Privatizimi i atdheut, hapi drejt shembjes përfundimtare
- Nga: Lis Bukuroca
Të gjithë ata që kanë dashur atdheun tepër shumë, e kanë dëmtuar rëndë! Hitleri mundësoi bombardimin dhe zvogëlimin e Gjermanisë. Musolini dëmtoi Italinë. Millosheviçi Serbinë. Enveri varfëroi Shqipërinë. Kastro Kubën! Jung Un, Korenë e Veriut... janë edhe dhjetëra të tjerë. Kur një burrë dashuron tepër shumë një grua, i rrëmben edhe lirinë e lëvizjes, nga frika se mund t'ia marrin. Janë komplekse kronike. Kur një psikopat merr pushtetin, ka frikë se ia marrin dhe përdor të gjitha metodat manipuluese për të vdekur në karrige! Komandantët dje rrezikuan jetën për atdheun, sot rrezikojnë atdheun për pasurimin dhe karrierën e tyre. Privatizimi i atdheut dhe shtetit, është hapi vendimtar, drejt shembjes përfundimtare. Dashuria racionale ndaj atdheut, detyron politikanin të tërhiqet, kur sheh se prania e tij, dëmton vendin. Dashuria iracionale, te psikopatët dhe Alfa Kafshët, u krijon atyre bindje, se pa ta, nuk funksionon asgjë! Ata kanë shumë dëshirë, por gati aspak dije. Në fakt kanë aftësi vetëm për të mashtruar. Kosova i ofroi botës një qeveri, të cilën Serbia me sukses të madh e ka proklamuar si kriminele! Tani jemi aty ku jemi. Askush nuk i fton në vizita, askush nuk dëshiron t'i takojë dhe sukses i madh, mund të konsiderohet, mbledhja e bërrllokut, rritja e pagave dhe punësimi i fiseve të mafias politike! Bota tallet me një qeveri komandantësh, me njëqind ministra e zëvendësa, që nuk ka ekzistuar kurrë në planetin Tokë! Në fakt, Kosova nuk ka Qeveri, por Shtab të zmadhuar!





















