Blog

Na ndjek si hija miti i Rozafës

Nga: Ndue Ukaj

E majta ideologjike ka shkatërruar gjëra shumë më të vlefshme sesa teatri. Ka konstruktuar njeriun e ri, pa kujtesë dhe pa traditë, që marshon vetëm përpara, duke e depersonalizuar deri në palcë. Pra, ka krijuar njeriun, instrument ideologjik, i cili, në emër të utopisë ideologjike, kur i kërkohet të thotë fluturon gomari, si në kor bërtet: fluturon.

Njerëz, thirreni kujtesën dhe lexojeni Át Zef Pllumin, Petro Markon, Sami Repishtin - dhe shumë të tjerë - dhe e kuptoni drejt pasionin e kësaj ideologjie për të shkatërruar traditën dhe kulturën burimore. Për ta larguar njeriun nga gjitha vlerat e njëmenda. Gjithmonë në emër të së resë. Duke refuzuar të vjetrën dhe duke tentuar ta shkëputë njeriun nga e djeshmja.

Kjo mendësi, e ka shndërruar Shqipërinë në një gërmadhë njerëzish të çorientuar, ku nuk e njeh qeni të zonë. Si pasojë e kësaj, sot, bota e qytetëruar është duke u çuditur me marrëzitë tona, të cilat nuk kanë kufij.

Kam vizituar qytete të shumta dhe kam parë objekte të vjetra kulturore, që janë ruajtur, dhe, ngjitur me to, janë ndërtuar të reja. Shembull e keni Bibliotekën e Kopenhagës. Një mrekulli në vete, me një kompozicion artistik që të kënaq shpirtin dhe të bën të mendosh se sa mirë mund të bashkëjetojnë e vjetra dhe modernia.

Qytetërimi perëndimor nuk rrënon, por ndërton. Pikërisht në këtë pikë dallojmë shumë nga perëndimi. Sepse, ne, pasionin për të rrënuar, e kemi shumë më të fortë sesa atë për të ndërtuar. Na ndjek si hija miti i Rozafës.

Kjo saga e teatrit, tregon sa shumë është topitur shoqëria shqiptare. Sa shumë është ligështuar moralisht dhe sa shumë është tkurrur politikisht. Po ashtu, kjo sagë tregon nevojën urgjente për katharsis, nevojë kjo e gjithë kombit shqiptar të kudondodhur.