Blog

Ta lexojmë veprën e Fishtës, jo vetëm sot në ditën e lindjes!

Nga: Ndue Ukaj

Arsyet pse duhet ta lexojmë veprën e Gjergj Fishtës, dhe pse ai, si klasik i kulturës shqiptare, ka domethënie edhe për kohën tonë, mund t’i kuptojmë përmes një mendimi të vlefshëm të Artur Shopenhauerit, që shkruan: ”Freskimi më i madh i mendjes është leximi i klasikëve të lashtë. Duke lexuar ata, ndihesh i shlodhur, i lehtësuar, i përmirësuar, i lartësuar dhe i kalitur; të duket sikur sapo ke shuar etjen në një burim të kulluar malor”.

Gjergj Fishta, i vlerësuar si “Homeri Shqiptar”, është shkrimtari kombëtar i shqiptarëve, një burim i kulluar i gjuhës dhe artit, i cili njihet kryesisht me veprën “Lahuta e Malcis”, që njëkohësisht është epi nacional i shqiptarëve. Përveç kësaj vepre, ai njihet edhe për një sërë veprash me rëndësi në fushën e letërsisë, por u shqua edhe për kontribut dhe veprimtari shumë të frytshme kombëtare. E, mjafton të përmendim këtu një ngjarje madhore të identitetit kulturor të shqiptarëve, Kongresin e Manastirit (1908), në të cilin Fishta qe protagonist.

Pa dyshim, Fishta dha një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në mendimin shqiptar, si mendimtar i mprehtë. Si themelues dhe drejtues i revistës më prestigjioze shqiptare, “Hylli Dritës”, me shumë analiza e tekste, të shkruara me dije dhe kulturë, ai u dëftoi shqiptarëve rrugën kah emancipimi, përparimi dhe liria e njëmend.
Tekstet e shkruara atë kohë, me forcën e argumenteve, janë të freskëta dhe dobiprurëse edhe për kohën tonë dhe shqiptarin e shekullit XXI, që vazhdon të vërtitet i trullosur përballë krijesës së organizuar dhe të menduar, të quajtur shtet.

Gjergj Fishta, në tekstin ”Koha e ardhshme e Shqipnisë”, të botuar më 1923 në revistën “Hylli Dritës” ndër të tjera shkroi: “Jeta e përparimi i një shteti janë të bazueme: a) mbi pavarësinë politike, b) mbi lirinë e qetësinë e përmbrendshme, c) mbi ekonominë, d) kulturën dhe e) moralin.
Revista “Hylli Dritës”, pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, u shndërrua në një institucion që synonte t’i bante shqiptarët në kohën kur ishte ba Shqipnia. Revista, duke bashkuar elitën ma të shëndoshë të kohës, pa asnjë dallim, i kontribuoi mendimit politik, arsimor, gjuhësor e kulturor të shqiptarëve. Në këtë mënyrë, ajo u shndërrua në një institucion emancipues, që i dha kulturë kombit shqiptar. Veç tjerash, kjo revistë i dha shpirt Shqipërisë, ndaj, me shumë të drejt Zef Pllumi, ai që e ringjalli “Hyllin e Dritës” e quajti “busulla në të cilën shënohet vetëm një drejtim: Europë.” 

Gjergj Fishta, duke shënuar këtë periudhë e duke qenë prijatar i saj, shkroi shumë tekste diturore, me të cilat iu dha domethënie e shtytje zhvillimeve të atbotëshme në Shqipëri. 
Teksti në fjalë, është një manual shumë i dobishëm edhe për kohën e sotme. Një ABC politike e kulturore. Sidomos për m’i dhanë shpirt shtetit. Atë çka vërtet na mungon. 
Në tekstin në fjalë, Fishta, si erudit i vërtet, analizon pesë shtyllat themelore që mbajnë lartë ngrehinën shtetërore.
Shkurtimisht, të shkëputura nga teksti i përmendur më sipër, ato janë:

“Shteti, për me jetue e me përparue, ma parë duhet që te ekzistojë individualisht, duem me thanë: T’i ketë kufijtë e vet të caktuam e mbas pozicionit gjeografik...
Pa liri, s’ka qetësi të përmbrendëshme; e pa qetësi, si eksperiencë na mëson ne shqiptarëve, s’ka punë, s’ka përparim, e shteti s’mundet me pasë jete të gjatë.
Tue qenë se qëllimi i imediat i shteteve të qytetnueme asht përmirësimi i gjendjes së njeriut mbi tokë, ma parë në pikëpamje të jetës së tij fizike e masnadej të jetës intelektuale, merret vesh prej vetes, se, pa ekonomi, një shtet i qytetnuem s’mundet të jetojë, e me kohë, do të bahet rob i huaj.
Një komb nuk mundet me e mbajtë gjatë pavarësinë e vet ekonomike, pa të cilën, si thamë, s’mbahet as pavarësia politike, po qe që puna e tij nuk prodhon aq sa puna e atyne kombeve, me të cilat ky gjendet në të përpjekun. Por puna rrjedh prej idesë; prandaj një shtet i qytetnuem, për ne do me ruajtë pavarësinë e vet ekonomike, ai do të gjendet e, në mos qoftë, do të mundohet me u gjetë po në atë shkallë kulture, në të cilën gjenden shtetet me të cilat ky ka të marrun e të dhanun. 
Çka asht gëlqerja për murin, ai asht morali për shoqninë njerëzore. Morali asht ai që e mban gjallë e të fuqishme ndihmën ehuazesë (ndërsjellët), ndërmjet njeriut e njeriut e ndërmjet shtetit e shtetit, pa të cilën as njeriu, as shteti s’përparojnë e as me jetue gjatë s’mund të jetojnë.
Qe, këto janë, mbas mendimit tonë, ata gurët e parë të themelit, mbi të cilën do të mbahet, do të zhvillimet e do të përparojë çdo shtet i qytetnuem.”

Përvoja e njerëzimit ka treguar se, këto parime që i analizon në një tekst më të gjatë Fishta, janë esenciale për një shoqëri të emancipuar, që aspiron të ecë krah për krahu me popujt e përparuar.
Prandaj, Fishtën duhet ta lexojmë, sepse kështu luftojmë harresën dhe e freskojmë mendjen. Marrim mësim nga e kaluara dhe përmes saj, gjejmë shtigje për të ecur kah e nesërmja

Sot është ditëlindja e At Gjergj Fishtës, vepra e të cilit në historinë e kulturës shqiptare, ka lanë gjurmë të pashlyeshme dhe përbën një vlerë të jashtëzakonshme. Prandaj, përkundër mërzisë që na shkakton politika dhe marritë e përditshme që ndodhin ndër ne, ia vlen ta kujtojmë Fishtën, dhe njëkohësisht ta lexojmë veprën e tij të pasur dhe me vlerë, sepse mesazhet e saj janë të vlefshme edhe për kohën tonë, sidomos për t’i kuptuar raportet tona negative me historinë dhe shtetin.

(Ndue Ukaj)

 

Tagged under Ndue Ukaj Gjergj Fishta