Ateizmi komunist nuk e mohoi Zotin, vetëm e zëvendësoi - Nga Shaban Murati
Ka një koncept të gabuar sikur komunizmi dhe regjimet komuniste janë ateistë. Nuk qendron aspak, sepse e vërteta është që në të gjitha regjimet komuniste udhëheqësit nuk e mohuan Zotin, vetëm e zëvendësuan atë. E zëvendësuan me Zotin e ri në tokë, që ishte Sekretari i Parë ose i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, që sundonte vendin me kultin. autoritetin dhe glorifikimin e njejtë si Zoti. Kështu u bënë dhe u nderuan si Zot Stalini, Mao Ce Duni, Tito, Kim Ir Seni, Çaushesku, Gomulka, Zhivkovi, Enver Hoxha, Millosheviçi, etj. Pra çdo udhëheqës komunist glorifikohej si Zot në secilin vend komunist. Edhe feja e Zotit u zëvendësua me fenë e Partisë Komuniste, sepse regjimet komuniste nuk mund ta linin popullin pa fe dhe e imponuan komunizmin si fe e re.
Është fenomeni, që e ka konstatuar i pari Santiago Carrillo, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Spanjolle në vitet 1960-1982, i cili duke kritikuar komunizmin diktatorial të regjimeve komuniste të Europës Lindore, tërhiqte vëmendjen: "Është e habitshme që të gjithë udhëheqësit komunistë në të gjitha vendet komuniste dalin hyjnorë dhe providencialë!".
Kaq e rrënjosur thellë dhe normë është në regjimet komuniste diktatoriale idea megalomane e zëvendësimit të Zotit në qiell me Zotin e ri në tokë, pra me udhëheqësin komunist, sa që edhe pasi u shemb komunizmi dhe u vendosën formalisht brenda ditës regjimet demokratike, nuk ndryshoi gjë. Udhëheqësit komunistë të partive postkomuniste, që u caktuan në krye të pushtetit të ri “demokratik”, menjëherë ndoqën modelet e parardhësve të vjetër komunistë si Zot në vendin e tyre. Ata vendosën ikonën e fytyrës së tyre si Zot në parti dhe në shtet.
Shembullin më të turpshëm e kemi në Shqipëri, ku udhëheqësit komunistë të periudhës postkomuniste shpallën dhe imponuan venerimin e tyre si Zot, që nuk vdes kurrë në parti dhe në shtet, që nga Berisha, Fatos Nano e deri te Edi Rama. Ironia dhe tallja tipike klasore komuniste është se çdo udhëheqës i ri i Shqipërisë e paraqiste veten në mitingje njëri si katolik, tjetri si bektashi, tjetri si suni, por të gjithë punuan dhe vepruan egërsisht që të impoheshin si Zot në parti dhe në shtet.
Në këtë mënyrë Shqipëria mund të ketë çfarëdo regjimi, që mund të quhet me çfarëdo emri, por demokraci nuk do të jetë kurrë, derisa qytetarët e këtij vendi ish-komunist ta kthejnë Zotin në qiell dhe të shporrin Zotët e rremë në tokë të partive dhe të qeverive.
© Shaban Murati