Blog

Midis dy botëve  

Nga: Klodi Stralla

Që Bota po hyn në një erë të re këtë po e shohim të gjithë ndonëse nuk jemi në gjendje ta shpjegojmë ose secili e shpjegon sipas mendjes të vet. Është vërtet pretendim i madh për këdo, aq me shumë për mua, një “atom” i një province të humbur, të guxoj ta “mas” Botën me metrin tim. Megjithatë është një guxim që s’i prish punë kujt, Bota si me shpjegimet e mia si pa shpjegimet e mia ka rrugën e vet, ashtu siç e ka patur në shekuj e mijëvjeçarë. Gjithsesi një mendim vetiak nuk është i tepërt të dëgjohet.

Për mua, sot në botë, po ndeshen dy vizione që u përkasin dy grupeve interesash të ndryshme: “vizioni globalist” dhe “vizioni kombëtar”.

- Për globalistët, Bota duhet të jetë një e tërë, pa kufij; Për ta, kufijtë janë vendosur përgjatë historisë nga njerëzit përmes luftrash të përgjakshme dhe kjo ka sjellë dëme dhe prapambetje. Fuqia reale e kësaj bote është paraja - kapitali. Ai i përngjan gjakut që rrjedh në një organizëm të gjallë e ushqen çdo organ e qelizë të tij sipas nevojave që ata kanë. Ky kapital lëviz drejt vendesh e sektorësh ku realizon fitimin maksimal dhe në rrugëtimin e vet merr me vete edhe njerëzit që i çon drejt vendesh e sektorësh ku paguhen më shumë. Për këtë grup interesi, ku kryesisht hyjnë Bankat (kapitali financiar), arsyeja e globalizmit është minimizimi i kostove të produkteve dhe shërbimeve. Kreditimi është zemra e këtij sistemi.

- Për kombëtaristët, Bota i ngjan një mozaiku popujsh, kulturash, traditash dhe besimesh nga më të ndryshmet, të personifikuara në Shtetin, që kooperojnë e konkurojnë me njëra-tjetrën në sajë të një mekanizmi çudibërës miliona vjeçar, të trashëgimisë dhe seleksionit natyror. Për këtë këndvështrim fuqia reale e kësaj Bote është “kombi”, me ekonominë, kulturën dhe traditën e vet, të formësuar në shekuj (tradita). Kapitali dhe paraja janë në funksion të tij dhe jo e anasjellta; Ato duhet të investohen kryesisht brenda vendit, me synim zhvillimin e çdo metri katror të atdheut dhe për prosperitetin e qytetarëve të tij. Për këtë grup interesi primar është Prodhimi kombëtar (kapitali prodhues). Të njëjtën trajektore ndjek edhe individi në shërbimet e tij ndaj kombit (Kombi i pari!)

Ky konflikt nuk lindi sot. Për herë të parë në Histori globalizimin e Botës e bëri Roma (Pax Romana), mandej Perandoria britanike (Pax britanicus) dhe në shekullin që shkoi e në vazhdim Perandoria amerikane (Pax Americana). U vendos një gjuhë zyrtare e përbashkët (lingua franca), një monedhë e përbashkët, një legjislacion i përbashkët dhe një besim fetar i përbashkët, ndonse kazani kish bashkuar popuj shumë të ndryshëm midis tyre. 
Kjo betejë po zhvillohet sot në Amerikë midis “establishmentit” që ka përqafuar interesa globaliste (klintonianët) dhe popullit amerikan, të përfaqësuar nga presidenti Trump, që mbron interesat kombëtare (Amerika first). Tek kombëtaristët renditen edhe Rusia, Kina, India, Turqia, Brazili etj. me regjimet e tyre autoritare, por edhe të korruptuara.

Ka shumë gjasa që gjendja ka mbërritur në pikën kritike dhe “flluska” po jep shenja se së shpejti mund të plasë dhe më të mençurit po shpejtojnë të shpëtojnë prej saj me sa më pak dhimbje (anglo-saksonet). Por ka edhe nga ata, si puna jonë, që kërkojnë të futen brenda saj, ndonëse nuk i kuptojmë pasojat.