Blog

Çanta pe lecke

Nga: Agim Xhafka

(Tregimi i së dielës)

Sot e kujtoj me buzagaz, por ka qenë shumë dramatike vajtja ime në shkollë. Jo nga që nuk kishte lokale dhe mësues. Kishte, madje mbaj mend se na donin shumë mësuesit, por edhe roja i shkollës. Por zymtia nisi disa ditë para. Dhe ja se si ndodhi e ja pse nuk më shqitet nga mendja.
Kur do filloja shkollën në shtëpi ishim në një gjendje ekonomike thuajse të vajtueshme. Punonte nëna dhe babai, por qemë tre fëmijë të vegjël, unë më i madhi sa kalova 6 vjeç. Bashkë me ne jetonin gjyshja edhe xhaxhai. Ai atë mot qe student dhe bursën ia mori përsipër babai e në fakt ia doli për katër vjet rresht. Shihet pra se ngelej pak për libra, fletore apo...për çantën e shkollës.
Po afrohej dita e çeljes së vitit shkollor. Në kohën time dyert hapeshin më 1 shtator. Një javë para babai bleu librat e i mbështollëm me gazetën “Zëri i Popullit”. I stivosëm mbi tavolinë në një cep dhe po prisja te më sillnin çantën. Nuk e mendoja fare si mungesë se jepesha pas futbollit e gjumë si i vdekur sa hyja në shtëpi.
Por mbrëmjen e 31 gushtit pashë se çantë nuk do kisha. Sa ishte nisur dhe xhaxhai në Tiranë në universitet e i kishte thithur krejt paratë e shtëpisë.
-Po çantë?- pyeta babain.
-Do bësh si do bësh ca ditë,-foli ai e gjoja po lexonte gazetën.
-Po si? Në dorë do i mbaj librat?
Mamaja gati duke qarë më afroi tek krevati i gjyshes. Në fakt ishte krevati ku flinte ajo, por edhe unë, edhe vëllai, edhe motra. Dy nga koka e dy nga këmbët. Ai krevat qe si konvikt i vogël për ne. Në dimër, nga që bënte ftohtë, mbulonim kokat të gjithë e ia krisnim muhabeteve poshtë jorganit me aq gaz e hare sa ende nuk gjej ditë të mijat më të lumtura se atëherë.
-Cili është jastëku yt?- më pyeti mamaja.
-Ky i vogli.
-Ja, e marrim nesër në mëngjes,-e ngriti sipër, hoqi këllëfin, një copë si lino ngjyrë bezhë,-dhe opa, këtu fusim librat,-më tha.
Habisë sime nuk i la kohë. Se në çast i qepi një rryp pak më të trashë se lidhëzat e këpucëve dhe ma hodhi në krahë. Pastaj mori librat dhe mbushi këllëfin. Mori formën e tyre dhe m’u duk pranueshëm. Bile më pëlqeu.


Natën nuk e vura këllëfin te jastëku. Fjeta pa të. Kisha frikë se mos dërsija dhe e bëja pis. Doja të ndriste ditën e parë.
Në mëngjes e rrëmbeva dhe vrap në shkollë qysh në orën shtatë. Askush nuk më çoi, as lule nuk mora me vete. Se nuk më dha nëna a babai. Ata ishin në punë. Nëna qysh në gjashtë, babai një orë më pas. Isha thuajse i pari në fushën e madhe të futbollit, se atje do bëhej çelja e vitit të ri. Kisha veshur tuta ngjyrë kaki se atë ngjyrë prodhonte kombinati i trikotazhit. Gjithë fëmijët ishim si të një ekipi, njësoj.
Më ngrohu zysha, zëri dhe butësia e saj. Në drekë vrap në shtëpi e drejt tek gjella e gjyshes. Kështu kaluan ditë dhe çanta pe lecke më ngjiti, u harmonizua me veshjen time dhe nuk m’u duk e veçantë nga që plot fëmijë në klasë të tilla çanta mbanin në krahë.
Një të shtunë nëna e mori ta lante. Ishte ftohur moti dhe e nderi për tharje brenda në kuzhinë. Në mbrëmje të dielë e vura te koka se mbante erë sapun, nga ai pesëmbëdhjetë lekshi që kishte aromë pastertie një km larg. Por kur u zgjova pashë që kokën e kisha te jastëku i gjyshes. Nuk arrita të pyes se nëna më shpjegoi.
-Çantën, këllëfin dmth, e mori gjyshja. Iku në Tiranë sot e atje futi ca rroba që mori me vete.
-Po në shkollë si do shkoj?
Ajo qeshi. Vuri mbi krevat një çantë të zezë. Shkëlqente. 
-Ia dha xhaxhi Sofo babit dje. Posaçërisht për ty.
Sofo, shoku i babait punonte operator në ambulancë. Tek radioskopia. Çanta që i thoja unë, ishte një dosje ku futeshin filmat e grafisë.
M’u duk përrallore. Përqafova nënën dhe ngjesha librat brenda. Dukesha si mësues. Por pa mbërritur gjyshja, dosja u gris. Ditën kur ajo shkeli në Korcë e prita te agjencia e autobuzëve. Sa erdhi e përqavova nga malli dhe i rrëmbeva çantën time, këllëfin e jastëkut që ajo ma gjezdisi deri në Tiranë.
Hyra në shtëpi, i zbraza teshat dhe ngjesha brenda librat. Më kapi një frikë kaq e madhe mos e përdornin prapë si valixhe ndaj të nesërmen sa shkova në shkollë i derdha sipër krejt shishen e bojës. Një hartë e madhe u shpërnda. Ajo njollë blu m’u duk si vulë e madhe që vertetonte se çanta do ishte vetëm imja. E askujt tjetër. 
Në fund të vitit, kur mora dëftesën më dhanë edhe fletë lavdërimi. Nëna e babai më fërkonin kokën, unë fërkoja çantën. Ajo copë lecke qe dashuria ime e parë, qe lodra ime në ato kohë pa lodra. Ngazëllehem kur e kujtoj. Ngashërimi te lukthi më rri zgjuar. Gati për rrebesh lotësh...

 

Tagged under Agim Xhafka