Blog

Si AstroTurf-izmi ndikon mendimet dhe vendimet tona - Nga Jeta Dedja

Po shihja një ditë disa punëtorë që po shtrinin bar sintetik në fushën e një shkolle, dhe mendja më shkoi te një koncept që e kisha hasur diku në lidhje me këtë produkt: "AstroTurf". Jo si material për sport, por si një dukuri që ka marrë emrin nga marka e barit artificial dhe që përshkruan manipulimin e qëllimshëm të opinionit publik përmes fasadave të rreme. Ky fenomen, i njohur si astroturfizëm, përfshin krijimin e iluzionit të një mbështetjeje popullore që në fakt është e fabrikuar. Në këtë epokë digjitale, astroturfizmi ka depërtuar thellë në politikë, marketing dhe diskursin publik, duke ndikuar në mënyrën si mendojmë dhe vendosim.

Përfytyroni një fushatë zgjedhore. Në vend që të fitojë mbështetje reale nga qytetarët, partitë politike krijojnë llogari të rreme në rrjetet sociale ose paguajnë individë për të përforcuar mesazhet e tyre. Ata, përndryshe patronazhistët postojnë komente mbështetëse, shpërndajnë përmbajtje pozitive për liderin dhe sulmojnë kundërshtarët. Në Shqipëri, ky fenomen nuk është i panjohur. Me një klikim në Facebook apo TikTok, mund të shohim robotë dhe patronazhistë që angazhohen për të përhapur narrativat qeveritare dhe për të mbytur zërat kritikë. Përmes këtij manipulimi, ata synojnë të krijojnë një fasadë "mbështetjeje nga populli" që në realitet dyshohet se ekziston.

Por politika nuk është e vetmja fushë ku astroturfizmi lulëzon. Në botën e marketingut, strategjitë janë po aq manipulative. Shikoni reklamat ku njerëz të zakonshëm, shpesh të moshuar që duken të besueshëm, flasin për mrekullitë e një ilaçi apo kremi. Në shumë raste, këto dëshmi janë të paguara dhe nuk reflektojnë aspak realitetin. Një tjetër shembull janë vlerësimet online - ato “review” me 5 yje që i japin lavdërime një produkti a shërbimi të dyshimtë. Studimet kanë treguar se këto vlerësime të manipuluara ndikojnë ndjeshëm në vendimet tona të blerjes, duke krijuar perceptime të rreme për cilësinë e produktit apo shërbimit.

Efektet e astroturfizmit janë të thella. Ai formëson jo vetëm vendimet individuale, por edhe perceptimet kolektive të një shoqërie. Duke shpërndarë në mënyrë të qëllimshme përmbajtje të manipuluar, fushatat artificiale devijojnë debatin publik dhe e shtyjnë atë në drejtime të njëanshme. Rezultati? Një opinion publik i shtrembëruar, ku pikëpamjet reale mbyten nga një kor i zhurmshëm zërash të fabrikuar.

Një aspekt i rrezikshëm i astroturfizmit është ndikimi që ka në polarizimin e shoqërisë. Me krijimin e të ashtuquajturave “echo chambers” në rrjetet sociale, përdoruesit ekspozohen vetëm ndaj informacionit që përputhet me bindjet e tyre. Kjo jo vetëm që redukton dialogun, por edhe thellon ndarjet ideore. Në vend që të diskutojnë dhe pse jo të mësojnë nga njëri-tjetri, përfundojmë duke qëndruar në qoshet e tyre, duke u ushqyer me informacione të njëanshme që u forcojnë paragjykimet.

Astroturfizmi mbështetet në disa mekanizma psikologjikë që e bëjnë atë kaq të fuqishëm. Njëri prej tyre është “të shkuarit pas berihasë” - tendenca njerëzore për të ndjekur atë që perceptohet si popullore. Kur shohim shumë njerëz që mbështesin një ide ose një produkt, kemi prirjen ta pranojmë edhe ne, pa e analizuar thellë. Një tjetër mekanizëm është efekti i “konfirmimit,” ku individët kërkojnë vetëm informacionet që përputhen me bindjet e tyre ekzistuese. Kështu, astroturfizmi jo vetëm që manipulon perceptimet, por edhe i mpin mendimet kritike.

E çfarë mund të bëjmë për t’u mbrojtur? Asgjë të jashtëzakonshme, të hapim sytë e veshët mirë, pak edukim mediatik, një dozë skepticizëm dhe mendim kritik e kaq do të na mjaftonte. Për masa të tjera rregullatore dhe reforma sistemike për të mbrojtur integritetin e diskursit publik sigurisht që mendojnë qeveritë.

© Flasshqip/Jeta Dedja