Ku shkon shqiptar? - Nga Artan Fuga
Unë mendoj se ne shqiptarët nuk e kemi përfunduar formimin mendor, shpirtëror dhe madje edhe politik si komb i pjekur përfundimisht, pavarësisht traditave tona gjigante në kulturë dhe qytetërim, pavarësisht se sikurse unë mendoj, shteti i parë shqiptar i takon shekullit të 15-të me Gjergj Kastriotin, themeluar në Lezhë, dhe jo shekullit 20-të.
Lidhja jonë shpirtërore si një komb i pjekur nuk e mbaroi dot procesin e pjekurisë së vet. Mbetëm në gjysmë të rrugës, fatkeqësisht. Nga kjo vuajmë sot jashtëzakonisht shumë. Shumë ngjarje dhe procese që prekin sipërfaqshëm politikanë që hiqen si ideologë (ideologë gjysmakë në fakt), që hiqen si opinionistë (opinionistë që në fakt janë propagandist), nuk shpjegohen në mënyrë fluturake.
Fakti që procesi i pjekurisë së lidhjes sonë shpirtërore kombëtare nuk ka përfunduar, u la në mes, është thelbi i të gjitha tragjedive tona të reja, i rreziqeve që na përballin edhe me zhbërjen e mundshme, nëse nuk arrijmë t'i thërrasim mendjes.
Ku po shkon o shqiptar?
Kjo ndërprerje e formimit tonë shpirtëror dhe politik kombëtar ka ardhur nga shumë rrethana që kanë nevojë të studiohen thellë, jo të kemi përgjigje me klithma e të bërtitura si prej ushtarakësh në reserve.
Gjergj Kastriotit iu ndërpre projekti i tij i formimit kombëtar që ai e pati në mendje sepse në shpatë nuk mund ta kishte, meqë shpata osmane ishte sigurisht më e fortë. Projekti i tij erdhi shpejt, si mimoza në dimër, prandaj rreshjet e shiut dhe dëborës anadolliane e thanë. Kombet e tjera evropiane në atë kohë ishin ende në gjumë. Pesëqind vjet mimoza, sikurse do ta thoshte Sami Frashëri, ndejti e fshehur në dëborë.
Rilindasi menduan bukur mirë ta zgjonin sidomos kur panë se Stambolli po na merrte me vete. Por, edhe ata ishin shumë të ndikuar nga Stamboll. Nuk kishin ç'bënin tjetër, veçse na thanë se jemi një, sepse flasim një gjuhë. Na mblodhën rreth një gjëje materiale, por jo shpirtërore.
Ata e krijuan kombin në letërsinë dhe ideologjinë e tyre, por mbeti një komb virtual, intelektual, në libra, sepse ideja nuk mund të rrëmbejë dhe të rrënjoset në mendjet e njerëzve, (sidomos dikur analfabetë) kaq shpejt. Kombeve të tjerë u janë dashur disa shekujt në liri që ta bëjnë. Ne nuk na e dha historia shansin.
Pas luftrave të shekullit 20-të, erdhi lufta e klasave, që si mekanizëm është ta përçajë kombin, jo ta formojë. Autoritarizmi i Enverit krijoi idenë, sa me propagandë aq dhe me politikë, që ne ishim formuar si komb çeliku. Por, unitetin iluzor na e krijonte mbyllja me tela me gjemba e kufirit, jo lidhja jonë e përbashkët shpirtëore si komb. Teli me gjemba krijoi frymëzimin që sapo të binte, shqiptari të ikte nga foleja-komb që i ishte bërë burg.
Procesi kishte mbetur përgjysëm kur u hap çdo gjë, kufij, mendja, erëra ideologjike globaliste dhe ne na ka marrë era. Na shpërndau era globale cep më cep. Sepse nuk ishim ngjizur ende me njëri-tjetrin shpirtërisht për të qenë një komb, që nuk e lë individin t'i largohet forcës centripete.
Ne jemi centrifugë dhe jo centripetë. Zamku i hedhur për të na bashkuar, ngjitur, me njëri-tjetrin, nuk ishte tharë mirë dhe lidhja u shqit.
Grindemi me nënë e me babë me njëri-tjetrin, mbyllemi në regjionalizma krahinore, sikurse Noli na e vinte në dukje me aq me cinizëm, por realisht.
Me shqiptarët kosovarë një mërzi dhe mëri, që veç dreqi e kupton se kush e fut në lojë.
Hallet na bëjnë si zogjtë e kombit? Jo! Halle ka pasur boshnjaku, serbi, kroati, gjermani, francezi, italiani, greku, por nuk është gjymtuar kështu, ka qëndruar, edhe kur ka ikur, ka riardhur në mjaft raste.
Dalin nxënësit nga shkollimi dhe i pyet: Mor po kush ishte Petro Nini Luarasi? Të shohin me sy të habitur. Kush është Gjergj Fishta? Kujtojnë se po u flet për ndonjë aktor filmash në Hollywood me origjinë shqiptare.
Duhet ta kuptojmë këtë, se përndryshe këngët me theks kombëtar do t'i dëgjojmë vetëm në stadiume, si këngë tifozësh të ndërkryer, atje ku nuk duhet, ndërkohë që në fushë luajnë lojtarët, çunat tanë, por që nuk dihet se sa pasaporta kanë.
© Artan Fuga