Blog

140 vjet nga Kongresi i Berlinit. Kujt i detyrohemi për fatin e Shqipërisë?

Nga: Përparim Kabo

Si sot, 140 vite të shkuara u mbyll Kongresi Berlinit 13 korrik 1878. Ishte një tubim i fuqive të kohës pas luftës ruso-turke dhe paqes së Shën Stefanit që ndërtonte një Bullgari të Madhe dhe e shqyente territorin e Ish-Perandorisë Osmane në kurriz të tokave shqiptare. Bismarku kërkonte ekuilibër, mbajtjen e Perandorisë Osmane në këmbë vetëm e vetëm se shthurja e saj do linte një pasiguri në një territor shumë të gjerë. Gjermania aso kohe kishte hallin e një projekti hekurudhor që niste nga Gjermania dhe përfundonte në Teheran. Austro-Hungaria donte vetëm e vetëm mos kishte dalje Rusia në Adriatik. Për të gjitha vendet e Ballkanit u fol, për Shqipërinë jo. Diku nga dita e 6-të e Kongresit, që zgjati një muaj, 13 qershor-13 korrik, u fol për disa të drejta të Mirditës. Vetëm Anglia nuk e donte më Turqinë sepse e konsideronte si një shtet i kalbur që po rrëzohej. Pikërisht në këtë kohë me anën e një të dërguari të saj në nivel Lordi, Anglia kërkoi në Stamboll zyrtarisht krijimin e një shteti shqiptar të pavarur me të katra vilajetet; Shkodra-Kosova-Manastiri-Janina. Nuk është pra e rastit që atje lartoheshin vlerat e shqiptarëve dhe shkruhej libri "Naltimi i Skanderbeut". Atje flitej për Pellazgët-Shqiptarë si edhe ndodhi në Kongresin Botëror të Orientalistikës nga autorë britanikë në shtator 1891.

Nuk është e rastit që Tony Blair e bindi Bill Clinton-in për mëvetësinë e Kosovës. Falë ndërhyrjes së NATO-s pa lejen e Këshillit të Sigurimit të OKB-s edhe tani flitet për Thesprotinë e vjetër, Çamëria.  

Pikërisht në ditët e 140-vjetorit të atij kongresi u mblodh NATO në një mbledhje në nivel drejtues shtetesh anëtare. NATO është organizata më e rëndësishme e kohërave ku ne jemi antarë. Ky realitet as edhe mund të imagjinohej 140 vite më parë. Të kapësh kohën e humbur do të thotë të zgjidhësh çështjet që ka lënë peng historia, të korrigjosh gabimet e kryera, të verifikosh zgjidhjet dhe miqtë, ata të rremët t’i shikosh me kujdes. Tek e pasmja mos jesh më amator me fatet historike të atdheut. Çdo vendimmarrje duhet gjykuar së paku për 100 vitet e ardhshme. Amatorizmi në histori është dështim dhe dështimet në histori janë fatalitet për brezat që vijnë. Historia politike dhe gjeostrategjia e saj, nuk janë as batuta shakaxhinjsh me kollare dhe as profani të paditurish. Nga Kongresi i Berlinit te Procesi i Berlinit çfarë ka ndodhur? Ju lutem mos u dhjasni, por tregoni se ku është pozicioni Anglisë dhe SHBA-së në këtë hark kohor pothuaj një shekull e gjysmë ndaj shqiptarëve. Atje, tek ai raport dhe marrëdhëne i ka rrënjët fati dhe ekzistenca jonë. Pa këto dy shtete as do kishte Shqipëri. Të kuptosh dhe të drejtosh vlagën historike nuk do të thotë të bësh foto për t’i hedhur në rrjetet sociale on line. Një shembull; Ai që bëri histori, Çurçilli, zotëronte dhe përdorte 90 mijë fjalë dhe lexonte deri në agim. Thjesht për ta ditur madje edhe pikturonte. Historia vazhdon. Ne duhet të dimë ku dhe si jemi dhe me kë duhet të jemi! Dashuritë stinore që dalin jashtë binarëve dhe konstanteve historike proshqiptare janë aventura që rrezikojnë vetëm aventurierët si përgjegjëst e tyre. Shqiptarët janë popull durimi, heroizmash dhe sakrificash, por edhe popull që nuk fal aventurën në kurriz të fatit të vet...! Ata që qysh në kohën e mugëtirave betoheshin për atë gur dhe për atë diell janë prova e gjallë e mosasgjësimit. Mos harrojmë si edhe thoshte një studiues britanik në një punim shkencor në bashkëautorësi me Vaso Pash Shkodranin "Shqiptarët e kanë zakonin edhe sjellje dhe opinion publik". E pra në zakonin e tyre miku mbrohet në gjak me 40 gjaqe shpagim, ndërsa i pabesi është vetë djalli...! Në histori vetëm harresa nuk ka shtëpi apo më tej akoma nuk ka kështjellë…