Blog

Shqiptarët, popull apo komb?

 Nga Klodi Stralla

A jemi ne shqiptarët Komb? Unë them jo, sepse kemi mbi një shekull që nuk e ndërtojmë dot shtetin tonë të përbashkët, d.m.th, figurativisht, një arbitër që të qëndrojë mbi secilin prej nesh për të dhënë drejtësi (ligji), një dorë të ngrohtë që të përkrahë cilindo prej nesh që ndihet në nevojë (solidariteti), një mësues që të na mësojë rrugën e drejtë përmes dijesh të vërteta (shkolla), një busull që t’a orientojë vendin sa herë kërcënohet interesi ynë kombëtar (elita); përkundrazi, ne kemi një shtet virtual, që të vetmen veprimtari reale ka mbledhjen e taksave dhe përdorimin e tyre abuziv, dhënien me konçesion oligarkëve të çdo pasurie kombëtare apo çdo funksioni publik, duke ndarë me ta përfitimet dhe siguruar qëndrueshmëri sa më të gjatë në pushtet, shoqëruar me kultivim dijesh të cekta e dezinformuese për të mbajtur në errësirë popullin. Kjo është tabloja me pak fjalë.

Të jesh komb nuk mjafton të jetosh në një territor të përbashkët, as të flasësh të njëjtën gjuhë, dhe as të kryqëzosh duart për të formuar imazhin e një shqiponje në një ndeshje futbolli. Kombi i ngjan më shumë një organizmi të gjallë që, sa herë cënohet një pjesë e tij, dhimbjen e ndjen i gjithë trupi dhe reagon e mer masa për ta shëndoshur gjendjen. Për çështje të përbashkëta kombet sillen me devizën: “Një për të gjithë, e të gjithë për një!” dhe jo si tek ne që kudo e kurdoherë ka qenë: “Secili për vete, Zoti për të gjithë!”. 
Një popull që ka mbërritur në stadin e kombit nuk e mban mbi shpinë një qeverisje të korruptuar dhe arrogante; ose e ndërron me votë ose e përzë me dhunë.

A do të kalojmë edhe ne shqiptarët (këtej e andej kufirit) nga gjendja “popull” ku jemi tani, në gjendjen “komb” ku duhet të shkojmë për t’i shpëtuar asimilimit? Nuk e di, por edhe në qofsha optimist, i sigurt jam që kjo fazë do të dojë shumë e shumë kohë. 
Në histori popujt gjithmonë janë qarë e ankuar, kombet gjithmonë kanë vepruar. Popujt, në vështirësinë më të parë, kanë ikur dhe braktisur vendin, kombet kanë qëndruar, janë ballafaquar me të keqen dhe kanë triumfuar. Prandaj bota ka qindra popuj, por shumë pak kombe!