Blog

Në Ballkan ëndrra e integrimit po zbehet

Nga: Çapajev Gjokutaj

Referendumi për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në pikëpyetje. Arsyeja: kanë marrë pjesë vetëm 34%, kur ligji kërkon mbi 50%.

Kryetari i komisionit zgjedhor ka deklaruar deshtimin e referendumit, kurse kryeministri Zajev i ka kërkuar kuvendit ta lexojë si aprovim. Duket se në vazhdim do ketë një gërham tjetër ballkanik.

Përtej kësaj qendron diçka që mund të jetë me interes pë gjithë rajonin.

Një votë e padiskutueshme pro emrit të ri do zgjidhte mosmarrëveshjet me Greqinë dhe do t’u hapte maqedonasve rrugën për në BE dhe NATO. Me një fjalë, do t’u sillte më shumë zhvillim dhe siguri.

Por maqedonasit i kanë refuzuar masivisht gjithë këto mundësi. Arsyeja që i ka shtyrë të bojkotojnë mund të hamendësohet brenda trekëndëshit: patriotizëm i madh, shovinizëm dritëshkurtër, mosbesim në politikat antarësuese të BE.

Mund të kenë ndikuar të trija, por më shqetësuesja mbetet mosbesimi për integrimin. Dhe reja e këtij mosbesimi po përhapet në gjithë rajonin. Europa s’është gati për pranime të reja dhe e ka sofistikuar shumë politikën e pranimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sofistikimi dhe shtyrjet pafund po ngjallin skepticizëm e indiferencë. Realisht ëndrra e integrimit po zbehet. Gradualisht edhe mund të zhbëhet.

Por asgjë s’mbetet bosh. Erëra të favorshme po fryjnë për influencat ruse, turke etj. Denbaden gadishulli ka qenë mes Lindjes dhe Perëndimit.

Dhe vështirë ta gjesh: Janë historia dhe kultura jonë që na mbajnë në këtë pozicion të ndërmjemë, apo s’po u shpëtojmë që s’po u shpëtojmë dot kapriçove të fatit dhe përcaktimeve afatgjata të gjeopolitikës?