Blog

Dirigjenti shqiptaro-kanadez Bujar Llapaj apelon për mbrojtjen e Teatrit

Debati për prishjen apo jo të godinës së Teatrin Kombëtar, ka sensibilizuar opinionin intelektual jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë. Një nga emrat më të shquar të artit shqiptar, dirigjenti shqiptaro-kanadez Bujar Llapaj, i cili prej vitesh jeton në Vancouver të British Columbia, u ka drejtuar një thirrje të drejtpërdrejtë përmes profilit të tij Facebook aktorëve Robert Ndrenika, Arben Derhemi, Altin Basha dhe Alfred Trebicka.

Bujar Llapaj u kërkon atyre të marrin pjesë në protestën e ditës së enjte, që organizohet për të kundërshtuar ligjin e miratuar para pak kohësh në Parlament. Ja si shprehet dirigjenti i mirënjohur:

Z. Robert Ndenika, Z. Arben Derhemi, Z. Altin Basha, Z. Alfred Trebicka,

Unë si adhurues i punës, talentit, krijimtarisë dhe personalitetit tuaj do të kisha dëshirë t’ju shikoja në protestën e aktorëve, intelektualëve dhe popullit të Tiranës ditën e enjte para Parlamentit për të kundërshtuar aprovimin e një projektligji të dyshimtë për prishjen e godinave të Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental.

E di që ju kanë sharë, fyer, denigruar, dhe për këtë nuk më vjen mirë aspak, sepse e kam provuar në kurrizin tim, por pikërisht për këtë arësye juve duhet të jeni me komunitetin tuaj, jo për të kërkuar falje për mendimin ndryshe, por sepse ai komunitet duhet të pranojë dhe respektojë pikërisht diversitetin si nevojë të emancipimit të tij dhe të shoqërisë shqiptare.

Ju nuk keni nevojë as për elozhe as për mëshirë nga askush, aq më tepër nga kryeministri. Komuniteti juaj ka nevojë për ju ashtu siç edhe juve keni nevojë për të. Me personalitetin tuaj të spikatur injoroni shfryrjet dhe fyerjet dhe bëhuni pjesë e kundërshtimit të një projektiligji të dyshimtë për nga mënyra e hartimit dhe nxitimit të qeverisë për ta zbatuar atë, sikur në Teatër ka rënë kolera.

FlasShqip.ca