Të kesh kohë për të jetuar – Nga Jeta Dedja
- Nga: Jeta Dedja
Një mike e mirë po më pyeste se ku e gjej kohën të bëj gjithë gjërat që bëj. Në fakt koha na jepet njëlloj të gjithëve, ne vetëm ndryshojmë nga mënyrat se si i xhonglojmë aktivitetet ose detyrat gjatë ditës. Hidh e prit mes momentesh, tund, shkund, spostoj, afroj momente të së tashmes së vazhduar. Nuk jam e vetmja që bëj kështu, apo jo? Shpesh herë mendoj se i bëj qejfin vetes kur mendoj se ia hedh kohës, manipuloj momentet, organizohem perfekt. Urra, paskam kohë për gjithçka! A thua është e vërtetë kjo?
Koha është një mike dhe armike që na ndihmon kur punojmë dhe na tërbon kur kalon. Një tik-tak pritjeje është i bekuar, po aq sa i mallkuar. Një minutë heshtjeje është e rëndë sa bota, po aq lehtësuese sa fjala e keqe e pathënë. Orë të kaluara në apati, hallakatje pa qëllim, rrethe vicioze dëshpërimi ose ëndërrime syhapur janë pishmanet e disa prej atyre kur kthejnë kokën pas në të tashmen e djeshme.
A ta ndalim kohën e ta kthejmë momentin? A thua koha është një matës si në celular me një start dhe një fund? Gati, fillo! Gati, ndalo! Sikur të ishte kështu sa herë të panumërta startesh do të kërkonim? Njëlloj si provat e teatrove, “Prit se nuk e thashë mirë këtë frazë, ta filloj dhe një herë”?
Por jeta është gjithmonë “live”. Koha ecën në të tashmen e saj të vazhduar, pa kthim, pa pushim. Dhe ne ecim me të herë në hap, herë duke vrapuar pas saj.
Kam një frikë të brendshme se do më kalojë një moment i rëndësishëm pa e ndjerë. Kjo frikë më shtyn të bëj gjithçka që mundem, të mos lë asgjë pezull, të mos fle më shumë se duhet. Ndonjëherë më duket sikur kam një konflikt personal me gjumin ai më vjedh orët që do t’i përdorja për të jetuar.
Dhe pastaj më kujtohet zëri im i brendshëm që më thërret si në ëndërr:
“Carpe diem.” Jetoje momentin. Mos e lër të ikë. Mos u zhyt në kolltuk vetëm sepse është i rehatshëm. Bëj gjithçka mundesh, ji aktive, lëviz, merr frymë me gjithë qenien tënde.
Zemra jote është ora e brendshme. Ajo është koha jote. Sa herë rreh, është një kujtesë që je gjallë. Prandaj jetoje jetën me ritmin e saj të pandalshëm, të vërtetë, të plotë.
Mos e humb asnjë rrahje. Mos ndalo së jetuari çdo moment.
©JetaDedja/Flasshqip





















