Blog

11 Korrik, Dita Botërore e Popullsisë

Vëzhgim nga Klodi Stralla

Në kalendarin e OKB-së, 11 korriku është Dita e Popullsisë së Botës dhe kjo datë lidhet me një fakt statistikor: në 11 korrikun e vitit 1987 Bota arriti shifrën e 5 miliard njerëzve. 
Natyrshëm vëmendja përqendrohet tek problemet sociale që lidhen me shtimin e popullsisë të saj dhe rishfaqen përsëri hamendësimet që bënte dikur Maltusi, 3 shekuj më parë, sipas të cilit shtimi i popullatës bëhet në progresion gjeometrik, ndërkohë që burimet materiale rriten në progresion arithmetik.

Ndërsa në vitin 1800 Bota numëronte rreth 600 milion njerëz, pas një shekulli, në 1900 ajo mbërriti në 1.5 miliard, në 1950 në 2.5 miliard, në 1975 në 4 miliard, në 2000 në 6 miliard dhe sot ajo numëron 7 miliard njerëz ! Ritmet e rritjes janë më të ulta tek vendet e pasura dhe shumë më të larta tek vendet e varfëra. Në një raport te OKB-se thuhet se Bota është duke kaluar valën më të madhe të përqendrimit të popullsisë në zonat urbane. 
Ja një pamje e Botës nëpërmjet disa shifrave:
-Në çdo secondë bota rritet me 26 njerëz, çka do të thotë rreth 225.000 në ditë ose afro 83 milion në vit. Një ngjasim mbresëlënës me shumëzimin gjeometrik të një bakteri!
-Struktura e moshës: nga 0-14 vjet -27 % e popullatës, nga 15-64 vjet -65.3 % dhe mbi 65 vjet -7.6 % e saj (vendet e pasura po plaken, ndërsa vendet e varfëra kanë një brez të ri të shumtë në numër, shqetësimi kryesor i të cilave është punësimi i tyre)
-Jetëgjatësia mesatare tashmë ka mbërritur në 66.12 vjet.(vendet e pasura kanë pleq me jetëgjatësi mbi të 80-at, ndërsa vendet e varfëra kanë vdekshmëri të lartë foshnjore)
-Dhjetë qytetet më të mëdha : Tokio (Japoni)- 36.669.000, Delhi (Indi) - 22.157.000; San Paulo (Brazil) -20.262.000;Mumbai (Indi) -20.041.000;Mexico-City (Meksikë) -19.460.000; New York (SHBA) -19.425.000;Shanghai (Kinë) - 16.575.000; Kalkuta (Indi) – 15.552.000, Daka (Bangladesh ) - 14.648.000; Karaci (Pakistan) – 13.125.000 (2009).
-Deri në vitin 2008, më shumë se gjysma e popullsisë së botës, 3.3 miliard njerëz, ishin përqëndruar në zonat urbane. Deri në vitin 2030, ky numër parashikohet të rritet në 5 miliard, ose 60% e popullsisë së botës. Popullsia në zonat urbane të Afrikës dhe Azisë parashikohet të dyfishohet gjatë së njëjtës periudhë.

-Të varfërit do të vazhdojnë të jenë pjesa dërrmuese e popullsisë në këto zona. Më shumë se 90% e lagjeve të të varfërve sot është në vendet në zhvillim. Azia Jugore ka përqindjen më të madhe, e ndjekur nga Azia Lindore, Afrika nën Sahariane dhe Amerika Latine.

-Një shqetësim tjetër është shëndeti dhe edukimi i grave, krijimi i një jete më të mirë për nënat dhe fëmijët. Në shumë vende gratë punojnë 7 herë më shumë se burrat për kujdesin ndaj fëmijëve. Ato bëjnë 2/3 e volumit të punës në botë, marrin 10% të të ardhurave botërore dhe kanë në pronësi vetëm 1% të pasurisë botërore. 

-Dihet se sot ka një shpërndarje shumë të shpërpjestuar në nivelin e jetesës midis vendeve të pasura, atyre në zhvillim dhe vendeve të varfra. Nëse sot të gjithë njerëzit do të kishin të njëjtin standard jetese (në nivelin e mesatares europiane) llogaritet që, burimet që do ta siguronin këtë, do të duhet të kishim një planet tjetër sa Toka ekzistuese

Qeveritë e përgjegjshme dhe elitat kombëtare largpamëse, dinë t’i lexojnë shifrat e burimeve të tyre ekzistuese dhe trendet e së ardhmes që i presin, për t’u përballur me sfidat që do të jenë të pashmangshme dhe shpesh edhe të dhimbshme.