Zgjedhjet në Toronto – Meritojmë qeleshen sipas kokës që kemi
- Nga: Endrit Mullisi
A duhet të votojmë këtë fundjave? Patjetër që po!
Nëse nuk je i sigurtë, atëherë është më mirë të votosh duke refuzuar çdo kandidat sesa duke mos shkuar fare në votime. Moshkuarja në votim dhe abstenimi janë krejt ndryshe.
Nëse do të votosh dikë, secili prej nesh do votojë bazuar në përparësitë që ka. Nëse punon për qeverinë apo programe sociale, do kesh tendencën të votosh për atë qeveri që të mban në punë. Nëse je në biznes, do votosh atë që të mban më pak taksa. Nëse je pa punë, do votosh atë që të jep sa më shume $$ dhe sherbime pa punuar.
Nuk kam pritshmëri që shumica juaj janë aq idealistë sa të votojnë pa pikë interesi personal. Disa herë madje ne votojmë “për inat të sime vjehrre”, pra ja japim votën kundërshtarit të atij që kemi inat.
Personalisht, unë shikoj se cila qeveri është përgjegjese për të futur njerëzit të punojnë, që të rrisë sigurinë dhe të mos jepet shumë pas konstruksioneve sociale, duke harxhuar më shumë energji se ç’duhet për t'i përmbushur çdo lloj ankese emocionale të grupeve të caktuara.
Në raste të qeverive provinciale apo federale, une kam votuar për kandidatë që promovojnë vlera morale të afërta me të miat. Asnjëherë nuk i votoj njerëzit nga paraqitja fizike apo numri i diplomave që reklamojnë.
E ndava këtë reflektim të vockël me ju, duke shpresuar të nxis këdo që të votojë për atë që mendon se është kandidati më i mirë (sipas mëndjes sate). Ne meritojmë qeleshen sipas kokës që kemi si grup popullate, por çdo votë ndryshe jep një mesazh…





















