Blog

Kur mësimi vjen edhe prej drurit

Nga: AGIM XHAFKA

(Tregimi i së dielës)

Njeriu qan shumë herë gjatë jetës. Nga dhimbjet, prej humbjeve, nga aksidentet, nga zhgënjimet. Qan prej dashurisë së pafat, gëzimeve të mëdha, befasive, frikës, ankthit,...Qan edhe prej lumturisë. Por kokrra më e madhe e lotit i del prej turpit. Lot i madh, i rëndë dhe i lagur deri në palcën e vet. Lot i njomur, që qullos krejt trupin.
Një ngashërim të këtij lloji kam jetuar shumë e shumë vite më parë dhe më ka lënë kaq shenjë sa besoj se kur të ndërroj jetë nuk do më shkulet ai turp.
Ngjarja nis një mbasdreke dimri në Korçë, nga ato ditë të ftohta kur toka është bërë beton prej ngricës, retë janë aq të zymta sa zbritja e errësirës bëhet më e zezë. 
Po kthehesha nga një ditëlindje e një shoku, ishim gëzuar, kërcyer si adoleshentë që ishim dhe kur afrohem tek cepi i pallatit shoh një karrocë me dru shkarkuar mu para hyrjes sonë. Lusja zotin mos ishin të familjes sime se në atë të ftohtë edhe ky avaz duhej. Por jo, isha pa fat. Pashë babain që doli nga shkallët e banesës me një thes në dorë. E mbushi dhe e hodhi mbi kurriz. Dukej i rëndë se atë burrë 40-vjeçar gati e përkuli në tokë. Bëra ca hapa para e pastaj u zbytha. U futa sërish te cepi i pallatit. Vendosa të rrija atje sa babai t'i çonte lart të gjitha. Ndërkohë numëroja rrugët që ai bënte me thes në kurriz.
-5, 6...12, 13..
E ftohta më gllabëroi. Po kërceja pupthi të ngrohesha pak. Errësira mbuloi gjithçka. Veç një llampë e zbehtë në oborr tregonte siluetën e atit tim. Si një pikturë e Gojës. Vizatuar me laps. Një burrë i përkulur nga një thes i rëndë. Pas mbi një orë kokërr druri nuk kishte më. Babai me siguri tani po i vendoste në rradhë ato që ngriti, mendoja .Ndenja edhe pak e u ngjita me vrap. Si i gëzuar prej ditëlindjes.
Derën ma hapi nëna dhe në korridor shoh një grumbull drurësh të prerë. I merrte babai dhe i vendoste te depoja. 
Nuk arrita të flas se babai i tha nënës:
-Jepi djalit një çaj të nxehtë se do marrë plevit. Ka dy orë që rri tek cepi i pallatit. Më numëronte thasët.
U stepa. Nuk dija ç'të thoja. Më erdhi në sy ai loti i rëndë si plumb. Që rrëzohej në dysheme e bënte zhurmë. Një hidhësi në fyt. Jo që gënjeva, por që me dëshirë ia hodha babait, e lashë pa ndihmë atë që kurrë nuk mendoi për veten para meje. E më erdhën varg sakrificat, përkujdesjet, puthjet, përqafimet, ankthet e tij për shëndetin e jetën time. Çdo gjë më dukej si pa ekuilibër. E kisha prishur unë, kisha ndryshuar boshtin. 
Nëna kuptoi se aty për aty asgjë nuk ndreqej. Më futi në dhomën time e nuk dola deri sa një ditë babai hyri duke qeshur e më tha:
-Kur të vijnë drutë e tjera vitin tjetër je i dënuar t'i ngjitësh e t’i stivosësh ti, pa ndihmë.
Ky dënim ishte si dorë e shtrirë. Asnjëherë nuk ma kujtoi, asnjëherë nuk e harrova turpin. E ndjej që skuqem edhe tani, kur babai qesh nga lart. T'i them nuk e përsëris është si shaka, por në fakt nuk ndodhi kurrë një gafë si kjo mes ne të dyve. Kurrë...

 

Tagged under tregim Agim Xhafka