Mësime sokratike
- Nga: Klodi Stralla
24 shekuj më parë, athinasit e akuzuan filozofin Sokrat se, me mendimet e tij, po helmonte rininë dhe e konsideruan këtë një rrezik të madh për shoqërinë. Në fund të procesit, gjatë të cilit akuza dhe mbrojtja paraqitën tezat e tyre respektive, juria, e formuar nga përfaqësues të qytetarëve të Athinës, me shumicë votash, e shpallën Sokratin fajtor dhe me një ashpërsi unikale e dënuan me vdekje. Nuk do të kalonte shumë kohë dhe ata e kuptuan se çfarë dëmi të madh i kishin bërë qytetit të tyre me një vendim të tillë.
Platoni, dishepulli që e donte dhe vlerësonte Sokratin më shumë se kushdo tjetër, hodhi në letër diskutimin e tij të mbrojtjes, që ka mbërritur deri në ditët tona, me titullin “Apologjia”. Në të, Sokrati analizon çështjen e përgjegjësisë së qytetarëve në një shoqëri të drejtë dhe demokratike.
Sokrati, na mëson që, sa herë kërkohet e vërteta, sa herë që vihet në dyshim një gënjeshtër, sa herë që bëhen përpjekje t’i çirret maska një mashtrimi, sa herë që vërehet se “mbreti është lakuriq”, jemi duke bërë një detyrë qytetare. Vetëm në dy ekstremet e jetës jemi të vetëm, në barkun e nënës dhe në varr, por hapësira që përshkojmë mes këtyre dy pikave është një mbreteri e përbashkët, në të cilën të drejtat dhe përgjegjësitë e gjithkujt përcaktohen prej të drejtave dhe përgjegjësive të fqinjëve tanë, dhe çdo gjë e rreme, çdo falsitet, çdo tentativë për të fshehur të vërtetën dëmton këdo, duke përfshirë, në fund të fundit, edhe vetë atë që gënjen.
Sokrati ishte i vetëdijshëm që çdo shoqëri vetëpërcaktohet në dy mënyra: përmes asaj që lejon dhe përmes asaj që ndalon. Çdo qytetar që jeton brenda mureve të një shoqërie ka një detyrim të dyfishtë: atë që t’u bindet ligjeve të shoqërisë dhe detyrimin ndaj vetvetes për të thënë të vërtetën
Një shoqëri e gjallë duhet të ketë, brenda saj, instrumentat për t’u mundësuar qytetarëve të vet që të realizojnë këtë detyrë të dyfishtë: pra atë të bindjes ndaj ligjeve dhe atë të vënies së tyre në diskutim, atë të respektimit të tyre dhe atë të ndryshimit të tyre.
Një shoqëri që u lejon qytetarëve vetëm njërin prej dy detyrimeve (një diktaturë apo një shtet anarkik) dhe një shoqëri që nuk ka besim në parimet e saj është në rrezik zhdukjeje.
Qeniet njerëzore kanë nevojë për mbrojtjen e përbashkët të ligjit, si dhe lirisë për t’i dhënë zë mendimeve të tyre, dëshmive të tyre, dyshimeve të tyre, po aq sa kanë nevojë edhe për lirinë për të marrë frymë. Kjo është thelbësore.
Sa qesharakë bëhemi ne shqiptarët që, sot, pas 24 shekujsh, vemë në dyshim parime të tilla universale mbi lirinë e përgjegjshmërinë qytetare në një sistem demokratik, duke sjellë në panele mediatike dhe parlament “ligje” të tilla ndëshkuese ndaj fjalës të lirë, si “shpifja” ndaj pushtetit dhe pushtetarëve të tij të korruptuar.
Shënim: Në foto burgu ku Sokrati piu helmin, duke iu bindur vendimit të gjykatës, në respekt të ligjeve të qytetit, ndonëse ish i bindur se po dënohej padrejtësisht.



















