Blog

Maniaku (tregimi i së dielës)

Nga: AGIM XHAFKA

Alqi ishte maniak, por jo ashtu siç i shkon mendja lexuesit. Qe maniak për të bërë foto. Rrinte pas fotografëve të rrugës dhe u lutej ta nxirrnin në poza siç pëlqente ai dhe në vendet ku donte ai. Në fillim ia bënë ca shkrepje para Hotel -Turizmit dhe Bankës së Shtetit. Më vonë e shporrnin se ngulte këmbë ta fotografonin edhe para gjimnazit, edhe para teatrit dhe më e lodhshmja, edhe para uzinës së preçizionit,n ga që kjo ishte në periferi të qytetit. 

Alqi, sa kishte mbaruar ushtrinë kur i hipi ky zell i madh per të dalë në resme, siç e tallnin korçarët. Ai qytet kishte plot njerëz me llagape të cuditshme, që nga Kiço Rabecka, Faik Gjymi, Nesti Zeri, Llaqi Gjuha, Raqi Lopa, Pandi Këndeska,...por asnjëri nuk kishte maninë e Alqit. Të gjithë silleshin urtë dhe të matur, veç ky këmbëngulte per foto. Në fakt i ngeli “Maniaku” se ashtu sillej. Bile te Turizmi sapo shihte të huaj me aparat fotografik në dorë me vrap u dilte para dhe qeshte. Nuk guxonte t’i nxiste ta nxirrnin, por vetë qëndrimi i tij bënte që ata ta shkrepnin. Sa dëgjonte shkrakun e aparatit i hipte mërzia se nuk do mundej ta merrte pamjen e stamposur nga që turistët do iknin e askush në botë nuk do kujtohej më për të.
Alqi ishte 20 vjeç kur u bë maniak. Jetonte me nënën. Babai i kishte vdekur herët dhe nga fisi i të atit jetonte vetëm xhaxhai, Pandi, ikur në Amerikë kur Alqi nuk kishte lindur ende. Sa mbaroi ushtrinë nisi punë te fabrika e qelqit, bash në furrën e shkrirjes dhe nga që nuk kishte zanat e vunë të ngopte me rërë zjarrin e madh te gryka. Djersinte më tepër se 5 litra ujë që pinte, lodhej e rraskapitej. Paguhej pak se quhej punë e pa kualifikuar. Mbase nga ky stres e kapi sëmundja e fotografimit.
Kaluan vite e Alqin nuk e ngacmonin më qytetarët. E dinin se çfarë manish kishte. Vetëm vogëlushët e thërrisnin me zë të ulët, maniak, maniak, kur u kalonte pranë. Mbeti me punë te fabrika e nuk u martua. I vdiq nëna dhe fillikat bënte rrugën punë-shtëpi-fotografi.
Kur ndërroi sistemi ai nuk u përzie me asnjë protestë apo grupim politik. U bë gati të ikte nga mali për Greqi, kur u mbyll fabrika. Por ato ditë i mbërriti lajmi se vdiq xhaxhai në Amerikë. Mësoi nga ca miq të tij, që kishin ikur me green card në Amerikë, se xhaxhai nuk kishte krijuar familje atje dhe se pasuri e katandi ça kishte duhej të interesohej se i takonte atij. Në fillim nuk e besoi, më pas mendoi se xhaxhai ishte i varfër, por kurioziteti e ngacmoi e shkoi tek një zyrë avokatie. Kërkoi të interesoheshin ata. Kaq, vetë iku në Selanik e nisi punë si ndihmës i Bertit, kushëririt të tij hidraulik. Shpërblehej mirë dhe jetonte ku e ku krahasuar me vendin ku u rrit. Deri sa një ditë një zile telefoni e çoroditi.
-Eja se xhaxhai ka lënë pasuri,-i thanë nga atdheu.
Udhëtoi për tërë natën dhe në mëngjes u shfaq para avokatit. Ai nuk ishte aq miqësor sa para ca muajsh.
-Hë?- pyeti Alqi.
-Na fol ti,-i tha avokati dhe nxori mbi tavolinë qindra foto të Alqit. Dalë në qytet para cdo institucioni, duke qeshur e duke rrezatuar lumturi.
-Kap njërën,-e shtyu.-Dhe lexoje nga pas çfarë ke shkruar!
Dora i kapi atë duke u zgërdhirë te Turizmi. Nga prapa shkruar :”I dashur xhaxha, jam mirë. Sapo kam ndërtuar hotelin e ri, ky prapa meje. Kemi shumë, shumë punë. Të fala, nipi yt, Alqi!”
-Lexo këtë që ke dalë te Banka.
-I dashur xhaxha, e bleva edhe bankën e qytetit. Punët më ecin mbroth. Të përqafoj, Alqi, nipi yt!
Iu kujtuan vitet dhe vendet e fotova, siç mbante mend fjalët shkruar nga prapa.
-Pse?- e pyeti avokati.-Pse ke mashtruar njeriun tënd qindra herë në plot e plot vite?
Alqi u ul në karrige dhe nisi shpjegimin.
-Xhaxhai na dëgonte letra. Çmallej ai, por dhe ne, na fliste për jetën e tij gjerë e gjatë. Brenda në zarf fuste dhe foto dalë para vilës, dalë në restorante, me makinë, në plazhe.. Asnjëherë nuk dërgoi qoftë dhe dhjetë dollarë. Ai e dinte se si jetoja unë dhe nëna, me barkun bosh e me shpirtin zgavër. Ndaj u nxeha nga ligësia e tij dhe ndërmora hakmarrjen. Dilja foto para çdo ndërtese dhe ia nisja, si shkolla ime, fabrika ime, uzina ime. Kérkoja ta çmendja, të mallkonte veten që kishte ikur në Amerikë, se ne këtu gjenim gëzim e lumturi më shumë se ai. Ndaj u bëra maniak pas fotove, se kisha fiksim mposhtjen e mëndjemadhësisë së tij.
Pas një qetesie avokati foli zbehtë:
-Ke kryer vetëvrasje. Xhaxha Pandi ka lënë testament. Fotot dhe letrat t’i kthen ty, merri se tani je pronar i tyre. Ndërsa paratë, pas shitjes së vilës dhe dy dyqaneve, ia fal muzeut të qytetit, nga që nipi im, shkruan xhaxhai, është tejet i pasur e nuk ka nevojë per gjë.
Donte të ikte me vrap, por avokati i dha faturën e shpenzimeve. Shifra e tronditi.
-Të t’i shlyej me këste?-propozoi.
Avokati nuk foli. Në rrugë gjallëri e diell. Vrapoi drejt autobuzit të Selanikut. Ai po lëvizte, sa po nisej. I ra fort derës e nga brenda dikush bërtiti:
-Hape, o shofer, se po udhëtoka dhe maniaku sot me ne...

 

Tagged under maniaku Agim Xhafka