Kur vjedhja dhe paaftësia quhet histori suksesi - Nga Gëzim Zilja

Sqarim mbi një debat televiziv
Pas shpërthimit të luftës Ukrainë-Rusi më 24.02.2022, qeveria shqiptare për t’i paraprirë krizës energjitike kontraktoi me shoqërinë amerikane Excelerate Energy dhe atë italiane Renco marrjen e dy TEC-eve lundrues me qera, duke prodhuar sipas ministres Balluku 15% të energjisë vjetore. Referuar kontratës fillestare të lidhur me KESH-in, anijet Tigri 1 dhe Tigri 2 do të merreshin me qera për dy vjet në vlerën 152 milion dhe mirëmbajtje 76 milion euro. I dyshimte dhe i paqartë ngelej në kontratë fillimi i prodhimit të energjisë elektrike. Çmimi i blerjes së energjisë nga KESH përcaktohej 200 euro/mwh, kur në tregun e huaj çmimi luhatet nga 70 euro në 150 Euro/mwh, sot 100 euro/mwh.
Në një debat televiziv të para disa ditëve në Top Chanel, ku gazetari dhe moderatorja as ia kishin haberin, ministrja Balluku e quajti histori suksesi çështjen e TEC-eve lundruese dhe i “telendisi” të dy, Rakipllarin dhe Dumën. Këta të fundit në rregull kishin vetëm paraqitjen e jashtme, ku Duma shkëlqente si gjithmonë. Sikur një shkrim për TEC-et, te Gazeta “Telegraf” të kishin lexuar, do të kuptonin në thelb se ç’po ndodh me TEC-et lundruese dhe vjedhjen që po bëhet aty.
Le të shpjegojmë thjesht të vërtetën:
1- Kontrata midis Exclerate Energy dhe Renco mbaronte më 09.04.2024. Shitja e energjisë prodhur nga Tigrat sipas drejtorit Erald Elezi, ka filluar pas 9 shtatorit kur kontrata dy vjeçare kishte mbaruar. Mbi ç’baza ka vazhduar kontrata në muajt tetor, nëntor dhjetor, data kur kontrata është e pavleshme dhe anijet duhet të largoheshin?
2- Erald Abazi deklaroi se nga shtatori deri në dhjetor janë prodhuar për konsum 14,437 mwh. Sipas kapacitetit 110 mwgh, gjeneratoret kane punuar çdo muaj mesatarisht 32 orë, dmth katër ditë 8-orëshe çdo muaj. Me të dhënat që kemi, KESH-i kishte dhe ka mjaftueshëm rezerva ujore dhe ka shitur energji. Atëherë pse bleu energji nga Tigrat dhe pse me dyfishin e çmimit të bursës?
3- Drejtori Erald u shpreh një çast se: “Tigrat janë pronë e qeverisë shqiptare”. Kur ka ndodhur kjo dhe si ka ndodhur? I ka blerë qeveria shqiptare këta? Atëherë pse nuk i bleu që në fillim qeveria shqiptare kur kushtonin vetem 20 milion euro, por pas dy vitesh?
4- Moderatorja Duma bëri pyetjen pupël (ose pyetjen idiote) se perceptimi është se janë shumë të shtrenjtë. Eraldi u përgjigj: “po të ishin shumë të shtrenjtë nuk do kishim prodhuar 21,914 Mwh”. (7,477 mwh jane të testit të komisionimit në gusht.) Sipas logjikës së drejtorit, e rëndësishme është që oxhaqet të nxjerrin tym, të gëlltisin karburantin, pa kostoja e shitjes nuk ka rëndësi. Gazetari duhet ta kapte këtë çast e të pyeste: Sa ia shiti shoqëria amerikane KESH-it mwh (200 euro) dhe sa është çmimi sot në bursë (100 euro) i energjisë elektrike? Por kur vjen me duar në xhepa drejtpërdrejt nga kafeneja të sqarosh popullin se si i vidhen paratë nga qeveria sigurisht do hapësh gojën si peshkagur para ministreshës dhe kjo është e turpshme.
5- A ka nevojë KESH-i të blejë energji në muajt tetor, nëntor, dhjetor e më tej kur liqenet janë të tejmbushur e ne vazhdojmë e shesim energji? Pse ndodh kjo?
Më poshtë po japim disa deklarata të Ballukut dhe Ramës që nga lidhja e kontratës më 5.04.2022, deri ditët e sotme, për të kuptuar se kemi të bëjmë me një aferë të turpshme hajdutësh jo të mençur.
Më 29.07.2022 Balluku, deklaroi:“Të dy TEC-et lundruese janë të pajisur me çertifikatën e Bankës Botërore për të sqaruar edhe publikun, sa i përket ndotjes ambientale, pra plotësojnë të gjitha kushtet sipas kritereve të BB-së.” Në përgjigjen që dha Emanuel Salinas, menaxheri i Bankës Botërore për Shqipërinë përgënjeshtroi (Tetor 2022) Ballukun duke pohuar se “Banka Botërore nuk i çertifikon këto objekte në asnjë vend të botës”.
Më 16 shtator 2022, shtatë ditë pasi erdhën TEC-et, dy rrangalla me 19 oxhaqe të ndryshkur, prodhim i vitit 1997, që sipas Ballukut nuk punonin qysh prej vitit 2005, nën/kryeministresha deklaronte plot pompozitet dhe krenari: “Në 1 janar (Viti 2023, shënimi im) ne fillojmë me shtimin e kapaciteteve me 114 megavatorë që janë dy anijet prodhuese të energjisë elektrike”. Nuk ndodhi.
Më 11.12.2022 e sigurt se TEC-et do viheshin në punë dhe dhjetori i vitit 2022 po hidhte nga qielli ujë më bollëk, Balluku deklaroi: “Reshjet do të vazhdojnë deri më më 17 dhjetor, Për të kursyer ujin do vihen në punë dy TEC-et lundrues të ardhur nga Bangladeshi”. Nuk ndodhi. Kjo është arsye e mosarsyeshme që nuk arsyeton, mosarsyetimin e arsyetueshëm të nën/kryeministreshës
Më 17.12.2022 Balluku e shoqëruar nga ambasadorja amerikane Kim, duke vizituar Tigrat e Bangladeshit deklaroi: “Këta TEC-ce i ka kërkuar Gjermania me çmime më të larta, por SHBA na favorizoi ne duke na i dhënë me çmim edhe më të ulët. Ne do të vazhdojmë gjatë muajit janar dhe gjatë muajit shkurt 2023, të përdorim dy anijet prodhuese të energjisë elektrike që tashmë ndodhen të stacionuara në Triport”. Nuk ndodhi.
Më 06.01.2023 Balluku informonte popullin shqiptar: “Ne tashmë kemi dy njësi gjeneruese të cilat janë gati për prodhim, por duke qenë se kaskada sot është në parametra optimalë, nuk është momenti për t’i ndezur. Por sigurisht do të fillojnë të përdoren në momentin më të parë që ne do të kemi nevojë”. (Shikoni se ç’ka thënë më 17.12.2022.)
Në mars 2023 Balluku deklaron: “Në verën e vitit 2023 do të prodhohet energji nga TEC-et dhe do të kapërcejmë krizën. Ata do të jenë shpëtimi i Shqipërisë për krizën energjitike madje edhe do të shesim”. Nuk ndodhi as e para dhe as e dyta.
Nga fundi i vitit 2023 ministrja Balluku duke parë që po kalonte mbi një vit dhe Tigrat nuk po nxirrnin tym deklaroi: “TEC-et lundrues mund të mbeten pronë e shtetit dhe ne do të shesim energji nga këta (rrangallë, shënimi im) në rajon e më gjerë”. Por a ishin me kontratë dy vjeçare? Si mund të mbeten pronë e shtetit kur janë marrë me kontratë me qera deri në shtator 2024?
As kryeministri Rama nuk ngeli pa bërë deklarata për Tigrat e Ballukut: “TEC-et do të përdoren gjatë thatësirës qershor-shtator 2023, për të kapërcyer krizën, sepse një krizë e rëndë energjitike do të pllakosë Europën për shkak të luftës në Ukrainë. Në gjirin e Vlorës janë instaluar dy TEC-e gjigandë lundrues që do të prodhojnë energji për dy vjet”. Edhe ky ia ka futur kot.
P.S. Një grup vullnetarësh, i përbërë nga ambientalistët Niko Dumani, Lela Qejvani, Lavdosh Ferruni dhe Gëzim Zilja, monitoron ndezjen e Tigrave qysh nga 17 gushti i vitit 2024, kur tre oxhaqe po nxirrnin tym atë pasdite. Ata vazhdojnë e vihen në punë herë tre e herë pesë oxhaqe, por jo rregullisht. Tymi i dalë nuk është nga djegia e mazutit sipas kontratës, por karburant cilësor.
© Gëzim Zilja