, përllogaritjen e nevojave imediate për mirëmbajtjen e shëndetit së bashku me sfidat dhe testet e nevojshme të së ardhmes. Dhe, po, me gjasë të madhe ky do të jetë komunikim, në atë që njohim si nivel mjekësie familjare, me një makinë AGI.
Këto janë vetëm dy ilustrime, madje shumë sipërfaqësore të revolucionit. Sfida është shumë më dramatike dhe e madhe, e ka të bëjë me ekonominë, sigurinë, vendimmarrjen. Ka të bëjë me demokracinë, sepse duhet të arrihet një balancë mes nevojës e detyrimit tonë për të qenë pjesë individuale të një sistemi inormativ (si p.sh. nxënës me kurrikulë të personalizuar, apo qytetar me numër unik mjekësor) dhe detyrimit të demokracisë që të mos keqpërdorë të dhënat.
Ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Henry Kissinger, në vitin e tij të njëqindtë të jetës u mor me propozimin që SHBA dhe Kina të hartojnë një marrëveshje të re për pengimin e luftës së Inteligjencës artificiale. Në vend të raketave lufta gjithnjë e më shumë do të zërë hapësirën e AGI.
5.
Jemi para ndryshimit më të madh të jetëve tona prejse u çlirua vendi. Kapaciteti i transformimit është aq marramendës, sa nuk mund të llogaritet sot. Por, në këtë kthesë historike, në vend të letërshkruesit, mund të mbesim në rolin e atij që nga mosdija kërkon që këtë ta bëjë tjetri. Mund të mbesim pa fotografinë me ngjyra e të varemi prej disponimit të fotografit, me çfarë ngjyra do të na e vizatojë ardhmërinë.
© Veton Surroi - KOHA