Blog

Shpresa e vetme e Kosovës është populli i saj i pashpresë

Nga: Nezir Kraki

Krejt sistemet politiko-kriminale, nga diktaturat deri te oligarkitë, program e kanë lodhjen e popullit deri në pikën e pashpresës. Se një popull i kërrusur manipulohet lehte nga varësia dhe nevoja për mbijetesë.

Por është pikërisht kjo qasje që gjithmonë i ka dënuar ato sisteme. Se në fakt, shtrëngimi për kontrollim dhe lodhja për manipulim janë katalizatorët kryesorë të revoltes së brendshme të individit. Dhe, revolta e brendshme individuale, lufta e brendshme për liri dhe dinjitet njerëzor, kthehen pashmangshëm në bazën më solide e revoltës kolektive që synim ka interesin e përgjithshëm.

Populli i Kosovës gjendet sot fiks në këtë pikë: në stacionin e fundit të ciklit të shtrëngimit dhe të lodhjes nga një sistem që s’buron prej tij.

Prandaj nga sot populli ynë duhet të vendosë t’i bashkojë revoltat e brendshme individuale në një revoltë të shprehur bashkerisht.

Sepse veç popujt mund të hapin dhe mbyllin cikle historike.

Para 20 viteve populli ynë e hapte ciklin e lirisë. Sot ai duhet ta mbyllë ciklin e shkatërrimit të ëndrrave, duhet ta mbyllë ciklin e pashpresës.

Prandaj nga sot, shpresa duhet të burojë nga pashpresa.

Tagged under Kosova Nezir Kraki