Blog

Këpucët me qira

Nga: Agim Xhafka

Tregimi i së dielës

Në vitin e parë të universitetit, në konvikt gjallonim tetë veta në një dhomë. Katër krevate marinari, dy dollapë me nga katër fletë dhe një tavolinë e dy karrige. Atje kaluam një vit komplet dhe kur e sjell sot ndër mend mbizotëronin sherret që bëheshin kush zinte tavolinën dhe kush fikte llambën. Se ca herë e shuante dhe ...këpuca.
Pikërisht për këpucët do ju tregoj. Shoku ynë i dhomës simpatiku Taqo, Dhimitër e kishte gjatë, zotëronte një palë këpucë greke, ngjyrë lejla, me majë katrore dhe me taka të larta si të gocave. Na ngelën sytë sa ia pamë në fillim. Se krahasuar me tonat, që u hapej goja herë pas here nga mastiçi fallco, apo që fusnin ujë ende pa nisur shiu, këpucët e Taqkës ishin si Sharon Stone me Koleshkën, kuzhinieren e mencës, që rrinte pa krehur mbi tenxhere e sytë i kishte çift a tek.
Pasi kaluan ca javë, Raqi i bëri një propozim Taqos.
-Pse nuk na i jep me qira këpucët gjatë javës?
-Po unë çfarë të vesh, apo të dal me nallanet e dushit?-ia priti Taqo.
Nuk iu nda Raqi deri sa i propozoi që kushdo që do i vishte do i jepte Taqit tallonat e mencës të asaj dite.
Këtu Taqo u dorëzua me kusht që t’i mbathte vetë të dielave.
Pasi ramë dakord, përjashtuam dhe Lencin që ishte i fejuar e nuk e zilepsin këpucët, hodhëm shortin mes gjashtë çunave. Mbaj mend që ishte e hënë mbasdite dhe mua më ra e hëna. I futa në këmbë shpejt e shpej e tek godina e gocave i bërtita Tashës. Zbriti dhe ia nisëm një xhiro rreth qytetit “Studenti”. Më ngeli koka poshtë, por ajo hiç. Vija një gur para e i thoja shih si do e gjuaj, por hiç. Deri sa u ula gjoja të lidhja këpucën dhe:
-Ua, sa të bukura! Kur i bleve?
-M’i dërguan nga Greqia, ca kushërinj,-e rrejta. Por e besoi. Nisi të më kapë më shpesh për krahu, qeshte edhe kur i thoja se nesër kemi seminar Ana Kareninën e kur u ndamë në darkë më sugjeroi:
-Mbase mund të më sjellin dhe mua këpucë kusherinjtë. Kjo ngjyrë më pëlqen.
Ika shend e verë në dhomë. Sa hyra bërtet Koçi:
-O trap, po pse me baltë? Ferrave me këto këpucë hyn?
Nuk kishte faj. Dita e martë ishte dita e tij. I pastroi, i kundroi me buzëqeshje e mos o zot, mos flesh me to poshtë jastëkut, i thashë.
Këpucët na sollën gëzim e optimizëm. Na dukej vetja më të bukur e më të kullandrisur, i thonë korçarët. Deri të premten, kur i erdhi radha Astritit. Ai mësoi se këpucët ishin nr 41 dhe ai e kishte këmbën 43.
-Ta kthej tallonin e mencës,-i tha Taqoja.
-Jo, mor burrë do i mbath patjetër.
-Çfarë? Do i shqyesh?- u nxeh Taqo.-Dhjetë metra po ece do grisen nga mbrapa.
-Nuk do ec fare.-tha Astriti e m’u drejtua mua.-Kam takim me një vajzë nesër ora gjashtë në darkë. Eja me mua deri te posta. Atje do takoj Lolën dhe do hymë te një pastiçeri ngjitur, as dy metra. Unë do t’i jap ty këpucët e mija dhe kur të ndahem nga Lola t’i m’i jep prapë e këpucët greke i fusim në çantë.
-Ku ka pastiçeri te posta?- e pyeta.
-Te posta e Laprakës,-më sqaroi.
-Në Laprakë!!!
-Të keqen vëllai, mos ma prish!
U nisëm që në orën katër nga konvikti. Me këpucët greke në çantë. Ec e ec deri sa arritëm gjysëm ore para. Ai me emocion, unë i lodhur. Ku po afrohej ora 6 Astriti nisi të mbathë të majtën. Dëgjoja oh,of,af. Hyri gjysma e thembrës.
-Edhe pak se e ke çorapen e grisur, të duket patatja,-i thashë.
-Nuk futet, oh, af, po tani?
-Ok, jepi tjetrës!
Sa hyri brenda thembra, ai u çua drejt e mua m’u duk më i gjatë shoku. Si ato balerinat majë gishtave. Pas pak erdhi një bjonde, u takuan, folën, nuk lëvizën e ajo u largua.
Nuk e pyeta se ai shkundi të majtën e këpuca fluturoi në rrugë, të djathtën e prita se i dola para. Veshi këpucët e tija.
-S’pate fat?-e pyeta.
-E lamë të shtunën, se sot kishte ditëlindjen vëllai i saj.
-Çfarë? Harroje që të vij prapë në Laprakë.
Situata të tilla jetuam plot. Këpucët patën aq rëndësi sa tek dhoma jonë, sapo hyje, majtas, ishin varur dy tabela të mëdha.

 1-ORARI I LEKSIONEVE.
2-ORARI I KËPUCËVE.
Eh, vite plot mungesa, vite gjithë shpresa...

P.S
Harrova Nestin me çudinë që bëri. Shkoi me të dashurën te kafja e madhe te Pallati i Kulturës. Por kur u ngjitën shkallëve pati shumë njerëz e ajo nuk ia hodhi fare sytë kepucëve. Kur u ulën në tavolinë mundësia u bë zero. Atëherë ai guxoi. Deri në çmenduri. Rrëshqiti pas karriken dhe vuri këmbët mbi tavolinë. Nuk arriti e dashura ta qortonte se Nesti buçiti si lopë:
-Ndjehem i lumtur që nesër vjen e diela!
E ndërsa priste pyetjen, ua,ç’i ke këto këpucë kaq të bukura, mo, dëgjoi:
-Hahaha, ti qënke i çmendur fare...Uli këmbët se le nam!
Harxhoi kot latën e mencës. Do e provoj të shtunën tjetër,-tha Nesti fatkeq. Pesë të shtuna rrodhi shiu...

 

Tagged under Agim Xhafka