Blog

Dashuri magjike!

Nga: Agim Xhafka

Kushdo që ka bërë shkollë te mesme mban mend që bangat e klasës ishin plot zhgaravina. Emra, sharrje, thirrje, iniciale, numra, data... Ajo syprinë aq e vogël ishte si tableti i sotëm, që nxjerr veç ikonat në faqe të parë, por në brendësi tregon për plot e plot histori e ndodhi. Ndoshta pa interes për shumicën, por emocionuese për atë ose ata që i kanë lënë aq dukshëm si kujtim.
Në bangën e parafundit, kur isha në vit të parë gjimnaz, paradite e mbasdite takohesha me Gretën. Sot nuk jap dot shpjegim pse në orën 7 gjendeshim tek ajo bangë. Nuk di se kush thirri tjetrin i pari. Më ftoi ajo apo unë atë. Por di me siguri që qysh në mëngjes uleshim te vendi. Gjatë ditës nuk rrinim bashkë tek e njëjta bangë. Nuk e di pse, ajo rrinte tek e para nga dritarja, unë e para nga muri. Pak larg quhet. Ndërsa mëngjeseve uleshim nga fundi. Vetëm ne të dy në klasë. Të përpiktë në orar. Zgjohesha qysh kur babai në orën 6 e gjysëm përplaste derën e nisej në punë. Ngrihesha me shumë gëzim. Gati me vrap në shkollë edhe pse e kisha gati ngjitur me shtëpinë. Greta vinte nga shumë më larg. I duhej 20 minuta të mbërrinte. A zgjohej ajo me gëzim? Deri sa nuk vonohej do të thonte se e priste me dëshirë takimin tonë. Ajo ishte një gocë e gjatë, me flokë e sy të zinj, me një të qeshur sikur të merrte hopa e të çonte lart në pistat e skive të malit të Moravës. Edhe mbasdite ajo bangë na mblidhte. Nga ora 4-5 atje rrinim të dy. Pas kaq shumë vitesh nuk mbaj mend asnjë bisedë, asnjë temë, asnjë diskutim. Flisnim e qeshnim të dy, por asgjë konkrete nuk kam arshivuar. Kujtoj që mbi dërrasën e bangës, mbushur me shënime, ajo bëri një G me laps. Dita ditës i mëshonte germës deri sa ajo hyri thellë e u bë pjesë e drurit. Një ditë ngjitur unë shkruajta A. E thellova, e thellova me laps deri sa u barazuan dhe nga larg lexohej G-A. Qeshnim sa herë sytë na vinin atje, por askush nuk do e kuptonte më vonë se kush ishte pas dy gërvishtjeve.
Takimet me Gertën ishin orët e mia më të gëzuara. Në mendje më vinin plot skenarë idealë. Sikur unë i afrohesha ta puthja e ajo me pak ndroje më lejonte. Pastaj sikur klasa do e merrte vesh dhe do gëzoheshin, se na donin shumë të dyve. Më shtohej guximi e përfytyroja si do ishim pas ca vitesh. Sa fëmijë do kishim, ku do jetonim, ç'profesione do ushtronim. Këto të gjitha më vijnë ndër mend. Harroj krejt bisedat. Fjalët që kemi thënë, dëshirat që kemi shprehur. Ndërkohë kujtoj saktë sytë e saj të zesë, me një bebe sterrë, si guri që u vihet unazave prej floriri të bardhë. Kujtoj të qeshurën e saj, aq të ngrohtë e aq shpërthyese. Sjell ndër mend aromën kur ishim pranë, thuajse ngjitur. Si një kamomil i porsa hedhur në filxhan porcelani. Në fund më merren mendtë kur kthente kokën beftas dhe disa fije të flokut të saj më fshikëllonin si puhiza e erës kur del nga gjethet e blirit të pemëve poshtë shkollës. Atëhere jo flutura në stomak, por flutur bëhesha vetë e lodroja në tavan të klasës.
Thuajse atë vit e mbyllëm me shumë takime mëngjes-mbasdite. Pastaj erdhën pushimet...dhe në shtator babai i saj iku me punë në Tiranë. U pamë në xhiro një natë para se të largohej. Gati po qanim e pa kuptuar fërkonim gishtat e njëri tjetrit. Greta iku e një depresion më përfshiu. Shkova ca mbasdite tek banga, lëmoja G-A me mollzat e gishtave e më pas iu hapa Janit, shokut tim.
-Ke rënë në dashuri,-më tha.
-Ou, nuk e dija,- e qesëndisa.
-Por kjo e jotja quhet dashuri platonike,- vazhdoi.
Nuk kisha dëgjuar për dashuri të tillë. M'u duk se na përdhosi takimet tona, romantikën e pasionin e fshehur dhe reagova egër:
-Quhet dashuri magjike,-ia nisa.- Se çdo çast të ditës unë e kisha në zemër Gretën, bëja muhabet me të dhe kur isha vetëm, mësoja më shumë se doja që ajo të shihte se isha i mençur, në çdo libër a film personazhet e bukur i quaja Greta, emocionet që më dha i jep veç një pasion i madh dhe një ëndërr e fuqishme. Greta qe për mua një zanë që më tregoi se bota ka plot dritë, plot bardhësi e është mbushur me njerëz të mirë.
E lashë Janin dhe nuk fola më me askënd. Me shumë siklet kalova dhimbjen deri sa shkova në universitet. Një ditë e pashë Gretën në Tiranë, matanë trotuarit tek mapo kryesore. I bërtita e thashë se vdiqa nga trokthi i gjoksit. Ndaloi, më pa, më dalloi e dëgjova:
-Jam me ngut, ti mirë je? 
Dhe pas dy sekondash kapi dorën e një djaloshi që sapo zbriti nga autobuzi. Vraponin, qeshnin dhe po më largoheshin.
Mirë u bëra, sikur zoti më derdhi mbi kokë një kovë me akull. Më erdhi keq se magjinë e pandehja besnike. U çapita, gati po rrëzohesha dhe ia nisa ngushëllimeve :"Të paktën ta fshij A nga banga e parafundit...Që nesër, asnjë ditë më vonë...”