Lavdi e pamerituar
- Nga: Çapajev Gjokutaj
Urën mbi Mat e ndërtoi Zogu. Hidrocentralet e Drinit Enveri. Rrugën e Kombit Berisha. Rrugën e Arbërit po e bën Rama.
Të gjitha këto janë gënjeshtra safi, por ne i përsërisim e i stërpërsërisim pa pyetur për logjikën e gjërave.
Dhe logjika thotë se të gjitha këto vepra u ndërtuan e ndërtohen me djersën dhe paret e shqiptarëve. Po të jetë për pare e mund, qoftë Zogu, qoftë Enveri, qoftë këta të sotmit, vështirë se kanë venë ndonjë kacidhe a kanë derdhur qoftë edhe një pikë djerse.
Kjo të kujton historinë e atij miut që përmori në det dhe u kthye e kërkonte pjesën. Me një ndryshim të vogël😜. Miu mori si pjesë të përqeshurat e miletit, kurse këta morën e po marrin gjithë detin e meritave dhe të lavdisë.
Kanë meritën se i ideuan, do thotë shumëkush. Por edhe kjo rezulton gënjeshtër me bisht. I ideuan aradhat e inxhinierëve të talentuar dhe i kthyen nga projekte në vepra reale inxhinierët, teknikët dhe punëtorët e panumërt.
Nuk thua dot me siguri se përse na e ka ënda të privatizojmë dhe individualizojmë meritat dhe kontributet historike. Nga masive e popullore t’i kthejmë në individuale.
Vjen kjo nga që truri e ka më lehtë të përfytyrojë individin se sa masat?
Apo vjen nga që propaganda dhe mediat i kanë shërbyer dhe i shërbejnë njëshit? Përsërisin e stërpërsërisin gjëra false, derisa na hedhin trutë e gomarit dhe na bëjnë t’i marrim për të vërteta.
Apo mos vallë vjen nga që gjithë qeniet njerëzore ruajnë brenda vetes, në një masë a në tjetrën, dëshirën fëmijërore për baba të fortë e autoritar? Baba të aftë të bëjë gjithçka dhe të na rrethojë me me siguri përballë rreziqeve dhe me rregull përballë kaosit.
Apo është thjesht një mënyrë të theni, një truk i gjuhës dhe përfytyrimit, që pastaj merret dhe përdoret për asyet e mësipërme apo edhe të tjera?





















