Blog

Ilir Ikonomi në një botë magjike librash!

Isha këtë javë në një botë magjike librash, ku arkitekti ka luajtur me ndjenjën tonë më delikate-dëshirën fisnike për të shijuar librin, shpirtërisht dhe fizikisht.

Është biblioteka Peabody në qytetin Baltimore të SHBA, një hymn për librin, ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit 19 me paratë e një pasaniku dhe bamirësi të madh, George Peabody.

A është rastësi që bibliotekat janë ndër vendet më bukura në botë?

“Sado të shpenzojmë për bibliotekat, ato kushtojnë fare lirë krahasuar me çmimin që paguajmë nëse mbetemi një popull injorant,” ka thënë një i ditur.

Njerëzit më iluministë ndër shqiptarët, Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Gjergj Fishta apo Fan Noli kishin një nderim të madh për leximin, ishin vazhdimisht të rrethuar nga librat dhe kalonin orë të tëra në bibliotekë. Një merak i tyre ishte që librat që kishin grumbulluar me vite t’i dhuroheshin publikut.

Edhe pse sot kemi ndryshuar në mënyrën se çfarë lexojmë dhe ku lexojmë, kujtesa jonë më e mirë formohet nga librat, ku ne marrim e japim ide, gëzohemi e trishtohemi, por gjithnjë dalim më të fituar e më të butë në shpirt.