Këshillë për Erionin e Bashkisë Tiranë
- Nga: Gavrosh Levonja
Që Erion Veliaj ka bërë gjithë ato punë në kryeqytet zor se mund ta mohojë kush. Por puna është se para mbjelljes së pemëve, riparimit të çerdheve e kopshteve të fëmijëve apo të këndeve të lojërave, Tirana kishte dhe ka disa nevoja të tjera shumë më urgjente.
Për shembull, një nga sfidat që duhet të përballojë Bashkia e Tiranës si dhe e disa qytete kryesore, janë përmbytjet kur bie shi. Ndoshta do të kishte qenë më me vend që në vend të parkingeve nëntokësore, paratë të shkonin për zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve. Nuk kishte ndodhur asnjëherë që uji të përpinte dhe bodrumet e Bibliotekës Kombëtare.
Tirana, përsa i përket popullsisë është katër a pesë fishuar krahasuar me numrin e banorëve që kishte deri në vitin 1990. Kësaj rritje të numrit të banorëve administratorët e qytetit, duke filluar nga ata që kanë të drejtën e firmës për lejet e ndërtimit, duhet t’i përgjigjen me ndryshimet adekuate në infrastrukturë ku futen kanalizimet, furnizimi me ujë e energji elektrike, rrjeti tregtar, numri i shkollave dhe krijimi i qendrave çlodhëse ne zonat ku ka shtim popullsie, pa harruar transportin urban apo impiantet e përpunimit të plehrave.
Megjithatë, ajo që cënon vlerën e atyre ç’ka ka bërë në Tiranë kryebashkiaku i saj, është mënyra e të propaganduarit. Brezave që kanë jetuar periudhën e diktaturës disa forma të reklamimit të sukseseve nga Erioni u kujtojnë propagandën e asaj kohe. Për një kohë relativisht të gjatë, Erionin e kishe në çdo emision lajmesh të çdo televizioni, duke hedhur ndonjë lopatë dhe tek çdo pemë që mbillej. Një ditë ishte me punonjës të një kompanie private e cila kishte dhuruar pemë për qytetin, ditën tjetër me mesuesit e ndonjë shkolle, pastaj me filan repart ushtarak ose komisariat policie deri dhe me të huaj që kishin ardhur për biznes a vizitë në Tiranë. Pak a shumë si dikur ku “nisma revolucionare” e kooperativistëve gjente mbështetje nga të gjitha qendrat e punës e prodhimit, shkollat e institucionet e vendit.
Veç kësaj, jepen lajme të tillë, sipas të cilave Erioni është cilësuar si kryebashkiaku me i mirë ne botë a Europë në vitin 2017, se Tirana ka fituar çmimin e parë në ndonjë konkurs arkitekture, se sheshi “Skenderbej” i ristrukturuar nga Erioni ka fituar një tjetër çmim, e kështu me radhë. Mirëpo kur jepen lajme të kësaj natyre është mirë të shoqërohen dhe me disa hollësi të vogla si p.sh cila ka qenë kryebashkiaku më i mirë në botë a Europë një vit para se këtë garë ta fitonte Erioni, ose cili qytet apo shesh i ndonjë qyteti europian është cilësuar si më i bukuri a më funksionali pas Tiranës. I vetmi kryetar bashkie që të jetë cilësuar si më i miri në botë a Europë ka qenë Edi Rama diku nga viti 2003 nëse nuk gabohem. Madje tani, kur po zhvillohet kampionati botëror, Erioni është future edhe në njëmbëdhjetshen e më të mirëve.
Për mua, njoftime të servirura në këtë formë më kujtojnë vlerësimin me “çmimin e ushqimit” të Shqipërisë së kohës së tallonit. Nga ana tjetër a thua të jenë kaq “të trashë” ata shqiptarë që me format nga më të ndryshme po përpiqen të largohen nga “parajsa” që po vlerësohet me çmime nga më prestigjiozet nga institucionet e juritë ndërkombëtare? I sugjeroj Erionit që për ta bërë sa më të besueshme propagandën e tij, të angazhojë pa humbur kohë shokun tim të vjetër fare G. N.





















