Ti i urren intelektualët - Nga Mehmet Elezi
Kur përzgjodhe për ministër të Jashtëm një riosh pa emër prej Kosove, para do vjetësh, shumëkush pyeti: meqë e dashka kosovar, pse e vuri gishtin te një rrunzak? U tha se keci a rrunzaku ishte rritur në vathën e Sorosit. Kjo përgjigje prapë nuk mjaftonte. Te Sorosi kanë qenë edhe të tjerë, me më shumë përvojë e më të ditur. Për shembull, Veton Surroi, veprimtar dhe analist i njohur. Pse jo Surroin, me të cilin ke pasur edhe miqësi? Pse jo një tjetër, të ngjashëm?
Përgjigjja gjindet në vetëdijen e në nënvetëdijen tënde. Ti i urren intelektualët.
Shih CV-të e ministrave që ke mbledhur rreth vetes. Të ardhur nga paemërsia (anonimati). Ka prej tyre që kanë pohuar se e morën vesh emërimin qeveritar nga televizioni. Në Partinë Socialiste ka pasur edhe profesorë universiteti, studiues, njerëz të artit. U shtynë në prapaskenë, në hije. S’u zëvendësuan kurrë me të ngjashëm, më të rinj. Tretja e tyre më kujton sharrën mbi pishat e një lulishteje të Beratit, në vitet tetëdhjetë. Dikush urdhëroi: pishat ua kanë zënë frymën trandafilave, të priten!
Pasi i kalbi në dhé më të diturit e partisë - kundërkomunistët dihet - Enveri iu turr përlavdërimit të baltës. Partia i mori nga balta e arave, thoshte për anëtarë të Byrosë Politike e ministra. Ti nuk more nga balta, ti iu drejtove llumit. Thua dot një emër të kabinetit, të një deputeti a zyrtari të lartë, që ka qenë dikushi para se me e gradue ti? Princi njihet nga njerëzit që afron rreth vetes, thoshte Makiaveli.
Ti i urren intelektualët.
I urren sepse u tutesh. Ua ke frikën thellë. Intelektuali është ndërgjegjja morale e një shoqërie. Më shumë se kaq, e një kombi. Për të e para është liria. Intelektualin s’e nënshtron kollaj. Intelektuali rebelohet. Ai nuk mund të pajtohet me një qeverisje autokrati. Me kapjen e të tëra pushteteve. Me zhbimjen e shqiptarëve, duke i dëbuar nga Atdheu. Me krimin e drogën. Me shqyerjen e pasurive kombëtare. Me... Ndërsa me askushët je komod. Të shohin në bebe të syrit. I hipnotizon me paranojat e tua, si dhelpra pulat. Askushët i thonë vetes po, ky është Skënderbe. As që u shkon mendja se mund të jesh Hamza, mos o Zot!
I urren sepse nën hijen e intelektualëve nuk merr dot frymë. Përballë tyre vetja të duket i vockël (gjatësia nuk bën punë në këtë rast). Ndihesh inferior. E ti do me qenë “lis i vetëm në fushë”.
Mungesën e një personaliteti intelektual te vetja rrekesh me e kompensue me elementë të jashtëm, si adoleshent trendy, cool. Kemi parë vajza të reja në kërkim të identitetit, që ende s’e kanë gjetur. Për ta kompensuar, shpojnë buzë e hundë me unaza metalike. Ti vesh koshule a çitjane edhe kur shkon me nderue gjakun e dëshmorëve. Mbath atlete edhe në samitet e NATO-s. Media ka shkruar se, për këtë arsye, të kanë përjashtuar nga fotoja e përbashkët, nga ajo që quhet foto familjare. Ti s’e ke përgënjeshtruar.
Dihet nga psikanaliza, kompleksi i inferioritetit përkthehet në agresivitet. “Agresiviteti shpesh është mbikompensim për ndjenja të thella inferioriteti”, thotë Alfred Adleri, themeluesi i psikologjisë individuale. Sjelljet e tua e ilustrojnë pikërisht këtë ide. Ti je agresiv e mujshar me intelektualët.
Mujshar kur i sulmon edhe krejt pa lidhje. Duke folur vetmevete nëpër ekrane, kush e di në çfarë shkrepjesh trunore të ndërmendet ndonjëri, dhe i turresh.
Mujshar kur bën çmos me i poshtërue. A ka poshtërim më të madh për një intelektual se sa ta joshësh me u shitë me pare në dorë, si berr? Intelektuali i shitur quhet skllav. Në këtë pazar ti bën oferta të përndezura. Ofron statuse investitorësh strategjikë. Dhuron prona. Jep pensione speciale (fort rrallë sipas ndihmesës së njëmendtë). Këto e të tjera, nga pasuritë e shqiptarëve. Dikujt ia ke blerë heshtjen, nuk bëzan. Dikujt ia ke blerë fjalën, guxon me thanë edhe se ti paske qenë afër disidencës!
Mujshar kur përpiqesh me ua zanë frymën atyre që s’i blen dot. Që s’u bën dot trysni me dosje, se s’kanë dosje. Që në mos qofshin heronj, janë njerëz normalë, me dinjitet. Që janë të vetëdijshëm: e ardhmja e Shqipërisë mund të shitet lehtë, por nuk mund të blihet më as për një mal me pare. Si me ua mbyllë gojën? Pushoji nga puna, prejua burimet. Dhe më tej: shkrimtari nobelist Dario Fo flet për lista “me emrat e të gjithë atyre që ‘sillen keq’. Kush nuk futet në rresht, dëbohet. Dëbohet nga gjithçka”.
Në median e Tiranës janë shpërndarë lista intelektualësh që ‘sillen keq’. Këtij nuk duhet t’i hapet ekrani. Nuk duhet t’i hapen faqet e gazetës. As faqet e portalit. Ky nuk duhet të përmendet për asgjë. As të shahet a të kritikohet. Sulmi ia shton ndjekësit, e bën faktor. Të ndëshkohet me terr. Të trajtohet si i paqenë. Të harrohet.
Për ironi, listat kundër disa zërave të lirë intelektualë kanë depërtuar edhe në media afër opozitës. Ti ke kualifikim special për diversione. Pare edhe për këtë, sa të duash. Paret tona të mjera, pare të tjera, të zeza.
Ndërkohë ekranet punojnë me tërë kapacitetin, prodhojnë një prerje tjetër “intelektualësh”. Prodhojnë “intelektualë” oborrtarë. Gjithologët shpallen analistë, shkrimtarë, filozofë. Kanë vetëm një mision: me ua shpërla trurin shqiptarëve.
Ti i urren intelektualët, sepse s’u bëre vetë i tillë. “Intelektuali është njeriu që e ve inteligjencën në shërbim të së vërtetës, jo të pushtetit”, thotë Albert Kamy. “Një intelektual është dikush që ka gjetur diçka më interesante se paratë”, shprehet me një përndritje gazidhët (ironike) Edgar Allan Poe.
Ti je në polin e kundërt të intelektualit të këtij formati.
Ka shumë errësirë në jetën tënde parapolitike.
Edhe në politikë bën jetë paralele. Në tribunë flet për integrim europian. Në shtrat bie me mafian, fërkohesh me Beogradin.
Vendose një precedent, që s’e bën një intelektual: i shmangesh ballafaqimit. Nuk pranove kurrë me marrë pjesë në debat publik me kundërshtarët politikë. As në fushatat zgjedhore. Uashingtoni s’e zgjedh kreun e Shtëpisë së Bardhë pa u përballur kandidatët në ekran, që njerëzit t’i peshojnë e të gjykojnë vetë. Ky është modeli i botës demokratike. Ti, në vend të përballjes, zgjodhe monologun. Zgjodhe masturbimin politik. Kush i bishtnon përballjes në debat, ka diçka me fshehë.
Nuk bëre kurrë bilanc, sepse s’ke bilanc ndërtues.
Nuk shpalove kurrë strategji, sepse s’ke strategji ndërtuese.
Gjatë fushatës zgjedhore u shfaqe si aktor cirku amator, që ngre në valle ariun, duke i ofruar një sheqerkë nën grusht. U ofrove shqiptarëve një letër sheqerke: pasaportën europiane... në 1930-ën. Harrove se je Surreli, nuk je Brukseli! Po në katër vjetët e ardhshme, deri të vijë koha e pasaportës tënde europiane, çka u ofron shqiptarëve? Thellë e më thellë në humnerë. Dhe energji të zezë kundër opozitës. Dhe një fjalor me zhargon rrugësh.
Me gjasë kjo është një arsye më shumë që ti e urren Sali Berishën. Hija e tij të ngulfat, ta zë dritën. Ai vjen nga një rrugëtim intelektual. Ai s’i shmanget përballjes. E kërkon, i kruhen brirët për t’u ndeshur. Ky është qëndrim i njeriut që s’ka çka me fshehë. I guximtarit. Berisha është i ditur dhe lexon çdo ditë me u ba më i ditur. Ti qëmton citate për t’u dukur i ditur.
Serioziteti i shtetit ka një matës, që nuk përmendet shpesh: mënyrën e trajtimit të intelektualëve. Ti e privatizove shtetin, e bëre narkoshtet. Atëherë? Krijo “një klasë intelektuale, që i ka humbur penjëzat e zërit”, siç thotë Dario Fo. Më qartë: tredhi intelektualët! Këtë e ke në strategji.
Një shoqëri ku mungon oponenca intelektuale e pushtetit, ka përpara veç zi e më zi.
Ti i urren intelektualët. Ti, i gjati me kokë të vogël, rrumbullake.
Ti, i gjati, por jo i larti.
V.O. “Sa herë mendoj keq për dikë ose për diçka, e ndiej se po hyj në gjynah; por ama i bie në të!”, thoshte Xhulio Andreoti.
© Mehmet Elezi





















