Blog

Putini “njeh” Kosovën? Një lajm me çudira! - Nga Mehmet Elezi

“Rusia ‘njeh’ Kosovën”. Kështu lajmëruan disa media në Tiranë.

I referohen Putinit. Në takim me gazetarë ai paska hequr paralele ndërmjet Kosovës e Donbasit. Dhe qenka “hera e parë që Rusia… e pranon si të ligjshëm dhe të drejtë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë” për Kosovën!

1. Kjo është çudia e parë e lajmit. Citohet Putini: “Ekziston një vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit ky ishte një precedent i krijuar nga Kosova. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi shprehimisht: nëse një pjesë e vendit merr një vendim për t'u shkëputur, nuk është e detyruar të kërkojë pëlqimin e autoriteteve qendrore për këtë çështje. Kaq”. Putini shton: “…vendet e Evropës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara ushtruan presion mjaft serioz mbi gjykatën e OKB-së… Ata bënë gjithçka me duart e tyre…”.

Me këto deklarime kreu i Kremlinit e njihka të ligjshëm e të drejtë vendimin e Gjykatës? E kundërta. Ai thotë vendimi u muar nën trysni “mjaft serioze”, sepse “kështu deshën ata”, perëndimorët.  Dhe tekstin e vendimit e riformulon “shprehimisht” siç do ai. Manipulator i historisë, kurrgjë tjetër. Synimi? Me ua mbushë mendjen rusëve se Perëndimi ka “kut të dyfishtë”.

2. Çudia e dytë: është “hera e parë” që Putini… Jo, për asgjë në këtë shkrim nuk është “hera e parë”. Edhe paralelen me Kosovën e ka bërë disa herë, qysh kur aneksoi Krimenë. Dhe po aq herë i është hedhur poshtë me argumente.  Kosova nuk përbën kurrfarë precedenti për pushtimin rus në Ukrainë. Janë raste të pakrahasueshme.

Pse?

Sepse shkak me ndërhy NATO-ja në Kosovë u bë dhuna e skajshme e Beogradit mbi shqiptarët. Beogradi synonte me i zhbi me gjak nga dheu i vet. NATO-ja nuk pushtoi. NATO-ja çliroi.

Sepse shqiptarët në raport me serbët:

- Janë komb krejt tjetër;

- kanë gjuhë krejt tjetër;

- kanë fe krejt tjetër;

- kanë histori krejt tjetër, ajo fillon me iliro-dardanët;

- kanë botëkuptim krejt tjetër: shqiptarët shohin nga Perëndimi, serbët nga Lindja, nga Rusia.

Sepse qysh në fillim (Konferenca e Londrës 1913), Kosova i është dhuruar Serbisë në tepsi, kundër vullnetit të saj. Njëqind vjet rresht Beogradi e ka mbytur në gjak Kosovën. Putinistët mund t’u lëshojnë një sy vetëm reportazheve të Trockit, nga terreni. Trocki, rival i Stalinit, ka folur si rus i madh, jo si rusomadh.

Sepse…

© Mehmet Elezi