Blog

Vjedhja e tokës: Ja pse nuk ndëshkohet

Nga: ÇAPAJEV GJOKUTAJ

Vjedhja e tokave është nga krimet më monstruoze që po bëhen. Eshtë krim jo vetëm kundër pronarëve të ligjshëm, por edhe kundër rendit e sigurisë, edhe kundër mirëqenies së gjithë popullit, përfshirë dhe mua e ti, madje dhe fëmijët e nipat tanë.

Zhvatja e tokës, katrahura që është bërë me pronat, kanë armiqësuar e armiqësojnë njerëzit. Dhe është kjo një armiqësi që nuk shlyhet lehtë, kalon në breza.

Pronësia e dyshimtë mbi tokën krijon gj[endje rrëmuje e pasigurie dhe minon zhvillimin. Cili është ai investitor, vendas a i huaj qoftë, që hedh pare për të investuar në një tokë me sherre pronësie?

Megjithëse është krim kaq monstruoz, vjedhja e tokës pothuajse nuk ndëshkohet.

‘Reporter.al’ njofton se 4 vjetët e fundit janë paditur qindra raste kur punonjës të hipotekave dhe të Aluiznit, nëpërmjet falsifimeve kanë tjetërsuar sasi të mëdha toke, në favor parellinjsh e batakçinjsh.

Pothuajse të gjitha këto zhvatje janë përcjellë në organet e drejtësisë. Por prokuroria ka pushuar shumicën. ‘Vetëm ¼ janë dërguar për gjykim. Në fund, nga qindra kallëzime vetëm dy persona janë dënuar.’

Goxha sistem kemi ndërtuar. Edhe me kompjuter ta kishim projektuar për të favorizuar batakçinjtë, vështirë se mund të arrinte bilance të tilla ;)

Prokurorët thonë se kështu do vazhdojë të ndodhë, sa kohë nuk do të forcohet baza ligjore kundër tjetërsimit të pronave.

Por parlamenti duket se nuk ia ka ngenë. Ka javë që opozita pushton foltoren, kurse mazhoranca aprovon ligje shpejt e shpejt e shkel e shko, në një sallë ku s’e merr vesh i pari të dytin.

Bëjnë politikë të madhe, zihen për kolltuqe.

E ka mirë Lilua që hera herës ia merr me të qarë: Rroftë e qoftë politika, miletit le t’i bjer’ pika.