Reflektim pas një bisede - Nga Endrit Mullisi
- Nga: Endrit Mullisi
Sot bëra një bisedë të jashtëzakonshme me një kineze. Pse është e jashtëzakonshme? Sepse në pergjithësi janë të rezervuar të flasin si ne shqiptarët, pa doreza. Kjo kinezja nuk pati problem fare të fliste për politikën në Kinë, por fakti që më bëri përshtypje ishte komenti i saj mbi vlerësimin e nënës së saj për komunizmin.
Nëna e saj kishte qënë jetime dhe sistemi e kishte ndihmuar të mbijetonte, ndërsa kishte fëmijë me prindër që vdisnin nga uria. Më vonë, e kishte birësuar një familje. Pra nëna që është në Kanada, pavarësisht se tregonte problemet e sistemit atje, në mënyrë të sinqertë thoshte që komunizmi kishte qënë i mirë me atë personalisht. Vetë shoqja ime kineze ishte kundra komunizmit. Kjo më bëri të mendoj sesa e rëndësishme është të tregojmë eksperiencën tonë personale, përpara se të nxjerrim gjoksin dhe të mbrojmë apo godasim një sistem të caktuar vlerash. Nëse detajohen vlerat dhe përjetimet, është me e lehtë të vlerësosh apo zhvlerësosh një ide dhe zbatueshmërinë e saj.
Sot ka njerëz që e mbrojnë një qeveri apo shajnë tjetrën, por rrallë gjen dikë që të kritikojë qeverinë që voton. Gjate dekadës së parë të “demokracisë shqiptare”, ndërsa votoja për PD, në të njëjtën kohë isha kritik i saj që nga momenti kur shikoja në Qytetin Studenti lloj-lloj zullumesh në “emër të demokracisë”. Dhe kush ishte komenti që merrja nga “bashkë demokratët e tjerë? Ik ore komunist!
Shoh herë pas here komente që u bëhen postimeve të drejtuesve partiakë. Mund t'i ndaj në tre grupe: 1) lëpirësit - ata që duartrokasin çfarëdo që bën drejtuesi i tyre; 2) sharësit - ata që nuk ka rëndësi se çfarë thotë kundërshtari politik, ata veç shajnë; 3) emigrantët - që përpiqen të ecin me frymën që po edukohen në vendet pritëse - të vlerësojnë edhe gjëra të vogla që bën qeveria.
Ajo që nuk dimë ne, është interesi personal që kanë këta komentues: a kërkojnë vend pune apo duan të mbajnë vend pune? A kanë humbur vend pune apo nuk po gjejnë vend pune?
Pra nëse qeveria po bën punë, është sepse ne jemi mirë personalisht apo vërtetë i kemi parë punët e mira të qeverisë qofshin këto me përfitim personal apo jo.
Nëse qeveria nuk po mban premtimet, a është kjo gjë në nivel personal apo në përgjithësi? A e shajmë atë që na heq nga puna për të njëjtën arsye që na mori?
Personalisht, mendoj (dhe prandaj po e ndaj këtë reflektim) nëse ne shprehim dhe eksperiencën tonë personale ndërsa ndajmë opinione përgjithësuese, është më e dobishme dhe kontribuese për të dhënë një pamje më të prekshme të problemit apo gjykimit që po duam të adresojmë.





















