Dritan Abazoviçi dhe kthimi i çetnikëve në Mal të Zi - Nga Enver Robelli
- Nga: Enver Robelli - Zvicër

Këto ditë po shihen frytet e marrëveshjes që qeveria malazeze e drejtuar nga Dritan Abazoviçi nënshkroi me Kishën Ortodokse Serbe (KOS), e cila kësaj organizate klerikale, që shpesh merret me parapolitikë dhe nacionalizëm, i dha të drejta të veçanta në Republikën e Malit të Zi. Atëbotë u tha se me këtë marrëveshje do të shtendoseshin raportet mes Malit të Zi dhe Serbisë dhe kisha serbe do të gëzonte të drejtat e saj në shtetin fqinj, në Mal të Zi.
Këtë të enjte (07.08.2025) opinioni i gjerë pati rastin të shohë drejtpërdrejtë pasojat e kësaj marrëveshjeje të keqe për Malin e Zi. Në fshatin Gornje Zaostro afër qytetit Berane qindra nacionalistë (pro)serbë, të prirë nga krerët e Kishës Ortodokse Serbe, zbuluan përmendoren e komandantit famëkeq çetnik Pavle Gjurishiç. Një përpjekje e tillë kishte dështuar më 2002 dhe më 2013. Atëherë në pushtet ishte Milo Gjukanoviçi. Pas zbulimit të përmendores së paligjshme, policia arrestoi një 59-vjeçar, në pronën e të cilit u vendos përmendora e Gjurishiçit. Përmendorja u mbulua me një gëzof. Kryetari i Malit të Zi dhe kryeministri kundërshtuan këtë përmendore, por, sipas mediave malazeze, nuk reagoi Andrija Mandiç, kryetar i Parlamentit, i njohur për qëndrimet e tij proruse dhe proserbe.
Ligji në Mal të Zi e ndalon lartësimin e fashizmit, nazizmit, shovinizmit dhe personave të dënuar për krime të luftës. Por për këtë nuk bëhen merak krerët e Kishës Ortodokse Serbe. Metropoliti Metodije i Nikshiqit tha se nëse “zgjohet populli” përmendorja e Gjurishiçit do të ngritet edhe në Berane. Kërcënimi me zgjimin e popullit është tamam e njëjta retorikë siç e kanë përdorur përkrahësit e Sllobodan Millosheviçit në prag të ndezjes së luftërave serbomëdha kundër popujve të Ballkanit para 35 viteve.
Pavle Gjurishiç (1909-1945) ishte vojvodë çetnik dhe komandant i njësive çetnike në Mal të Zi, në Sanxhak dhe Bosnjë-Hercegovinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjurishiç ishte një nga njerëzit kyç në hierarkinë çetnike nën komandën e Drazha Mihajloviçit. Në shkurt të vitit 1943 Gjurishiç i raportoi Mihajloviçit se forcat e tij kishin masakruar 8000 civilë myslimanë, “gra, pleq dhe fëmijë”. Mizoritë e tij ai i kreu sidomos në Plevle, Çajniçe dhe Foçë. Për kolaboracionizmin e tij, Gjurshiç është dekoruar nga komanda naziste, pra nga regjimi i Adolf Hitlerit. Metropoliti Metodije tha se përmendoren do ta fusnin në kishë për ta ruajtur.
Partia e Dritan Abazoviçit doli me një komunikatë ku kërkoi të hiqet përmendorja e çetnikut Gjurishiç dhe akuzoi qeverinë e Malit të Zi se nuk ka forcë të përballet me ideologjitë profashiste. E vërteta do të bëhej e plotë nëse partia e ish-kryeministrit Abazoviç do të pranonte së paku gabimin që ka bërë duke ia hapur portat Kishës Ortodoske Serbe në Mal të Zi dhe duke e bërë atë shtet brenda shtetit. Në nenin 7 të marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe (Temeljni ugovor) thuhet se autoritetet shtetërore nuk mund të ndërmarrin masa sigurie (si hyrje, kontroll, etj.) në kishat dhe hapësirat përkatëse pa miratimin paraprak të organeve kishtare, përveç rasteve urgjente për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit.
Se deri ku shkon naiviteti (e me gjasë edhe dashakeqësia) e politikanëve shqiptarë u pa para pak ditësh kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me një videomesazh të përpunuar me Inteligjencë Artificiale, iu drejtua në gjuhën malazeze kongresit të partisë së Abazoviçit duke e lartësuar atë si politikan të së ardhmes, i cili i paskësh lënë pas kufijtë e vjetër të politikës identitare. Dëshmi e trashëgimisë së Abazoviçit është pikërisht kthimi i çetnikëve në Mal të Zi, jo vetëm në trajtë përmendoresh. Drejt ardhmërisë europiane me Pavle Gjurishiçin? Kur realiteti ujdiset me Inteligjencë Artificiale, rezultati s’ka si të jetë tjetër veçse revizionizmi historik.
© Enver Robelli





















