Blog

Formimi i Shtetit Bektashi - Nga Andi Bejtja

Puna për krijimin e Shtetit Bektashi në periferi të Tiranës ka nisur me shpejtësi marramendëse. Dhe ka filluar pikërisht nga përzgjedhja e bluzës së kombëtares së bektashinjve, edhe pse lojtarët e kombëtares së bektashinjve nuk janë përzgjedhur akoma.

Të dy, si Rama ashtu dhe Baba Mondi, kanë rënë në ujdi domosdo, që ngjyra e fanellës të jetë jeshile, por ka pasur debate të forta midis tyre për ngjyrën e brekëve.

Nga burime të sigurta mësohet se Rama bie dakord me variantin e Baba Mondit që brekët të jenë të verdha, vetëm nëse Baba Mondi pranon të firmosë që ditën e parë Amistinë Fiskale.

Në Kushtetutë, për të demonstruar tolerancën fetare, është e shkruar e bardhë mbi të zezë, që trajneri i kombëtares duhet të jetë ortodoks dhe të zgjidhet nga hapësira e Ballkanit te Hapur.

Në Republikën e Bektashinjve të gjithë do të jenë investitorë strategjikë dhe PPP-të do të jenë filli i kuq i ndërtimit të shtetit.

Në këtë kontekst, një kompani private ka marrë përsipër kthimin e Teqesë në grataçiel 144-katësh, ku nga krahu i majtë i minares do të jetë stadiumi 80 mijë vendësh, ndërsa në krahun e djathtë qendra më e madhe tregtare në rajon.

Ndeshja e parë në këtë stadium do jetë ajo midis Izraelit dhe Palestinës. Direkt pas ndeshjes si futbollistët ashtu edhe tifozët, do të marin pjesë në një samit për zgjidhjen e krizes të drejtuar jo nga kryeministri i bektashinjve, por nga ai i Shqipërisë, Edi Rama.

Debate të forta ka patur midis Ramës dhe Baba Mondit për faktin se Rama insiston që brenda territorit të Republikës së Bektashinjve, të përfshihet edhe Inceneratori i Tiranës.

Mësohet se Baba Mondi ka rënë dakord vetëm me një kusht: që Inceneratori i Tiranës të kthehet në duty free.

Është vendosur gjithashtu që monedha në përdorim të jetë greencoin, e ngjashme me bitcoin.

Këto janë fazat e para të ndërtimit të Shtetit Bektashi. Pasi të zgjidhet fanella e kombëtares, stadiumi, qendra tregtare, do vazhdohet me fazat e tjera të shtetbërjes, si plotësimi Kushtetutës, Parlamenti, Drejtësia etj.

Ndërkohë, vazhdojnë diskutimet, që për të dëshmuar tolerancën fetare, në territorin e Republikës se Bektashinjve të zhvendosen edhe muxhahedinët e Manzës, emigrantët e Gjadrit, afganët e mbetur dhe burgu Peqinit.

Po ashtu, mësohet se pa nisur mirë krijimi i shtetit do ketë disa monopole si për shembull furnizimi i Republikës me qëngja dhe ky monopol i është lënë Tony Blair, ndërsa dy magazinat e mëdha frigoriferike për ruajtjen e mishit me ligj të posaçëm u lihen Ivanka Trump dhe Aleks Soros.

Monopol do jenë edhe pijet alkolike e qilimat, ku në garë të fortë jane kompania e McGonigal me atë të Melonit.

Mësohet gjithashtu se në Republikën e Bektashinjve do ndalohen mediat online. Do ketë vetëm një TV dhe do ndalohen me ligj pyetje-përgjigjet në konferencat e shtypit.

Formimi i Shtetit të Bektashinjve vazhdon...

© Andi Bejtja