Blog

Djali me pesë gjyshër

Nga: Agim Xhafka

(Tregimi i së dielës)

Kur shkova herën e parë në Velçan të Gorës, kisha me vete jorganë, jastëk, batanije, çarçafë. Kështu më këshilloi Lena, drejtoresha e shkollës, një ditë para se të nisesha. Ishte gusht e ngaqë mësimet nuk kishin nisur ende mbërrita nga dreka me autobusin e Lozhanit. Ishim thuajse krejt trupa mësimore, nja dhjetë mësues. Zbrita dengun në tokë e po shihja anash nëse nga fshati kishin dërguar ndonjë mushkë apo jo. Se do ngjiteshim dy male të lartë, nja tre orë më këmbë deri te shkolla ku do nisnim misionin tonë fisnik, siç na u tha nga drejtuesit e rrethit.
-Ka dalë Nimi,- më tha Lena, e tregoi nga dyqani. Ishte një djalosh, ndoshta mosha ime, nja 22-24 vjeç, me dy mushka përdore. Një ngarkuar me fuçi nafte dhe një bosh. Do ishte për mua se vetëm unë isha i ri, të tjerët kishin vite atje e i kishin çuar me kohë dengjet e tyre.
-Anonim,-i thirri Lena.-Hajde, ngarkoji rrobat e mësues Agimit. Ne po ecim para.
Ai hodhi mbi mushkë dengun dhe po e balanconte. Ia nisëm ngjitjes së majës së parë. Një pjerrinë për alpinistë. Por e merrnim me kthesa të shumta se ndryshe do na duheshin litarë.
-Pse i thoni Anonimi?- pyeta Lenën.-Se ai nuk quhet kështu, apo jo?
-Eshte histori e ngatërruar,-më tha ajo.- E ka emrin Roland. Roland Grabova. Ka qënë një vit mësues në qytet, është me origjinë nga një fshat i Devollit. Por i bënë një letër anonime sikur gjyshin ia kanë pushkatuar partizanët.
-Vërtet?- dhe m’u mek zëri.
-Sipas këtij jo. I ka gjallë të katër gjyshërit. I çoi dhe te komiteti të veshur e ngjeshur, por nuk ia varën. I ka ngelur ajo letra në dokumente dhe e nisën në Velçan. Pandehu i shkreti se do punonte mësues, por jo, e futën mushkar, bile operativi i zonës nuk e lejon as të largohet nga fshati pa i dhënë leje. Si gjysëm i internuar, por është djalë flori. Punëtor dhe i qeshur.
Njeri me pesë gjyshër! M’u kujtua shoku im Ladi, që dorën e majtë e kishte me një gjysëm gishti shtojcë. Kam pesë, shihi, mburrej te mëhalla.
U trondita, mbase dhe nga lodhja m’u mblodh një revoltë në shpirt. O Zot, çfarë nuk po dëgjojmë. Ktheva kokën e pashë që Anonimi ishte në fund të vargut, pas mushkave. Ecte me kokën ulur, mbase mallkonte fatin e tij të zi.
Kaluan ca muaj dhe e harrova atë njeri. Por një mbasdite ishte poshtë ahut para shkollës me nallbanin, Yzeirin, që po i mbathte mushkat. U afrova dhe nisëm nga romuzet. Unë flija tek Yzeiri dhe kisha mjaft miqësi. Por Nimi më hoqi mënjanë e gati m’u lut:
-Më bëj një letër, sikur gjyshin e kanë pushkatuar vërtet, por para togës ai bërtiti:”Rroftë Partia Komuniste,”
-Jo, nuk bëj anonime unë. Bëj letër tamam për komitetin. Aty të ndihmoj.
-Kam bërë nja 50 copë të vërteta e askush nuk lëvizi. Nuk ma heqin të pestin gjysh. Duhet një anonime, ajo pi ujë.
U ndamë e pas ca javësh më hipi një dell idioti. Në klasën e tetë u bëra diktim. Në fleta, jo në fletore, urdhërova. Emrin tuaj dhe fjalën diktim do e vendosni në fund. Do shkruajmë një copë nga “Komisari Memo” i Dritëroit, i gënjeva.
Dhe u diktova 40 nxënësve:
“Gjyshi i Roland Grabovës ka qëndruar heroik para togës së pushkatimit. Ai tha, më keni ngatërruar me Nusretin e fshatit përballë, por ju bëni tuajën. Për mua të rrojë përjetë Partia Komuniste!”
Mblodha fletët, preva me gërshërë emrat e nxënësve në fund dhe të shtunë, kur zbrita në qytet i futa në zarfa, një pullë sipër, emrin e marrësit “Komiteti i Partisë” dhe oh, u çlirova. Kaq kisha në dorë. Ia mbajta fjalën Nimit, një më kërkoi 40 anonime i gatita.
Pas ca javësh u transferova në Tiranë dhe e kisha harruar këtë ndodhi. U deshën të kalonin tre vjet dhe kur po udhëtoja si gazetar nga Gramshi në Korcë, në Lozhan më doli para makinës vetë Nimi. Ngriti dorën ta merrnim.
-Ndale, Guga,-i thashë shoferit.
Hapa derën e BC-së kineze dhe e pyeta:
-Ke marrë leje nga operativi?
-Hahah, kam shpëtuar. Jam mësues tani, në Lozhan, sa të hapet ndonjë vend në Korçë.
-Ta zhdukën gjyshin e pestë?- e pyeta.
E futa brenda dhe ndërsa u gëzova isha dhe kurioz.
-Në komitet kishin mbërritur plot letra anonime nga fshati,-ia nisi ai.
-Nja 40? - e pyeta.
-Po.
-Me shkrim kalamajsh?
-Po anonimet me shkrim të tillë bëhen, që mos kuptohen. Po ti nga e di?
-Se i bëra unë me nxënësit e mi. Por vazhdo.
-U ngrit urgjent një ekip e shkoi në fshat. Thirrën edhe gjyshërit. Vajtën të katërt. Për 5 minuta u sqarua gjithçka. Sikur lindëm të gjithë. Se kalova ca vjet duke bërë muhabet vetëm me mushkat. 
E ndërsa fliste më fërkonte qafën, isha para në veturë. Si shenjë falenderimi. Tek turizmi nuk na u nda. 
-Do darkojmë bashkë, patjetër.
Guga, shoferi, nisi refrenin:
-Shef, mos ja prish popullit.
Nimi shpëtoi nga internimi, por nuk ia doli të hiqte nofkën. Sikur edhe u mësua me të. I pëlqente kur e thërrisnin kështu.
-Roland e kam harruar. Dhe e fejuara kështu më thotë, Anonimi im, shpirti im, Nimi im.
Hiqej kështu se ishte fisnik. U trajtua më keq se mushkat e tij, por bardhësia e shpirtit e sundoi, ia mposhti mllefin, i tha shih para e gëzohu...

 

Tagged under Agim Xhafka